Lajçak: Kosova ta themelojë Asociacionin, Serbia t’i njohë simbolet e Kosovës

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë se ua ka kujtuar Prishtinës dhe Beogradit, të martën në Bruksel, se normalizimi i marrëdhënieve nënkupton integrim në BE, dhe se dy proceset janë të ndërlidhura me njëri-tjetrin.

Lajçak ka thënë se me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi, dhe me atë të Serbisë, Petar Petkoviq, kanë diskutuar për hapat drejt zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, teksa ka përmendur “shtensionimin, përgjegjësinë për sulmet e 2023-tës, riintegrimin e serbëve të Kosovës, themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, njohjen e dokumenteve dhe simboleve të Kosovës”.

Deklaratat e Lajçakut, të bëra në llogarinë e tij në rrjetin social X, erdhën një ditë pasi Kosova dhe Serbia përmbyllën me sukses negociatat për zbatimin e Deklaratës së vitit 2023 për Personat e Zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Lajçak ka thënë se dakordimi për zbatimin e Deklaratës për të pagjeturit ishte “një hap i rëndësishëm që përfundimisht do të sjellë një përmbyllje për familjet”.

Sipas Kryqit të Kuq, në Kosovë janë ende 1.612 persona të pagjetur nga lufta.

Emisari evropian ka paralajmëruar se Brukseli së shpejti do të jetë mikpritës i takimit të parë të një Komisioni të Përbashkët, ndërkaq Bislimi ka thënë se ky komision do të fillojë të merret me çështjet që i takojnë nga janari i 2025-tës.

Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje më 2023 për Deklaratën e përbashkët për personat e zhdukur, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Zotimet që u bënë me këtë deklaratë, përfshijnë: qasje të plotë në informacione të besueshme, mes tyre edhe ato me status të klasifikuar; vënie në dispozicion të të gjitha dokumenteve me rëndësi për përcaktimin e fatit të personave të zhdukur, si dhe punë të përbashkët përmes një komisioni të kryesuar nga Bashkimi Evropian.

Por, deri tani, asnjë prej këtyre nuk është realizuar në praktikë.

I dënuar me 21 vite burg në Itali për drogë, konfiskohen pasuritë e një personi dhe familjarëve të tij

Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, gjykata konfiskoi pasuritë e shtetasit E.B. dhe të familjarëve të tij, i dënuar në Itali për veprën penale të ‘Trafikimit të drogës’.

Nga hetimet e kryera në kuadër të procedimit pasuror ndaj këtij shtetasi, rezultoi se ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Apelit, në Torino, Itali e dënoi me 21 vite burgim për veprën penale te “Trafikimit te drogës” dhe në datë 21.04.2014, u bë arrestimi i tij me qëllim ekstradimin në Itali.

“Ky shtetas në bashkëpunim me persona të tjerë, më datë 03.12.2003 në Romë, ka transportuar dhe mbajtur me qëllim tregtimi, një sasi prej disa kilogramësh heroine, e cila sigurohej nga Shqipëria dhe transportohej në Itali.

Prokuroria provoi se pasuritë që ky shtetas zotëron, nuk justifikohen nga pikëpamja ekonomike dhe dyshohet se rrjedhin nga veprimtaria kriminale. Shtetasi E.B., nuk figuron të ketë qenë i regjistruar në ndonjë Zyrë Rajonale Punësimi në Itali, edhe pse deklaroi se punonte si kamionist apo murator dhe niveli i lartë i jetesës nuk justifikohet nga pikëpamja ekonomike, nga ai apo pjesëtarët e familjes”, thote prokuroria.

Sipas Organit te akuzes, pasuritë dyshohet se janë krijuar me të ardhura nga aktiviteti i paligjshëm i tregëtimit të lëndëve narkotike gjatë periudhës 2003 – 2006, pasi rezulton se e ka kryer këtë aktivitet në mënyrë të përsëritur gjatë këtyre viteve..

