Serbi/ 11 të arrestuar nga shembja e çatisë në stacionin hekurudhor

Prokurorët në qytetin e Novi Sad në Serbi kanë lëshuar 11 urdhër arreste për të akuzuarit lidhur me ngjarjen e rëndë në stacioni hekurudhor. Në 1 Nëntor, çatia e rinovuar e betonit në stacionin hekurudhor u shemb duke lënë të paktën 14 viktima. Një prej të plagosurve ndërroi jetë të dielën në spital.

Opozita dhe qytetarët protestuan këtë të enjte në ditën e tretë të revoltës së tyre kundër qeverisë duke i akuzuar për korrupsion dhe nepotizma. Emrat e personave të arrestuar nuk u bënë më dije, por vetëm inicialet e tyre, nga të cilat lihej të kuptoj se ishte arrestuar edhe Goran Vesic, ish-ministër i Transportit, Ndërtimit dhe Infrastrukturës. Ky lajm u përgënjeshtrua më pas nga ai vetë përmes një statusi në Facebook.

Pas ngjarjes së rëndë, dhanë dorëheqjen Ministri i Transportit,i Ndërtimit dhe Infrastrukturës, ministri i Tregtisë dhe kreu i Hekurudhave Shtetërore të Serbisë. Nga protestat të cilat vijojnë, kërkohet gjithashtu që ata që janë përgjegjës për katastrofën të përballen me drejtësinë dhe aktivistët e arrestuar në një protestë kundër qeverisë për shkak të katastrofës të lirohen menjëherë. /abcnews.al

Kushtetuesja “lë” në arrest Berishën: Masa e para shtrënguese, procedura ishte Kushtetuese

Kushtetuesja “lë” në arrest Berishën, duke rrëzuar ankimimin për masën “detyrim paraqitje” “Gjykata shqyrtoi në fillim kriteret e legjitimimit dhe arriti në përfundimin se kërkuesi i plotësonte ato me përjashtim të pretendimit për cenimin e gjykatës se paanshme bazuar në argumentin se gjyqtarja e shkallës së parë ishte shkarkuar më parë prej kërkuesit në funksionin e tij si President i Republikës dhe njëherazi edhe kryetar i KLD-së në atë kohë. Në lidhje me këtë pretendim, gjykata vlerësoi se kërkuesi nuk kishte shteruar mjetet juridike në dipozicion, konkretisht nuk i kishte paraqitur ato formalisht gjatë gjykimit të zakonshëm sipas rregullave proceduriale për këtë qëllim. Kërkesa për përjashtim për këtë gjyqtare ishte kërkuar për një shkak të ndryshëm nga ai i mësipërm. Sa i takon themelit të çështjes, duke mbajtur në konsideratë shpjegimet e kërkuesit dhe prapësimet e palëve, Gjykata me shumicë votash, vlerësoi ta shqyrtonte çështjen në drejtim të të drejtave kushtetuese për t’u zgjedhur sipas nenit 45 të Kushtetutës dhe lirisë së lëvizjes sipas nenit 38 të Kushtetutës.”, thuhet në njoftim.

Më tej në vendim nënvizohet: “Në përgjigje të pretendimit të kërkuesit se, bazuar në nenin 73/2 të Kushtetutës, prokuroria duhej të kishte marrë autorizim nga Kuvendi përpara se të kërkonte nga gjykatat caktimin e masave të sigurimit personal “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit”, Gjykata bëri një analizë qëllimore dhe semantike të dispozitës kushtetuese në fjalë.

Në kuadër të kësaj analize, Gjykata iu referua edhe materialeve të procesit legjislativ të cilat i paraprinë amendamentit kushtetues të vitit 2012 kur u miratua neni 73/2 me këtë përmbajtje që ka sot, si edhe precedentit në rastin Tahiri dhe jurisprudencës së Gjykatës së Strasburgut.

Gjykata interpretoi shprehjen “heqje e lirisë në çfarëdolloj forme” bazuar edhe në frymën e amendamentit kushtetues të vitit 2012, i cili synonte reduktim sa më të madh të imunitetit procedural të deputetëve, neni 73/2 duhet të interpretohet ngushtësisht si një avantazh i përkohshëm procedural që e gëzojnë deputetët në funksion të mirëfunksionimit të Kuvendit në tërësinë e tij dhe jo si privilegj i deputetëve si individë. Me këtë frymë, Gjykata, me shumicë votash, arriti në përfundimin se mbrojtja e përkohshme procedurale që neni 73/2 iu garanton deputetëve i referohet vetëm lirisë personale dhe jo lirisë së lëvizjes.

