Përfiton vetëm disa orë/ Transferohet drejt paraburgimit autori i vrasjes së Martin Canit

Transferohet në burgun e të miturve autori i vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani. Autori M.P., gjithashtu 14 vjeç ndodhej në një spital privat prej ditës së ngjarjes, teksa sot u transferua në burgun e të miturve.

Më herët u raportua se zyrtarët e burgjeve kanë njoftuar sot policinë, pasi mjeku i spitalit privat ku po merrte ndihmën mjekësore autori, nuk pranonte të plotësonte epikrizën.

Autori, ishte shtruar në një spital privat që në momentin pas krimit, pasi në monetin kur ka sulmuar Martin Canin, është dëmtuar edhe vetë me thikë.

Ndaj 14-vjeçarit është vendosur masa e sigurisë “Arrest me burg”, masë e cila iu komunikua në ambientet e spitalit.

Zbardhet atentati ndaj Ardian Çapjas, urdhri u dha nga Suel Çela! Kush është snajperisti

Është zbardhur atentati ndaj Ardian Çapjas, ngjarje e ndodhur në Elbasan më 8 Qershor 2020. Mësohet se urdhri për ekzekutimin e tij është dhënë nga Suel Çela, raporton gazetarja Klodiana Lala.

Sipas burimeve, ndaj Ardian Çapja ka qëlluar snajperisti nga Shkodra, Prekë Kodra, i cili është në mesin e 21 personave ndaj të cilëve SPAK ka lëshuar urdhër arresti.

“Gjatë hetimit të këtij procedimi penal nr.193/2023 janë dokumentuar faktet penale si më poshtë: Vrasje e mbetur në tentativë me snajper në dëm të shtetasit, A.Ç., në datën 08.06.2020 në qytetin e Elbasanit”, njoftoi Prokuroria e Posaçme.

Atentati ndaj Ardjan Çapjas

Ardian Çapja u qëllua me snajper më 8 Qershor 2020 dhe mori një plumb poshtë supit. Ngjarja ka ndodhur në lagjen e quajtur Kraste.

Ai u dërgua në spitalin e Traumës ku iu nënshtrua një operacioni. Ky ishte atentati i tretë ndaj tij. Atentati i parë i është bërë në janar të 2016. Ndërsa atentati i dytë i është bërë në dhjetor të 2017.

Autorët e qëlluan me kallashnikov, Çapjan pasi e kanë mbajtur survejim prej disa ditësh. Por ata dështuan në planin për atentatin pasi u diktuan në kohë nga shënjestra.

SPAK: Goditëm trafikun e kokainës që drejtohej nga Suel Çela! Ja rolet e personave të përfshirë

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka njoftuar zyrtarisht operacionin e të hënës në Elbasan për goditjen e një grupi kriminal.

SPAK thotë se ka goditur organizatën kriminale nga Elbasani të trafikut ndërkombëtar të kokainës që drejtohej nga Suel Çela, personazh i shumëpërfolur në qytetin e Elbasanit dhe që është në arrati.

Kjo organizatë, sipas SPAK, ishte e përfshirë në trafikun e kokainës nga Amerika Latine drejt Gjermanisë, Britanisë, Italisë, Belgjikës dhe Holandës.

Krahas trafikut të kokainës, organizata kriminale kishte synim kryesor edhe vrasjen e anëtarëve të një grupi tjetër kriminal që vepronte në Elbasan, thotë SPAK.

Prokuroria e Posaçme ka lëshuar 21 masa sigurie ndaj anëtarëve të kësaj organizate, mes të cilëve një ish-gjyqtare, një ish-zyrtar i lartë policie, 1 avokat dhe 2 gazetarë. Këta të fundit janë me masë detyrim paraqitje, avokati arrest në shtëpi, ndërsa 18 të tjerë në arrest në burg.

Veprat penale të dyshuara:

“Vrasje me paramendim”, e mbetur në tentativë, në dëm të A.Ç, ngjarje e ndodhur në datën 08.06.2020;

“Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje në dëm të E. K. dhe B.M.

“Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të organizatës kriminale, “Organizata kriminale” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

“Trafikimi i narkotikëve”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal”.

“Grup i strukturuar kriminal”.

“Korrupsion aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”.

“Korrupsion aktiv në sektorin privat”, i kryer në bashkëpunim.

“Shpërdorim detyre”.

“Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” .

Njoftimi zyrtar i SPAK:

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në bashkëpunim me Eurojust, Europol, autoritetet e drejtësisë së Francës, Belgjikës, Holandës dhe Ekuadorit ka dokumentuar dhe ndjekur penalisht një organizatë të mirëstrukturuar kriminale në trafikun ndërkombëtar të kokainës, me bazë në qytetin e Elbasanit dhe me shtrirje në vendet e Bashkimit Europian dhe Amerikës Latine. Ky hetim i bazuar në  komunikimet e koduara  SKY/ECC dhe në veprimet të tjera hetimore vijon edhe për dokumentimin e veprimtarisë kriminale për persona të tjerë.

Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkalles së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka caktuar masat e sigurisë për 21 persona:

  • Arrest me burg për 18 individë, duke përfshirë drejtuesit e grupit, një ish-zyrtar i lartë policie dhe një ish-gjyqtar.
  • Arrest në shtëpi për 1 avokat.
  • Detyrim paraqitjeje për 2 gazetarë.

Struktura e Organizatës 

Kjo organizatë kriminale, në fokusin e saj kishte kontrollin e territorit, kryesisht në Shqipërinë e Mesme, duke përdorur mekanizma të ndryshëm si dhe dhunë të vazhdueshme ndaj grupeve rivale kriminale.

Organizata kriminale që drejtohej nga Suel Çela me qëllim kontrollin e territorit  kishte si synim kryesor eleminimin fizik të anëtarëve të një grupi tjetër të strukturuar kriminal i cili vepronte po në qytetin e Elbasanit dhe që konsiderohej si kundërshtar i organizatës kriminale që drejtohej nga Suel Çela.

I gjithë aktivitetit financohej nga paratë që përfitoheshin nga aktiviteti kriminal i trafikimit të lëndëve narkotike nga Amerika Latine drejt vendeve si; Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Italia, Belgjika dhe Holanda.

Gjatë hetimit të këtij procedimi penal nr.193/2023 janë dokumentuar faktet penale si më poshtë:

  1. Vrasje e mbetur në tentativë me snajper në dëm të shtetasit, A.Ç., në datën 08.06.2020 në qytetin e Elbasanit
  2. Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjes në dëm të shtetasit B.M, mars 2020;
  3. Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjes në dëm të shtetasit E.K, në vitin 2020.
  4. Tentativa për trafikimin e afërsisht 930 kg të lëndës narkotike, lloji kokainë nga Ekuadori në Europë, në dhjetor 2020.
  5. Tentativa për trafikimin e 466 kg të lëndës narkotike, lloji kokainë nga Ekuadori në Holandë, në janar 2021.
  6. Ushtrimi i ndikimit përmes akteve korruptive në segmente të caktuara të sistemit të drejtësisë, policisë së shtetit dhe medias.

Shtetasi M.L. (alias S.Ç.) është identifikuar si drejtuesi i organizatës, përgjegjës për menaxhimin dhe koordinimin e aktiviteteve kriminale, përfshirë vrasjet, trafikimin ndërkombëtar të drogës, kryerjen e veprimeve korruptive dhe organizimin e skemave të pastrimit të parave. Ndërkohë disa nga anëtarët me role kyçe si;  M.Ç., A.V., B.SH, K.M., Xh.R.etj ishin pjesë operative e organizatës, të angazhuar në planifikimin dhe ekzekutimin e veprave të rënda penale, përfshirë vrasje me paramendim dhe trafikun e narkotikëve.

Roli i personave të tjerë

Organizata kishte arritur të korruptonte funksionarë të policisë së shtetit (D.GJ.) dhe të sistemit gjyqësor (P.F.) të cilët duke shfrytëzuar pozicionin e tyre zyrtar e ndihmonin organizatën me informacione, duke ofruar gjithashtu lehtësira dhe ndikime në sistemin gjyqësor në këmbim të favoreve dhe përfitimeve materiale. Organizata kriminale kishte aftësi që të ndikonte dhe të korruptonte përfaqësues të sistemit të drejtësisë me qëllim që këta të fundit të lehtësonin pozitën e drejtuesit S.Ç. dhe anëtarëve të tjerë të organizatës në proceset penale në ngarkim të tyre. Për t’u theksuar është aftësia e organizatës që të ndikojë tek trupa gjyqësore me qëllim që të rëndohej pozita apo masa e dënimit që do te jepej në ngarkim të anëtarëve të grupit kriminal që konsideroheshin si kundërshtarë të tyre.

