Avokati i Geron Xhafës ka rrëfyer në real Story të Sokol Ballës edhe disa nga veprimet, që sipas tij janë krejtësisht të paligjshme, të kryera nga kreu i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj dhe dy drejtorë të SHISH. Duke folur mbi dinamikën e ngjarjes, sesi Babalja u faktorizua, ai ka nxjerrë disa të vërteta, që nuk diheshin më parë, duke shpjeguar sesi Babale kishte shkuar në zyrën e kreut të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, pa u regjistruar as në recepsion dhe jo më të merret një deklaratë e tij, siç e përcakton ligji.
“Pas ngjarjes 24 tetor, është realizuar një përpjekje tjetër me Babalen. Ai ka shkuar në zyrën e kreut të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, është pranuar nga prokurori i krimeve të rënda në gjyq, hyn në zyrë, pa i marrë as kartë identiteti dhe i rrëfen atij, sesi Babalja të nesërmen do të bënte trafik të madh droge. Në raste të tilla prokurori është përballë një të penduari, ka rregulla strikte sesi ai bëhet i infiltruar i prokurorisë, qoftë vëllai i ministrit, apo i kryeministrit që merret me trafik droge dhe bëhet një marrëveshje me Babalen. Minimumi duhet bërë një verifikim, sa herë ka komunikuar, ky person i penduar me personin që denoncon. Por kjo nuk ndodh, ndërsa prokurori urdhëron dy drejtorë të SHISH për të shkuar në Vlorë dhe shkojnë për të bërë vëzhgimin e subjektet që do të bashkëpunonte në trafik droge. Pra edhe shkojnë në Vlorë dhe zero kontakt dhe zero rezultat”, deklaroi Visha.
Sokol Balla: Në atë kohë SHISH drejtohej nga Visho Ajazi Lika, ndërkohë sot e kemi ambasador në NATO. Kjo është e rëndësishme.
Klodiana Lala: Drejtuesi i prokurorisë tha më ka ardhur ky person dhe kam kërkuar ndihmën e zyrtarëve të SHISH, ka deklaruar se nuk më bindi dëshmitari dhe për këtë arsye kam kërkuar ndihmën e zyrtarëve të SHISH për të parë nëse këto pretendime qëndrojnë. Kë keni denoncuar ju në prokurori?
Aridan Visha: Gjithçka, ka një proces të veçantë. Ne kemi kallëzuar gjithkënd që ka sajuar atë që u shit si produkt gjoja i vërtetë me zërin Agron Xhafës. Ne kemi kërkuar që kushdo tjetër është orkestrues apo përdorues të mbajë përgjegjësi penale. Përdorimi i Babales nga krimet e rënda ka qenë e paligjshme. Unë si avokat e kam denoncuar, por nuk e hetojmë ne.