Gjykata e shqyrtoi masën e sigurisë “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, në këndvështrim të të drejtës për t’u zgjedhur sipas nenit 45 të Kushtetutës. Duke iu referuar llojit të detyrimit që vendos masa dhe shpeshtësisë së zbatimit të tij (një herë në dy javë), gjykata njëzëri arriti në përfundimin se ajo nuk prek funksionet legjislative të Kuvendit dhe nuk e pengon deputetin të ushtrojë të drejtat e tij si deputet. Për rrjedhojë gjykata njëzëri arriti në përfundimin se në rastin konkret, kjo masë nuk përbën kufizim të lirisë personale dhe, për pasojë nuk nevojitet autorizimi nga Kuvendi për zbatimin e saj ndaj deputetit.

Gjykata e shqyrtoi masen e sigurimit “ndalim i daljes jashtë vendit” në kuadër të lirisë së levizjes të garantuar nga neni 38 të Kushtetutës, e cila është e ndryshme nga liria personale e garantuar nga neni 27 i Kushtetutës dhe për pasojë kërkuesi në cilësinë e deputetit nuk gëzon mbrojtje të veçantë në këtë aspekt, ndaj Gjykata me shumicë votash vlerësoi se kërkimi i autorizimit të Kuvendit nga Prokuroria për këtë masë nuk ishte i nevojshëm.

Gjykata shqyrtoi pretendimin e kërkuesit në lidhje me paanësinë e gjykatave të posaçme për shkak të parashikimeve të ligjit 95/2016 përkatësisht nenet 48-51, të cilat parashikojnë kontrollin periodik të llogarive të tyre bankare dhe të telekomunikimeve vetjake të gjyqtarëve, familjarëve të tyre nga hetuesit e BKH, e cila sipas kërkuesit varet nga Prokuroria e Posaçme SPAK. Gjykata me shumicë votash vendosi që pretendimi i kërkuesit është i pabazuar për arsyet e mëposhtëme: autorizimi për regjimin e kontrollit periodik është i parashikuar në Kushtetutë dhe si i tillë nuk mund të bëhet objekt i kontrollit kushtetues; Ligji përmban garanci të mjaftueshme për të siguruar pavarësinë e gjyqtarëve në mënyrën se si realizohet kontrolli pasi rezultatet e kontrollit eventual të kryer nga BKH janë objekt vlerësimi nga gjykata ne rastet e procedimit penal dhe nga KLGJ në rastet disiplinore; Ligji përmban një tërësi garancish të cilat sigurojnë pavarësin e tyre në ushtrim të funksionit për shkak të statusit të posaçëm të këtyre gjyqtarëve çka përfshin emërimin, pagën, karrieren, trajtimin e posaçëm dhe mënyrën e shkarkimit. Gjykata shqyrtoi edhe pretendimet e kërkuesit për procesin e rregullt në drejtim të mbrojtjes efektive, dhe me shumicë votash vlerësoi se ai është i pabazuar pasi siç kanë arsyetuar gjykatat e zakonshme kërkuesit i është dhënë mundësia e mbrojtjes në përputhje me garancitë proceduriale të parashikuara nga ligji.

Më tej, Gjykata shqyrtoi secilën masë sigurimi në këndvështrim të parimit të proporcionalitetit të lidhur me standardin e arsyetimit. Gjykata me shumicë votash, vlerësoi duke iu referuar arsyetimit të gjykatave të zakonshme se masa e dhënë ndaj kërkuesit “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” është propocionale në drejtim të domosdoshmërisë, përshtatshmërisë dhe ashpërsisë.

Ne lidhje me masen tjeter, Gjykata vendosi pranimin e pjesshëm të kërkesës duke shfuqizuar vendimet gjyqesore objekt te shqyrtimit kushtetues, vetem për pjesën qe kane caktuar masën “ndalim i daljes jashtë shtetit” ndaj kerkuesit Sali Berisha per shkak të cenimit të parimit të proporcionalitetit, në aspektin e domosdoshmërisë se kesaj mase, ne kushtet kur qellimet e saj permbushen nga masa tjeter e dhene ndaj kerkuesit “detyrim per t’u paraqitur ne policine gjyqesore”.

Gjykata e Hagës lëshoi urdhërarrest/ Benjamin Netanyahu reagon ashpër: Nuk do të përkulemi para presionit

Në përgjigjen e parë ndaj Gjykatës Ndërkombëtare Penale, e cila lëshoi një urdhër për arrestimin e tij me akuza për krime lufte, zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu e përshkroi vendimin si “gënjeshtra absurde” dhe tha se vendimi ishte “anti-semitik”.