“Duke vlerësuar se ka të dhëna të mjaftueshme që vërtetojnë aktivitetin kriminal të shtetasit E.B., për veprën penale të parashikuar nga nenet 283 të Kodit Penal dhe se këto pasuri nuk kanë prejardhje të ligjshme si dhe faktin që këto pasuri janë krijuar pas kryerjes së aktivitetit kriminal dhe dënimit të këtij shtetasi, prokuroria kërkoi konfiskimin e pasurive të mëposhtme, dy godina dhe kalimin e tyre në pronësi të shtetit:

1.1 Pasuria e ndodhur në qarkun Vlorë, njësia Delvinë, adresa Vanë, ndërtim pa leje aplikuar për legalizim; dhe

1.2 Pasuria e ndodhur në qarkun Vlorë, njësia Vergo adresa Vane, ndërtim pa leje, aplikuar për legalizim.”

Skenarët e mundshëm nëse SHBA-ja i vë sanksione industrisë serbe të naftës

Departamenti Amerikan i Shtetit thotë se Shtetet e Bashkuara “nuk i paralajmërojnë publikisht sanksionet”.

“Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të penguar gjenerimin e të ardhurave të Rusisë, si dhe rrjetet e saj të prokurimit dhe financiare, që përdoren për të mbështetur luftën e saj kundër Ukrainës”, thuhet në deklaratën dhënë Radios Evropa e Lirë.

Ajo pason njoftimin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, se SHBA-ja do t’i vendosë sanksione ish-kompanisë shtetërore, Industria e Naftës e Serbisë (NIS), për shkak të pronësisë ruse.

Radio Evropa e Lirë nuk mori detaje konkrete as nga kompania NIS, as nga Ministria e Minierave dhe e Energjisë e Serbisë, se çfarë do të sillnin sanksionet e mundshme dhe si do t’i preknin ato qytetarët.

“Biznesi i NIS-it aktualisht zhvillohet pa pengesa dhe kompania mbetet e përqendruar në vazhdimin e realizimit të investimeve të nisura”, thuhet në përgjigjen e NIS-it për Radion Evropa e Lirë.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Serbi, Christopher Hill, tha më 16 Dhjetor se ai nuk mund të konfirmojë vendosjen e mundshme të sanksioneve amerikane ndaj NIS-it, por shtoi se ka “shqetësim të madh se Rusia është duke përfituar” prej se ka blerë ish-ndërmarrjen shtetërore.

Në vitin 2008, shteti i Serbisë ia shiti 51 për qind të aksioneve të kompanisë NIS kompanisë shtetërore ruse, Gazprom Neft, me një çmim prej 400 milionë Eurosh, pa tender. Millosh Zdravkoviç, ekspert i energjisë në Beograd, thotë për Radion Evropa e Lirë se është e vështirë të supozohet se për çfarë sanksionesh mund të bëhet fjalë.

“Skenari më i keq që ne analistët mund ta shohim, është të sanksionohet importi i NIS-it përmes JANAF-it. Ky do të ishte një lajm shumë i keq”, thotë Zdravkoviç.

Nafta në Serbi importohet kryesisht përmes një tubacioni të naftës me të cilin operon kompania JANAF në Kroaci. Përmes tij, nafta dërgohet në Kroaci, Hungari dhe Serbi. Sipas raportit vjetor të Agjencisë Shtetërore të Energjisë në Serbi, për vitin 2023, gati 80 për qind e naftës në Serbi është siguruar nga importet.

Sipas të dhënave të NIS-it, kompania Gazprom Neft zotëron sot 50 për qind të kapitalit aksionar të NIS-it, Republika e Serbisë zotëron 29.87 për qind të aksioneve, ndërsa kompania Gazprom zotëron 6.15 për qind të aksioneve.

Pjesa tjetër u takon qytetarëve, punonjësve, ish-punonjësve dhe aksionarëve të tjerë më të vegjël.

Gazprom Neft është nën sanksionet evropiane dhe amerikane që nga viti 2014, për shkak të aneksimit të Gadishullit ukrainas të Krimesë nga Rusia, dhe kompanisë i është ndaluar qasja në tregjet e BE-së dhe SHBA-së.

Raporti i Agjencisë serbe të Energjisë tregon se paketat e mëparshme të sanksioneve të BE-së, për shkak të pushtimit rus të Ukrainës, kanë ndikuar në importin e naftës ruse dhe në operacionet e kompanisë NIS.

Çka u paralajmërua?

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha më 13 Dhjetor se Shtetet e Bashkuara do t’i vendosin sanksione industrisë serbe të naftës “për disa ditë”. Vuçiç tha se sanksioneve do t’u bashkohet edhe Britania e Madhe.

