Autoritetet e reja të Sirisë nisën një ofensivë të enjten kundër milicive të Presidentit të rrëzuar Bashar al-Assad, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve SANA.
Sipas njoftimit, operacioni ishte përqendruar në provincën perëndimore Tartous dhe se disa anëtarë të milicisë ishin vrarë. Operacioni po zhvillohet një ditë pasi luftëtarët pro-Assadit vranë 14 anëtarë të grupit rebel që e largoi atë nga pushteti.
Ministri i ri i Brendshëm i Sirisë shkroi në aplikacionin për shpërndarjen e mesazheve ‘Telegram’ se 10 persona të tjerë u plagosën në atë që ai e quajti një “pritë”. Ministri u zotua të godasë këdo që minon sigurinë e Sirisë.
Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut tha se luftëtarët rebelë u sulmuan ndërsa përpiqeshin të arrestonin një ish-zyrtar nga qeveria e Assad-it, i cili u akuzua për lëshimin e urdhrave të ekzekutimit në burgun famëkeq ‘Saydnaya’. Refugjatët sirianë Shefi i zyrës së OKB-së për refugjatët, Filippo Grandi tha të enjten se mbi 50,000 refugjatë janë kthyer në Siri gjatë tre javëve të fundit, me shkallën e kthimit duke u rritur ngadalë.
“Kushtet materiale brenda Sirisë mbeten të rënda. Më shumë ndihma humanitare dhe rimëkëmbje duhet t’u ofrohet të kthyerve dhe të gjithë atyre që kanë nevojë”, tha zoti Grandi.
Agjencia e OKB-së për refugjatët, UNHCR, tha në fillim të këtij muaji se verifikoi kthimin e 34,000 refugjatëve sirianë gjatë tetë muajve të parë të këtij viti.
Gjatë mbi 13 vjetëve luftë civile rreth 5 milionë vetë u larguan nga vendi, ndërsa 7 milionë të tjerë u zhvendosën brenda Sirisë. Më shumë se gjysma e refugjatëve shkuan në Turqi, ndërsa shumica e të tjerëve u larguan në Liban, Jordani, Irak dhe Egjipt.
Një raport i UNHCR-së në fillim të dhjetorit tha se ndërsa shumë prej refugjatëve janë të interesuar të kthehen në Siri, jo pak prej tyre kanë zgjedhur të presin dhe të vlerësojnë situatën e sigurisë dhe stabilizimin politik./voa