Zyra e liderit izraelit thotë se kundërshton kategorikisht pretendimet e bëra kundër kryeministrit izraelit. Zyra e Netanyahut tha se vendi “nuk do të përkulet para presionit, nuk do të pengohet dhe nuk do të tërhiqet” derisa, tha, të arrihen të gjitha qëllimet e luftës të Izraelit. Gjithashtu edhe ish-ministri i Mbrojtjes, Yoav Gallant mori gjithashtu një urdhër arresti, raporton aljazeera.

Trupi gjykues, i përbërë prej tre anëtarësh, në vendimin unanim për dhënien e urdhrit thotë se “paneli zbuloi se ka arsye të arsyeshme për të besuar se të dy individët me dashje dhe me vetëdije privuan popullsinë civile të Gazës nga sendet e nevojshme për mbijetesën e tyre, duke përfshirë ushqimin, ujin dhe ilaçet dhe furnizimet mjekësore, si dhe karburantin dhe energjinë elektrike”.

Në tetor të vitit 2023, dy ditë pas një sulmi të befasishëm nga Hamasi në Izraelin jugor që vrau rreth 1200 njerëz dhe çoi në kapjen dhe marrjen peng të rreth 250 njerëzve, Gallant tha “kam urdhëruar një rrethim të plotë të Rripit të Gazës. Nuk do të ketë energji elektrike, ushqim, ujë, karburant, gjithçka është e mbyllur. Ne po luftojmë kafshët njerëzore dhe po veprojmë në përputhje me rrethanat”.

Hamasi dhe grupet e tjera në Gaza ende besohet se mbajnë peng e rreth 100 personave, të paktën disa prej të cilëve janë vrarë.

Autoritetet në Gaza, të udhëhequra nga Hamasi, thanë se numri i të vdekurve në fushatën ushtarake 13-mujore të Izraelit ishte më shumë se 40 mijë njerëz, megjithëse nuk ishte e mundur që gazetarët të verifikonin numrin e të vdekurve.

Të shtëna me armë në Prishtinë, dy të plagosur

PRISHTINË- Të paktën dy persona janë plagosur të enjten me armë zjarri në Prishtinë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:00 në rrugën “Mon Balaj” në kryeqytetin e Kosovës, ka konfirmuar Policia.

Të plagosurit janë dërguar në Qendrën Klinike Universitare,.

“Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para është bërë e ditur se dy persona kanë marrë lëndime dhe të njëjtit janë dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor”, ka thënë zëdhënësi i Policisë, Agron Borovci.

Grupi hetimor ka nisur punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. Aktualisht nuk dihen ende shkaqet e plagosjes së dyfishtë.

Ambasadorja amerikane paralajmëron zgjerimin e listës së zezë në Maqedoninë e Veriut

Ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Ageler paralajmëroi më 21 nëntor për zgjerimin e “listës së zezë” edhe me persona të tjetër të dyshuar për krim dhe korrupsion në Maqedoninë e Veriut.

Gjatë një deklarate për media pas hapjes së Konferencës së parë për luftën kundër korrupsionit në Ballkanin Perëndimor – organizuar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shkup në bashkëpunim me Byronë për Narkotikët Ndërkombëtarë dhe Zbatimin e Ligjit – Angeler theksoi se lista “është dinamike dhe gjithmonë ka emra që rishikohen dhe diskutohen”.

Ajo nuk specifikoi emra apo afate për përfshirjen e tyre në listë, duke theksuar se kjo është një çështje që vendoset nga Uashingtoni.

“Nuk kam afat kohor sepse është vendimi i Uashingtonit, por mund t’iu sigurojë që deri sa flasim ka një numër të emrave që merren në konsideratë, dhe si gjithmonë ne shohim që të shtojmë emra të rinj”, tha Ageler.

Shqipëria, zyrtarisht në SEPA/ Pjesë e zonës së pagesave në euro, Rama: Hap pranë BE

TIRANË- Shqipëria këtë të enjte është bërë pjesë e sistemit unik europian të pagesave, i njohur si (SEPA).

Kryeministri Edi Rama ka përshëndetur këtë arritje historike, ndërsa thotë se “dërgesat e parave të shqiptarëve nga Europa në Shqipëri apo anasjelltas, nuk do të kenë më kosto financiare duke nisur nga 1 janari 2025”.

Sipas Ramës, ky është një tjetër hap në rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.