M.L ka synuar të manipulojë perceptimin publik, duke i paraqitur rivalët e tij si të paprekshëm për shkak të lidhjeve të dyshuara që ata mund të kenë me politikën. Trysnia për hetime pasurore në kuadër të OFL-së dhe nxitja e mediave për të marrë dëshmi nga individë që mund të inkriminojnë rivalët e tij do të krijonin, sipas tij, në opinionin publik perceptimin se këta rivalë, për shkak të lidhjeve të dyshuara politike, janë bërë “të paprekshëm”. Kjo strategji, e cila përfshin manipulimin e informacionit dhe ndikimin në opinionin publik, jo vetëm që do të rriste pozitat e tij, dhe në të njëjten kohë do të dëmtonte interesat e rivalëve.

Dyshohet se këto synime i ka realizuar përmes bashkëpunimit me gazetarët A.H. dhe E.Q, të cilët kundrejt përfitimeve monetare të paligjshme kanë mbajtur qëndrime në media, si dhe kanë publikuar artikuj dhe video që keqinformonin dhe manipulonin opinionin publik.

Rrjeti i trafikut ndërkombëtar të kokainës

Organizata ka zbatuar një skemë komplekse të mbyllur të trafikut të kokainës nga Amerika Latine drejt vendeve të Europës duke bashkuar me grupe të ndryshme kriminale me lidhje të forta në Amerikën Latine. Organizata e porosiste lëndën narkotike nga grupe të strukturuara kriminale shqiptare të lidhur me grupe kriminale vendase në Amerikën Latinen.

Më pas, sasia e lëndës narkotike transportohej e fshehur në produkte të ligjshme dhe tranzitohej në disa porte europiane me destinacion shtetet si; Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Italia, Belgjika dhe Holanda, nga ku nxirrej, trafikohej dhe shitej me shumicë nga anëtarët e organizatës drejt tregun europian i narkotikëve. Pjesa më e madhe e ngarkesave lëvizte me kontejnerë në porte të mëdha si Antverp,  Roterdam etj., të cilët shpesh shërbenin si pika kyçe për trafikun e saj në tregun evropian. Gjithashtu ka pasur tentativa për të kryer transport të lëndëve narkotike përmes aeroporteve të Belgjikës dhe Holandës.

Një pjesë e të ardhurave nga ky aktivitet kriminal investohej:

a. Në blerjen e lëndës narkotike

b. Në gjendje cash-i në Shqipëri

c. Në biznese në dukje të rregullt

d. Për të mbështetur infrastrukturën operative të organizatës dhe blerje influence në segmente të veçanta të sistemit të drejtësisë, policisë, medias dhe biznesit

Për këtë operacion falenderojmë Europol, Eurojust, autoritetet e drejtësisë dhe ato ligjzbatuese të; Francës, Holandës, Belgjikës dhe autoritetet italiane (Ufficio del’ Esperto per la Sicurezza a Tirana, Squadra Mobile di Milano).

Sqarim: Gjithkush prezumohet i pafajshëm derisa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim të formës së prerë.

Shënim për gazetarët:

Masat e sigurimit janë dhënë për personat e mëposhtëm:

  1. M.L alias S.Ç –  36 vjeç, banues në Elbasan
  2. M.Ç – 35 vjeç, banues në Elbasan
  3. XH.R – 33 vjeç, banues në Tiranë
  4. K.M alias K.Ç alias K.Ç – 37, banues në Elbasan
  5. S.H – 30 vjeç, banues në Elbasan
  6. B.H – 34 vjeç, banues në Elbasan
  7. L.Z – 33 vjeç, banues në Elbasan
  8. M.R – 37 vjeç, banues në Tiranë
  9. A.Xh, alias E.C, A.C –  39 vjeç, banues në Tiranë
  10. P. K. – 48 vjeç, banues në Malësinë e Madhe
  11. F.V –  48 vjeç, banues në Elbasan
  12. M.M – 27 vjeç, banues në Elbasan
  13. R.H – 35 vjeç, banues në Elbasan
  14. S.S – 34 vjeç, banues në Tiranë
  15. A.H – 50 vjeç, banues në Tiranë
  16. E.Q – 39 vjeç, banues në Tiranë
  17. P.F – 65 vjeç, banues në Elbasan
  18. D.Gj – 48 vjeç, banues në Tiranë
  19. M.Sh, alias B.Sh – 51 vjeç, banues në Tiranë
  20. H.L alias H.X alias H.S – 40 vjeç, banues në Tiranë
  21. B.B –  39 vjeç, banues në Elbasan