Ai tha se vendimi për sanksionet do të hyjë në fuqi më 1 Janar, 2025, dhe se bëhet fjalë për “ndoshta sanksionet më të rënda”. Ai, po ashtu, tha se do ta diskutojë këtë çështje me zyrtarë rusë dhe amerikanë.

“Do të bisedojmë me Rusinë për të parë nëse [pronësia] mund të ulet nën 50 për qind… ta blejmë ne një pjesë. Ose jo, nuk e di”, tha Vuçiç.

Më 14 Dhjetor, ai tha se nuk e ka parë ende dokumentin zyrtar me të cilin SHBA-ja do t’i vendosë sanksione NIS-it, por se ka “një lloj konfirmimi zyrtar”. Ai shtoi se “nuk është gati në këtë moment që të flasë për sanksionet e mundshme kundër Moskës”.

Serbia është një nga vendet e pakta kandidate për anëtarësim në BE, që nuk iu bashkua sanksioneve të Perëndimit kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Çka tha Departamenti i Shtetit e çka NIS-i?

Në përgjigjen e Departamentit amerikan të Shtetit për Radion Evropa e Lirë thuhet se SHBA-ja do të vazhdojë t’i marrë “masat e duhura për t’i mbajtur përgjegjës ata që mundësojnë ose përfitojnë nga lufta ilegale e Rusisë”.

Aty, po ashtu, thuhet se SHBA-ja do të vazhdojë të punojë “me vende dhe kompani në mbarë botën, për të garantuar sigurinë e furnizimit me energji dhe për të zbutur goditjet nga çmimet që ndikojnë në ekonominë globale”.

Kompania NIS nuk iu përgjigj Radios Evropa e Lirë se çfarë do të nënkuptonin sanksionet e paralajmëruara për këtë kompani, si do të ndikonin në biznesin e saj dhe nëse ka mënyra për t’i anashkaluar ato.

NIS-i tha se furnizimi i zinxhirit të pikave të karburanteve të NIS-it vazhdon në mënyrë të rregullt dhe se Rafineria e Naftës e Pançevës – pjesë e NIS-it, ku përpunohet nafta bruto – është duke funksionuar në gjendje normale dhe “duke i dërguar në treg të gjitha derivatet e nevojshme të naftës”.

NIS-i, përndryshe, zotëron më shumë se 400 pika karburanti në Serbi dhe në vendet e rajonit: Bosnje dhe Hercegovinë, Rumani dhe Bullgari.

“Kompania NIS vazhdon ta monitorojë situatën aktuale dhe t’i analizojë të gjithë skenarët e mundshëm dhe pasojat e mundshme për funksionimin e kompanisë. Aktualisht, nuk ka kufizime ligjore për aktivitetet e kompanisë dhe të partnerëve tanë”, thuhet në përgjigjen e NIS-it.

Cilat do të ishin pasojat e mundshme?

Zdravkoviç thotë se pasoja më e madhe për Serbinë do të ishte ndërprerja e furnizimit me naftë përmes JANAF-it. “JANAF-i është kryesisht në pronësi të Republikës së Kroacisë. Kroacia është anëtare e Bashkimit Evropian dhe këto sanksione nuk duhet të ndikojnë në operacionet e një kompanie anëtare të BE-së”, thotë ai.

Zdravkoviç shton se JANAF-i do të ishte në telashe të mëdha në atë rast, sepse NIS-i është “konsumatori kryesor”. E pyetur për sanksionet e paralajmëruara, kompania JANAF tha se NIS-i është prej kohësh partneri më i madh biznesor i JANAF-it, me të cilin ka të lidhur një “kontratë 3-vjeçare për transportin e 10 milionë tonëve naftë deri në fund të vitit 2026”.

Zdravkoviç thotë se pa këtë import, Serbia do të kishte rezerva për rreth dy muaj.

Si ndikuan sanksionet e mëparshme perëndimore në NIS?

Sipas raportit të Agjencisë për Energji të Serbisë, për vitin 2023, në atë vit, për herë të parë në historinë e industrisë serbe të naftës, nuk ka pasur import të naftës bruto me origjinë ruse.

Kjo është pasojë e paketës së gjashtë të sanksioneve kundër Federatës Ruse, nga maji i vitit 2022, e cila ka paraparë ndalimin e përdorimit të infrastrukturës evropiane për transportin dhe përpunimin e naftës bruto me origjinë ruse”, thuhet në raport.