“Një tjetër hap i madh në rrugën drejt Shqipërisë 2030 në Bashkimin Europian. Shqipëria u bë sot pjesë e sistemit unik europian të pagesave, që do të thotë se të gjitha dërgesat e parave të shqiptarëve nga Europa në Shqipëri apo anasjelltas, nuk do të kenë më kosto financiare duke nisur nga 1 janari 2025. Miliona e miliona EURO të kursyera nga detyrimet mbi dërgesat, falë rritjes së besimit tek Shqipëria dhe afrimit të mëtejshëm të Shqipërisë drejt majës së anëtarësimit në BE”, shkruan Rama.

Haga lëshon urdhërarrest për Netanjahun dhe ish-ministrin e Mbrojtjes së Izraelit

Gjykata Penale Ndërkombëtare në Hagë ka lëshuar urdhër-arreste për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant, të akuzuar për krime të dyshuara lufte.

Në një deklaratë të mërkurën, gjykata me bazë në Holandë tha se gjeti “baza të arsyeshme” për të besuar se Netanyahu mban përgjegjësi penale për krimet e luftës duke përfshirë “vrasjen nga uria si metodë lufte” dhe “krimet kundër njerëzimit përmes vrasjes, persekutimit dhe të tjera akteve çnjerëzore”.

Me këtë vendim, Haga hodhi poshtë sfidën e Izraelit për juridiksionin e gjykatës mbi këtë çështje.

Një urdhër-arrest është lëshuar gjithashtu për komandantin ushtarak të Hamasit, Mohammed Deif, megjithëse ushtria izraelite ka thënë se ai u vra në një sulm ajror në Gaza në muajin korrik.

Tani do t’i mbetet në dorë 124 vendeve anëtare të Gjykatës Penale Ndërkombëtare, të cilët nuk përfshijnë Izraelin ose aleatin e tyre, Shtetet e Bashkuara, të vendosin nëse do të zbatojnë ose jo vendimin.

Në maj, prokurori i Hagës, Karim Khan, kërkoi lëshimin e urdhër-arrestit për Netanjahun, Gallant, Deif dhe dy liderë të tjerë të Hamasit, të cilët janë vrarë që atëherë, Ismail Haniyeh dhe Yahya Sinwar.

Edhe pse Izraeli beson se Deif është vrarë gjithashtu, Haga pretendon se nuk kanë qenë në gjendje të konfirmojnë vdekjen e tij.

Çështja e prokurorit kundër liderëve të Izraelti dhe Hamas rrjedh nga ngjarjet e 7 tetorit 2023, kur militantë të armatosur të Hamasit sulmuan Izraelin jugor, duke vrarë rreth 1200 njerëz dhe duke marrë 251 pengje në Gaza.

Izraeli iu përgjigj sulmit duke nisur një fushatë ushtarake për të eliminuar Hamasin, gjatë së cilës janë vrarë të paktën 44,000 njerëz në Gaza, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Hamasit. Khan akuzoi liderët e Hamasit për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, duke përfshirë shfarosjen, vrasjen, marrjen e pengjeve, përdhunimin dhe torturën.

Për udhëheqësit izraelitë, akuzat përfshinin sulme të qëllimshme ndaj civilëve dhe përdorimin e urisë si armë lufte, si dhe shfarosje dhe vrasje.

Turku fshehu mijëra euro në kabinën e kamionit, kapet në Kapshticë

Janë sekuestruar mbi 27 mijë euro në pikën kufitare të Kapshticës. Sipas policisë, është proceduar në gjendje të lirë një 50 vjeçar turk. Ky i fundit i kishte fshehur paratë e padeklaruara në kabinën e kamionit.

“Për rastin u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin turk A. D., 50 vjeç, banues në Stamboll. Gjatë kontrollit të shërbimeve të Policisë Kufitare të PKK Kapshticë, në vijën e dytë, në kamionin që drejtohej nga 50-vjeçari, u gjet e fshehur në kabinën e kamionit, një çantë krahu me 27 915 euro dhe 2935 dollatë, të cilat ky shtetas po tentonte t’i nxirrte nga vendi ynë, pa i deklaruar në pikën e kalimit kufitar. Shuma e eurove dhe dollarëve u sekuestrua nga Policia, në cilësinë e provës materiale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe sendeve me vlerë”, thuhet në njoftimin zyrtar.