Veprat penale të dyshuara:

  1. “Vrasje me paramendim”, e mbetur në tentativë, në dëm të A.Ç, ngjarje e ndodhur në datën 08.06.2020;
  2. “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje në dëm të E. K. dhe B.M.
  3. “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të organizatës kriminale, “Organizata kriminale” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
  4. “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal”.
  5. “Grup i strukturuar kriminal”.
  6. “Korrupsion aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”.
  7. “Korrupsion aktiv në sektorin privat”, i kryer në bashkëpunim.
  8. “Shpërdorim detyre”.
  9. “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” .

Pesë vjet nga tërmeti shkatërrimtar, kryebashkiakja e Durrësit: Rindërtimi të mbyllet në janar

Pesë vite nga tërmeti shkatërrimtar që goditi Shqipërinë, më 26 nëntor 2019, kryetarja e Bashkisë së Durrësit, një prej zonave më të prekura, tha se objektivi është që procesi i rindërtimit të mbyllet brenda dhjetorit, ose janarit të vitit të ardhshëm.

“Sigurisht që kemi objektivin e dorëzimit të apartamenteve në lagjen e re. Aty ka ende disa punime për infrastrukturën, lidhjen me rrjetet e energjisë elektrike dhe ujësjellës-kanalizime, të cilat janë drejt fundit. Do të qëndrojmë te ky objektiv. Besojmë se dhjetori dhe janari do të jenë muajt për të bërë dorëzimin e banesave”, tha Sako në një prononcim për mediat.

“Normalisht, ne kujtojmë me dhimbje ata që kanë humbur jetën në tragjedinë që goditi qytetin e Durrësit dhe qytetet e tjera. Është bërë një punë e madhe gjatë kësaj kohe për rikuperimin. Praktikisht kemi ndërtuar një qytet të ri brenda qytetit. Kemi një bilanc shumë të mirë me shkollat e reja të rindërtuara, të cilat do të mbeten për dekada për nxënësit, mësuesit dhe qytetarët e Durrësit. Për sa i përket ndërtimit të banesave, familje janë sot në banesat e reja të ndërtuara dhe jemi duke përfunduar lagjen e re të rindërtimit, e cila do të mundësojë finalizimin e procesit dhe përfundimin e dorëzimit të shtëpive për personat që humbën banesat”.

“Aty ku nuk ka këmbë ushtari”, Rama zbulon planin për pronat e Ushtrisë: Do të kthehen në…

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka njoftuar se Ministria e Mbrojtjes ka në plan të krijojë një departament të veçantë, i cili do të merret me administrimin e pronave të ushtrisë e për t’i kthyer ato në burim të ardhurash për zonën dhe Ministrinë e Mbrojtjes.

Këtë Rama e theksoi gjatë një prezantimi në Bulqizë, ku paraqiti projektin për Parkun Tematik Retro, “Divizioni” një model inovativ i zhvillimit të turizmit që do të transformojë një zonë të degraduar dikur ushtarake, në një destinacion të ri për turistët, u shpreh se shteti nuk do të heqë dorë nga pronësia e këtyre pronave.

“Po hyjmë në një fazë të re të administrimit të pronave të Ushtrisë”, vuri në dukje Rama gjatë takimit. Ministria e Mbrojtjes po ngre një departament të veçantë të administrimit të tyre pa hequr dorë nga pronësia e shtetit, duke krijuar hapësira për partneritete të natyrave të ndryshme e duke i kthyer në çfarëdolloj rruge sipas projekteve këto asete të mbetura që vijojnë herë-herë të trajtohen si vendndodhje ushtarake ku nuk ka këmbë ushtari, në burim të ardhurash për zonën dhe Ministrinë e Mbrojtjes”.

I mori jetën Martin Canit, mjeku i spitalit nuk plotëson epikrizën e autorit, “Burgjet” njoftojnë policinë

Vendoset sot në lidhje me transferimin nga spitali të 14-vjeçarit i cili i mori jetën Martin Canit.