Atë vit, sipas raportit, Serbia importoi naftë kryesisht nga Azerbajxhani, Iraku, Kazakistani dhe Norvegjia.

Sipas të dhënave të mëparshme nga Ministria e Minierave dhe e Energjisë e Serbisë, rreth një e treta e naftës së importuar, është prodhuar në Rusi dhe Kazakistan, ka raportuar Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë në vitin 2022.

Ndërsa Gazprom Neft është nën sanksionet evropiane dhe amerikane, prodhuesi më i madh i gazit në botë, Gazprom, nuk është subjekt i embargos.

Kur Bashkimi Evropian vendosi sanksione të reja tregtare ndaj Rusisë në vitin 2022, Serbia dhe Hungaria ranë dakord në tetor të atij viti për të ndërtuar një tubacion nafte, që do t’i mundësonte Serbisë të furnizohej me “naftë më të lirë nga Uralet, duke u lidhur me tubacionin e naftës, Druzhba”.

Atëkohë, presidenti i Serbisë tha se vendi i tij nuk e konsideron Kroacinë furnizuese të besueshme dhe se do t’i duhet ta diversifikojë furnizimin me naftë. Sipas një njoftimi të mëhershëm të ministres së Energjisë së Serbisë, Dubravka Gjedoviç Handanoviç, ndërtimi i atij gazsjellësi do të fillojë në gjysmën e dytë të vitit 2025.

“Makineria e vdekjes” së Assadit, zbulohen mbi 100 mijë trupa në varret masive siriane

Një prokuror ndërkombëtar për krimet e luftës tha të martën se provat që dalin nga varrezat masive në Siri kanë ekspozuar një “makineri vdekjeje” të drejtuar nga shteti nën udhëheqësin e rrëzuar Bashar al-Assad. Reuters raporton se ai vlerësoi më shumë se 100,000 njerëz u torturuan dhe u vranë që nga viti 2013.

Duke folur pas vizitës në dy varrezat masive në qytetet e Qutayfah dhe Najha pranë Damaskut, ish-ambasadori amerikan për krimet e luftës Stephen Rapp i tha Reuters: “Ne sigurisht kemi më shumë se 100,000 njerëz që u zhdukën dhe u torturuan për vdekje në këtë makineri. Unë nuk kam shumë dyshime për ato lloj numrash duke pasur parasysh atë që kemi parë në këto varre masive. Ne me të vërtetë nuk kemi parë diçka të tillë që nga nazistët”, tha Rapp, i cili drejtoi ndjekjet penale në gjykatat e krimeve të luftës në Ruanda dhe Sierra Leone dhe po punon me shoqërinë civile siriane për të dokumentuar provat e krimeve të luftës dhe po ndihmon për t’u përgatitur për çdo gjykim eventual.

“Nga policia sekrete që zhduku njerëzit nga rrugët dhe shtëpitë e tyre, të burgosurit dhe hetuesit që i lanë të vdisnin nga uria dhe i torturuan deri në vdekje, tek shoferët e kamionëve dhe shoferët e buldozerëve që fshihnin trupat e tyre, mijëra njerëz punonin në këtë sistem të vrasjeve“, tha Rapp për Reuters.

“Po flasim për një sistem terrori shtetëror, i cili u shndërrua në një makineri vdekjeje”.

Qindra mijëra sirianë vlerësohet të jenë vrarë që nga viti 2011, kur shtypja e protestave kundër tij nga ana e Asadit u shndërrua në një luftë në shkallë të gjerë.

Si Assad ashtu edhe babai i tij Hafez, i cili i parapriu atij si president dhe vdiq në vitin 2000, janë akuzuar prej kohësh nga grupet e të drejtave dhe qeveritë për vrasje të përhapura jashtëgjyqësore, duke përfshirë ekzekutime masive brenda sistemit të burgjeve të vendit dhe përdorimin e armëve kimike kundër popullit sirian.

Assad, i cili iku në Moskë, e kishte mohuar vazhdimisht se qeveria e tij kishte kryer shkelje të të drejtave të njeriut dhe i kishte cilësuar kritikuesit e tij si ekstremistë.

Kreu i organizatës mbrojtëse siriane me bazë në SHBA , Task Forca Siriane e Emergjencave , Mouaz Moustafa, i cili gjithashtu vizitoi Qutayfah, 40 km në veri të Damaskut, ka vlerësuar se të paktën 100,000 trupa janë varrosur vetëm atje.