“Ishte i mbushur me ëndrra dhe jetë, ia morën të dyja!” Nëna e Martinit mesazh në protestë

Nëna e Martinit 14-vjeçar i cili u vra pranë shkollës së tij 3 ditë më parë, ka gjetur kurajon duke dërguar një mesazh në protestën e organizuar pas vrasjes së djalit të saj.

Në mesazhin e saj nëna shpreh pikëllimin për humbjen e djalit të saj të mitur dhe falënderon protestuesit e shqiptarët për mbështetjen në këto momente të vështira.

“Nuk mendoj që ka fjalë që e përshkruan këtë dhimbje që na ka lënë një boshllëk të madh që nuk do të mbushet kurrë. Falënderoj gjithë popullin shqiptar anembanë dhe FSHF, për praninë dhe mbështetjen në këto momente të vështira. Nuk di sa mirënjohëse mund të them që jam për ato që iu gjendën aty Martinit në momentet e tij të fundit. Ju falënderoj nga zemra. Martini ishte i mbushur me ëndrra dhe jetë! Ia morën të dyja. Si nënë që jam uroj nga thellësia e shpirtit që askush mos u sprovoftë me dhimbje të tilla. Respekte Florina dhe Angel Cani”.

Osmani kritikon Kurtin: S’mund të luajmë bixhoz me partnerët, cënohet mbrojtja e Kosovës!

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, gjatë fjalimit të saj në Parlament vuri theksin tek ruajtja e marrëdhënieve me aleatët, me të cilët sidomos gjatë vitit të fundit Kosova, ka kaluar situate jo të mira, sidomos me sanksionet e vendosura nga BE.

“Asnjë popull s’ka arritur t’ia dalë vetëm dhe asnjë shtet s’ka sukses i izoluar – forcimi i aleancave është i paçmueshëm, kurse dobësimi i aleancave është gabim strategjik. Aleanca me ata që na kanë ndihmuar ta kemi shtetin nuk është nënshtrim e as shantazh. Unë besoj që forca jonë më e madhe qëndron në partneritetet”, tha Osmani.

Tonet kritike të Osmanit iu adresuan qeverisë së Albin Kurtit me të cilin ajo do të vijojë aleancën për zgjedhjet e muajit shkurt të vitit të ardhshëm. Pozicionimin kundër këshillave të partnerëve ndërkombëtarë, ajo e cilësoi një lojë bixhozi.

“Aleancat janë këtu për të na mbrojtur. Prandaj vënia në rrezik e tyre, luajtja bixhoz me to apo cenimi i tyre, cenon vetë mbrojtjen e Republikës sonë. Shihni deklarimet e liderëve të superfuqive botërore.

Do të shihni qindra deklarata e fjalime se si çdo sfidë angazhohen ta kapërcejnë bashkë me aleatët sepse nuk mund t’ia dalin të vetëm. Prandaj asnjëherë nuk i kam kuptuar e as mirëkuptuar talljet që bëhen në llogari të aleatëve, as sulmet ndaj tyre, as keqpërdorimin e emrit të tyre për të fituar pushtet. Kjo nuk i bën nder Kosovës”, vijoi Osmani.

Osmani tha se rrezikimi dhe cenimi i marrëdhënieve me shtetet aleate cenon vetë Kosovën dhe është gabim strategjik.

“Të punosh me ata që na kanë ndihmuar ta kemi lirinë e shtetit, asnjëherë nuk është nënshtrim e as shantazhim. Besoj fuqishëm se forca jonë më e madhe qëndron pikërisht në aleancat tona”, tha Osmani të enjten në Kuvendin e Kosovës.

Duke folur në një seancë të bojkotuar nga dy prej tri partive më të mëdha opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmëninë e Kosovës, presidentja e vendit tha se “aleanca e Kosovës me vendet e tjera është më e madhe dhe më e rëndësishme se cilido prej nesh si politikan”.

Ajo bëri thirrje që Kosova t’i ruajë aleancat e saj, sepse ato, sipas saj, janë “gur themel i sukseseve tona dhe investim në të ardhmen tonë, ku Kosova do të jetë anëtare e barabartë në komitetin euroatlantik të kombeve të lira”.

Qeveria e Albin Kurtit mori kritika të vazhdueshme nga aleatët, këtë vit aq sa Shtetet e Bashkuara dhe BE deklaruan me zyrtarët e tyre se veprimet e njëanshme të qeverisë Kurti kanë ndikuar në cilësinë e marrëdhënieve më Kosovën. Gjatë këtij viti, Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë një sërë hapash për ta shtrirë autoritetin në veriun e banuar me shumicë serbe, duke mbyllur institucionet paralele serbe.

Skip to toolbar