Zyrtarët e burgjeve kanë njoftuar policinë, pasi mjeku i spitalit privat ku po merr ndihmën mjekësore autori, nuk pranon të plotësojë epikrizën.

Autori, është shtruar në një spital privat që në momentin e ndodhjes së krimit, pasi në monetin kur ka sulmuar Martin Canin, është dëmtuar edhe vetë me armën e krimit (thikë).

Kujtojmë se ndaj 14-vjeçarit është vendosur masa e sigurisë “Arrest me burg”, masë e cila iu komunikua në abjentet e spitalit

Detaje të reja nga masakra e Dobraçit, arrestohet autori që vodhi “Range Rover”-in

Detaje të reja janë zbuluar nga masakra me 4 viktima në Dobraç të Shkodrës, ngjarje e ndodhur më 30 tetor të këtij viti, ku u vranë Hamza Lici, Arlind Bushati, dhe çifti i bashkëshortëve, Bashkim e Flutura Basha, të cilët po kalonin rastësisht me motor.

Mesohet se dy javë më parë policia ka arrestuar personin që kishte vjedhur makinën tip Range Rover që u përdor nga autorët e krimit dhe u dogj pas vrasjes.

Arrestimi i tij është bërë në Shkodër dhe është mbajtur i fshehtë nga grupi hetimor, pasi mund t’i ndihmojë ata në zbardhjen e vrasjes. Mjeti rezultoi të ishte vjedhur në Durrës, dhe ishte denoncuar nga pronarët më 17 prill të këtij viti.

Autori i vjedhjes së makinës është marrë disa herë në pyetje për të treguar nëse ka dijeni për rrethanat e vrasjes në Dobraç, por në asnjë moment nuk ka pranuar të japë deklarime.

Dëshmija e tij konsiderohet kyçe për policinë e Shkodrës dhe prokurorët e SPAK që po hetojnë çështjen, me dyshimet se vrasja është kryer nga një grup kriminal, shkruan A2.

Pak ditë më parë, me dyshimin se nuk kishin kryer detyrën siç duhej, u arrestuan 4 efektivë të Shqiponjave për shpërdorim detyre. Ata akuzoheshin se nuk kishin siguruar siç duhej ve din e ngjarjes dhe kishin lejuar të largohej prej andej një person i tretë, për të cilin dyshohet të ishte Ibrahim Lici, një personazh i kërkuar për vrasje.

Parku Tematik në Bulqizë, Rama: Transformon territorin, destinacion i ri turistik

Një plan i ri i quajtur “Divizion” synon t’i japë tjetër dimension Bulqizës. Një territor prej 10 hektarësh në Bulqizë, një zonë e degraduar dikur ushtarake, do të investohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe që pritet të shndërrohet në një destinacion turistik.

Projekti i quajtur Parku Tematik Retro u prezantua nga Kryeministri Edi Rama dhe zv/Kryeministrja Belinda Balluku.

Kreu i qeverisë tha se ky projekt do të rrisë ekonominë e zonës dhe do të transformojë territorin përmes një game të gjerë aktivitetesh, përfshirë edhe hoteleri.

“Projekti është shumë i vecçntë në llojin e vetë sepse jo vetëm do bëjë transformimin e një territori që deri në fillim të viteve 2000 i ka përkitur ushtrisë shqiptare, dhe që sot është një shëmbëlltyrë e degradimit, por do të krijojë një destinacion turistik të një lloji të veçantë ku Fondi i Zhvillimit jo vetëm do ndërtojë gjithë këtë infrastrukturë nga një sipërfaqe 10 hektarë, por edhe do krijojë kushtet për të mikëpritur në këtë infrastrukturë artizanët e zonës, gra të cilat sot janë shembëlltyra të përpjekjes për të jetuar më punë të ndershme përmes kultivimit të traditës ushqimore të kësaj zone, të traditës artizanale të kësaj zone jo vetëm sa i përket përgatitjes së produkteve karakteristike të zonës, por edhe të produkteve që janë kaq të rëndësishme për të ruajtur traditën por edhe promovuar turizmin. Do mikëpresë po ashtu edhe ata të cilët kultivojnë apo përpunojnë produkte qoftë fermerët e tokave të punuara të zonës, qoftë edhe grumbulluesit dhe përpunuesit e bimëve medicinale, do të mikëpresë po ashtu familjet, më të rinjtë, gjyshërit dhe fëmijët. Dhe patjetër duke pasur dhe një strukturë hoteliere që Fondi Shqiptar i Zhvillimit do ta menaxhojë së bashku me gratë e zonës do mikëpresë udhëtarët vendas që kalojnë përmes kësaj zone apo dhe turistë të huaj që ne shohim me shumë kënaqësi po rriten në mënyrë befasuese në numër vit pas viti në këtë qark ku deri dje kur flisje për turizëm të shikonin shtrembër sikur po talleshe. Sot mund të flasësh për turizëm dhe askush nuk çuditet më”.