"Makineria e vdekjes" së Assadit, zbulohen mbi 100 mijë

“VENDI I TMERREVE”

Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur në Hagë tha veçmas se kishte marrë të dhëna që tregojnë se mund të ketë deri në 66 varreza masive ende të paverifikuara në Siri. Më shumë se 157,000 njerëz janë raportuar të zhdukur në komision.

Kryetarja e Komisionit Kathryne Bomberger i tha Reuters se raportimi i të zhdukurve tani po “shpërthente” me kontakte të reja nga familjet. Ndërsa gjatë luftërave ballkanike të viteve 1990. U zhdukën rreth 40,000 njerëz.

Për familjet, kërkimi i së vërtetës në Siri mund të jetë i gjatë dhe i vështirë. Një përputhje e ADN-së do të kërkojë të paktën tre të afërm që të ofrojnë mostra referencë të ADN-së dhe të marrin një mostër të ADN-së nga secila prej këtyre mbetjeve skeletore të gjetura në varre, tha Bomberger.

Komisioni bëri thirrje që vendet të mbroheshin në mënyrë që të ruheshin provat për gjykimet e mundshme, por vendet e varrezave masive ishin lehtësisht të arritshme të martën.

Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara me një numër organesh të OKB-së për të siguruar që populli sirian të marrë përgjigje dhe llogaridhënie, tha Departamenti i Shtetit të martën.

Banorët sirianë që jetonin pranë Qutayfah, një ish-bazë ushtarake ku ndodhej një nga vendet, dhe një varrezë në Najha, e përdorur për të fshehur trupat nga vendet e paraburgimit, përshkruan se shihnin një rrjedhë të qëndrueshme kamionësh frigoriferikë që dërgonin trupa të cilët u hodhën në llogore të gjata të gërmuara me buldozerë.

“Varret ishin përgatitur në mënyrë të organizuar – vinte kamioni, shkarkonte ngarkesën që kishte dhe largohej, me to kishte automjete të sigurisë dhe nuk lejohej të afrohej, kushdo që afrohej, zbriste me ta. Abb Khalid, i cili punon si fermer pranë varrezave të Naxhës, tha.

Në Qutayfah, banorët nuk pranuan të flisnin në kamera ose të përdornin emrat e tyre nga frika e ndëshkimit, duke thënë se nuk ishin ende të sigurt se zona ishte e sigurt pas rënies së Asadit.

“Ky është vendi i tmerreve,” tha njëri të martën.

Brenda një vendi të mbyllur me mure çimentoje, tre fëmijë luanin pranë një automjeti satelitor ushtarak të prodhuar nga Rusia. Toka ishte e sheshtë dhe e rrafshuar, me shenja të gjata, të drejta ku besohej se trupat ishin varrosur.

"Makineria e vdekjes" së Assadit, zbulohen mbi 100 mijë

IMAZHE SATELITORE

Imazhet satelitore të analizuara nga Reuters treguan se gërmimet në shkallë të gjerë filluan në vendndodhje midis viteve 2012 dhe 2014 dhe vazhduan deri në vitin 2022. Imazhet e shumta satelitore të marra nga Maxar gjatë asaj kohe treguan një gërmues dhe llogore të mëdha të dukshme në vend, së bashku me tre ose katër të mëdha kamionë.

Omar Hujeirati, një ish-udhëheqës i protestës kundër Asadit, i cili jeton pranë varrezave Najha, të cilat u përdorën derisa u krijua vendi më i madh Qutayfah sepse ishte plot, tha se ai dyshonte se disa nga anëtarët e familjes së tij të humbur mund të ishin në varr.

Ai beson se të paktën disa nga të arrestuarit, duke përfshirë dy djem dhe katër vëllezër, u arrestuan për protesta kundër qeverisë së Asadit.

Detajet e varrezave masive të Sirisë dolën për herë të parë gjatë seancave gjyqësore gjermane dhe dëshmisë së Kongresit amerikan në 2021 dhe 2023. Një burrë i identifikuar vetëm si “gërmuesi i varreve” dëshmoi vazhdimisht si dëshmitar për punën e tij në vendet Najha dhe Qutayfah gjatë gjyqit gjerman për zyrtarët e qeverisë siriane.

Ndërsa punonte në varrezat përreth Damaskut në fund të vitit 2011, dy oficerë të inteligjencës u shfaqën në zyrën e tij dhe e urdhëruan atë dhe kolegët e tij të transportonin dhe varrosnin kufomat. Ai dëshmoi se hipi në një furgon të dekoruar me fotografi të Assadit dhe udhëtonte në vendet disa herë në javë midis 2011 dhe 2018, i ndjekur nga kamionë të mëdhenj frigoriferikë të mbushur me trupa.

Kamionët bartën disa qindra kufoma nga spitalet ushtarake Tishreen, Mezzeh dhe Harasta në Najha dhe Qutayfah, tha ai në gjyq. Në lokacione tashmë ishin hapur llogore të thella dhe varrmihësi dhe kolegët e tij do të shkarkonin kufomat në llogore, të cilat do të mbuloheshin me papastërti nga ekskavatorët sapo të mbushej një pjesë e hendekut, tha ai.

“Çdo javë, dy herë në javë, vinin tre kamionë rimorkio, të mbushura me 300 deri në 600 trupa të viktimave të torturës, urisë dhe ekzekutimit nga spitalet ushtarake dhe degët e inteligjencës përreth Damaskut,” i tha ai Kongresit në një deklaratë me shkrim.

Varrmihësi u arratis nga Siria në Evropë në vitin 2018 dhe ka dëshmuar vazhdimisht për varrezat masive, por gjithmonë me identitetin e tij të mbrojtur nga publiku dhe media.

Mjegulla e dendur shkakton probleme me qarkullimin në aksin rrugor Korçë-Pogradec

Mjegulla në orët e para të mëngjesit ka krijuar probleme në qarkullim në aksin rrugor nacional Korçë-Maliq. Më e dendur mjegulla ka qenë në qytet, por edhe në aksin nacional që të çon drejt Pogradecit.

Në kushte të tilla atmosferike drejtuesit e automjeteve kanë qenë të detyruar të lëvizin me shpejtësi të reduktuar për të shmangur aksidentet, pasi shikimi ka qenë tejet i kufizuar.

Policia rrugore u ka kërkuar drejtuesve të mjeteve të cilët përdorin këtë aks të bëjnë kujdes në ngjitje të Qafë Thanës, ku edhe aty ka prezencë të mjegullës, segment rrugor me kthesa të shumta, disa prej të cilave të padukshme për drejtuesit e mjeteve.

Hapja e grupkapitujve të rinj, Rama publikon fotot: Ditë krenarie e marshimit drejt objektivit historik

Një ditë më parë kryeministri Edi Rama udhëhoqi delegacionin shqiptar në Bruksel, për hapjen e grupkapitujve të rinj për anëtarësimin në BE.

Ditën e sotme, pas takimeve dhe bisedave të zhvilluar me përfaqësues të lartë europianë, Rama ka publikuar disa foto nga momentet atje.

Krahas fotove ai shkruan se objektivi është anëtarësimi brenda vitit 2030.“MIRËMËNGJES dhe me FotoALBUMIN e një tjetër dite krenarie të marshimit tonë drejt objektivit historik të anëtarësimit të Shqipërisë në BE brenda vitit 2030, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.

Emërohen shefat e Komisariateve në 12 qarqe, publikohet lista fituese

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda ka emëruar shefat e Komisariateve në drejtoritë vendore.

Po ashtu, policia ka publikuar edhe listën me emrat fituese, të cilët u përzgjodhën pas përfundimit  të procesit të ankimimit nga Komisioni i Shqyrtimit të Ankesave.

Njoftimi:

Në përfundim të fazave të konkurrimit për pozicionin “Shef Komisariati” dhe pas përfundimit të procesit të ankimimit nga Komisioni i Shqyrtimit të Ankesave, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka përzgjedhur nga lista fituese dhe ka emëruar shefat e komisariateve të Policisë sipas drejtorive vendore përkatëse, si më poshtë vijon:

1-Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë:

-Komisariati i Policisë nr.1, Kryekomisar Robert Losha;

-Komisariati i Policisë nr.2, Komisar Ritvan Pali;

-Komisariati i Policisë nr.3, Komisar Besmir Dervishi;

-Komisariati i Policisë nr.4, Kryekomisar Ervis Gjoshi;

-Komisariati i Policisë nr.5, Kryekomisar Besmir Qibini;

-Komisariati i Policisë nr.6, Kryekomisar Erdit Rreçeku;

-Komisariati i Policisë nr.7, Kryekomisar Elton Shahini;

-Komisariati i Policisë Rrugore, Kryekomisar Roven Zeka;

-Komisariati i Policisë Krujë, Komisar Luan Sinanaj.