Rruga e Arbrit do të shkurtojë ndjeshëm distancën drejt Bulqizës dhe për familjet e kryeqytetit për të kaluar fundjavën në këtë zonë.

“Rruga e Arbrit që në njëfarë mënyre pati dhe një marrje mësysh me tunelin e Murrizit, por nga marrja mësysh rruga do të dalë shumë më e fortë sepse ai tunel që na shfaqi gjithë pengesa gjeologjike po shkon drejt përfundimit, i ka dhënë gjithë zonës kjo rrugë mundësinë që tanimë jo thjesht ta ëndërrojnë por përjetojë të qenit jastëk i gjelbër i metropolit. Me përfundimin e tunelit dhe me çlirimin e të gjithë segmentit lidhës mes Tiranës dhe Dibrës, Dibra nuk është asgjë më shumë dhe më pak se sa periferia e gjelbër e kryeqytetit të Shqipërisë. Të gjithë po e shohin se si Dibra po bëhet vendi ku nuk është më absolutisht një aventurë, është një investim i arsyeshëm të vendosësh kursimet për agroturizmin, për turizmin, për prodhimin, agropërpunimin sepse gjithmonë e më shumë Dibra do jetë referencë jo vetëm për turistët e huaj por dhe banorët e kryeqytetit”.

Kryeministri theksoi se ky park i ri do të jetë rreth 35 minuta larg nga Tirana dhe pritet të përfundojë pas rreth 2 vitesh.

“Ky Park Tematik që po nisim të ndërtojmë do jetë shumë afër Tiranës, 35 minuta, dhe do jetë një nga zgjedhjet e fundjavës për shumë familje në Tiranë për të ardhur këtu, për të sjellë fëmijët këtu. Në këtë park do të ketë shumë mundësi origjinale për fëmijët për t’u argëtuar në mes të natyrës. Ky park do jetë motor i ri ekonomie për Bulqizën. Prej vitesh nuk dëgjojmë më për vdekje nga pasiguria totale në punë. Nuk dëgjojmë më për skllavërim të imponuar nga varfëria të fëmijëve të vegjël për mbledhjen e kromit. Edhe në miniera është vendosur një standard i ri dhe nga puna në miniera ata që vazhdojnë të kalojnë ditët e punës nën tokë pagat janë ku e ku më të larta se sa lëmoshat e deri djeshme. Ka ardhur koha që ky identifikim i Bulqizës me vetëm minierat, me vetëm kromin, do të diversifikohet në identifikim edhe me mrekullitë e natyrës rreth e rrotull, përtej perimetrit të ngushtë të një qyteti të ndërtuar enkas për të mbështetur industrinë minerare të kohës së komunizmit. Në një hark rreth 2 vitesh këtu do të jetë një destinacion ku do të hyjnë e do të dalin me mijëra vetë në muaj të cilët do të ndalojnë kalimthi dhe do lënë këtu para apo do qëndrojnë për të shfrytëzuar hotelerinë dhe eksploruar rreth e rrotull”, theksoi Kryeministri Edi Rama.

Vritet shqiptari në Itali, plagoset vëllai i tij! Policia arreston dy autorët me origjinë maqedonase

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në mesnatë në Itali. Në Marghera është vrarë një 40-vjeçar shqiptar dhe është plagosur vëllai i tij, gjatë një sherri të ndodhur në afërsi të stacionit të Mestres.

Policia italiane, e cila ndërhyri me shpejtësi në vendngjarje, arrestoi dy persona të dyshuar si të përfshirë në këtë vrasje.

Bëhet fjalë për dy persona me origjinë maqedonase, të cilët pritet të merren në pyetje.

Skip to toolbar