2-Drejtoria Vendore e Policisë Durrës:

-Komisariati i Policisë Durrës, Komisar Algert Gjonaj;

-Komisariati i Policisë Shijak, Komisar Ilia Muça;

-Komisariati i Policisë Kavajë, Kryekomisar Luan Hamzallari.

3-Drejtoria Vendore e Policisë Berat:

-Komisariati i Policisë Berat, Kryekomisar Behar Caka;

-Komisariati i Policisë Skrapar, Kryekomisar Emiljan Pashaj;

-Komisariati i Policisë Kuçovë, Komisar Kleant Sevdari.

4-Drejtoria Vendore e Policisë Fier:

-Komisariati i Policisë Fier, Kryekomisar Gentian Ali;

-Komisariati i Policisë Lushnjë, Kryekomisar Gerald Toska;

-Komisariati i Policisë Mallakastër, Komisar Bledar Metaj;

-Komisariati i Policisë Divjakë, Komisar Learton Haxho.

5-Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë:

-Komisariati i Policisë Vlorë, Kryekomisar Elvis Peza;

-Komisariati i Policisë Sarandë, Komisar Gëzim Bashllari;

-Komisariati i Policisë Himarë, Nënkomisar Neritan Buzi;

-Komisariati i Policisë Delvinë, Komisar Agim Troci.

6-Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër:

-Komisariati i Policisë Gjirokastër, Kryekomisar Edmond Pjetraj;

-Komisariati i Policisë Tepelenë, Kryekomisar Ilirjan Demaj;

-Komisariati i Policisë Përmet, Kryekomisar Arjan Dumi.

7-Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan:

-Komisariati i Policisë Elbasan, Nënkomisar Fatos Tresa;

-Komisariati i Policisë Gramsh, Komisar Krenar Guçe;

-Komisariati i Policisë Librazhd, Kryekomisar Elton Halili;

-Komisariati i Policisë Peqin, Nënkomisar Bilbil Lita.

8-Drejtoria Vendore e Policisë Korçë:

-Komisariati i Policisë Korçë, Kryekomisar Agim Hoxha;

-Komisariati i Policisë Pogradec, Komisar Bilal Semanaj;

-Komisariati i Policisë Maliq, Komisar Eduart Allushi;

-Komisariati i Policisë Kolonjë, Komisar Alket Pashaj;

-Komisariati i Policisë Devoll, Komisar Altin Gusho.

9-Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë:

-Komisariati i Policisë Lezhë, Komisar Oltion Gjoni;

-Komisariati i Policisë Kurbin, Kryekomisar Gentian Hilla;

-Komisariati i Policisë Mirditë, Komisar Arben Marku.

10-Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër:

-Komisariati i Policisë Shkodër, Kryekomisar Nik Nikollaj;

-Komisariati i Policisë Malësi e Madhe, Kryekomisar Gentian Dedej;

-Komisariati i Policisë Pukë, Kryekomisar Liman Topalli;

-Komisariati i Policisë Vau i Dejës, Komisar Arif Përgjegji.

11-Drejtoria Vendore e Policisë Kukës:

-Komisariati i Policisë Kukës, Kryekomisar Bekim Lika;

-Komisariati i Policisë Tropojë, Kryekomisar Sajmir Shkambaj;

-Komisariati i Policisë Has, Komisar Astrit Përlesha.

12-Drejtoria Vendore e Policisë Dibër:

-Komisariati i Policisë Dibër, Kryekomisar Altin Lila;

-Komisariati i Policisë Bulqizë, Kryekomisar Edvin Peçi;

-Komisariati i Policisë Mat, Kryekomisar Ervis Sancolli.

U plagos në aksidentin e rëndë në Sauk, humb jetën mjeku Vanion Cinari

Mjeku Vanion Cinari, i cili u plagos mbrëmjen e djeshme në një aksident në Sauk, ka humbur jetën në spital, ku po kurohej për plagët e marra.

Në aksidentin e ndodhur një natë më parë, u përfshinë 3 makina.

Shkaqet e aksidentit nuk janë konfirmuar ende, policia po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Samiti BE-Ballkani Perëndimor, Rama: Ky takim, shenjë që lidhja jonë është e pandashme

Para samitit BE-Ballkani Perëndimor që do të mbahet sot (18 dhjetor) në Bruksel, kryeministri Edi Rama ka vlerësuar vëmendjen e Unionit ndaj vendeve të rajonit.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me Shefen e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, Rama tha se ky takim është shenjë e një lidhje të pandashme mes BE dhe Ballkanit perëndimorë, por theksoi se duhet bërë edhe më shumë për forcimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve.

Është ditë e rëndësishme për ne sepse kemi samitin me BE-në dhe në të njëjtën kohë ne jemi zgjuar me një ndjesi të mirë që kemi hapur një tjetër kapitull për negociatat ditën e djeshme. Është momentin i mirë. Por mbi të gjitha dua ta marr këtë avantazh për t’iu falënderuar për këtë takim dhe t’iu them se ne ndjejmë një privilegj sepse ju keni ardhur nga një rrugë e gjatë dhe dini se çfarë do të thotë të lindesh dhe të rritesh në një regjim diktatorial dhe më pas të luftosh për liri dhe më pas për të ndërtuar demokracinë dhe një shoqëri të zhvilluar. Kjo është një arsye më shumë për tu ndjerë komfort për të punuar me ju, për të mësuar nga ju dhe për të shkëmbyer pikëpamjet tona në këtë kohë jo shumë të lehtë. Në të njëjtën kohë ky takim është i rëndësishëm sepse është një shenjë më shumë që lidhja jonë është e pandashme dhe duhet të bëjmë më të mirën për ta bërë atë më të fortë. Dua të shpreh falënderimet e mia, mirënjohjen për BE-në dhe punën që po bën për të shtyrë përpara agjendën për zgjerimin”, tha Rama.

Në këtë samit të radhës BE–Ballkani Perëndimor, në fokus do të jetë forcimi i partneritetit mes vendeve përmes integrimit gradual të rajonit në disa prej politikave ndërkombëtare.

Ky është samiti i parë i thirrur nga presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, i cili vetëm tre ditë pas marrjes së mandatit shtroi një darkë informale për liderët e Ballkanit Perëndimor.

‘Berisha, në betejë vetëm me SPAK’/ Mërtiri: Nuk po prodhon politikë, Ramës i intereson të ketë Berishën përballë

I ftuar në programin ‘Real Story’, Ergys Mërtiri u shpreh se në politikën shqiptare SPAK-u është gjëja më e rëndësishme.

Sipas tij, Berisha nuk po prodhon politikë, por e ka betejën me institucionin. Mërtiri vijoi duke thënë se Ramës i intereson të ketë Berishën përballë dhe ka bërë gjithçka ta ketë atë kundërshtar.

“Unë besoj që ajo që është gjëja më e rëndësishme në politikë është SPAK-u. Berisha do kapi pak vota dhe nëse këto vota do të përçahen më pas , sigurisht që Sali Berishës bie cdo lloj alibie. Ai kërkon të kapet që unë jam kreu i opozitës dhe duan të më sulmojnë mua. Duke më sulmuar duan të mbajën Ramën në pushtet. Nëse ai ka pak vota ai nuk rrezaton që është lider i opozitës, atëherë bie alibia e tij përballë SPAK-ut dhe gjithçka bëhet më e lehtë. Berisha po mbrohet politikisht përpara SPAK-ut, po e akuzon SPAK-un si një gjyq politik. Berisha po mban njerëzit besnik rreth vetes, nuk po prodhon politikë. Këtu nuk ka politikë, ka betejë të një partie me një institucion. Nuk është politikë, është mekanizëm mbrojtës. Ai do ta kthejë partinë në gazernë, do mbyllet në një bunker duke u mbrojtur nga gjyqet e mundshme. Akuza për korrupsion do i përkthehet në një çështje hetimore. Rama nga ana tjetër nuk e bën marrëveshjen me Berishën. Ramës i intereson të ketë Berishën përballë dhe ka bërë gjithçka të ketë Berishën përballë.” – u shpreh Mërtiri. / abcnews.al

Skip to toolbar