Azerbajxhani njoftoi se do të tërheqë stafin e tij diplomatik nga Irani, pasi akuzoi Teheranin për lëshimin e katër dronëve përtej kufirit drejt enklavës azerbajxhanase të Nakhçivanit.
Sipas autoriteteve në Baku, një nga dronët goditi terminalin e aeroportit, ndërsa një tjetër shpërtheu pranë një shkolle, duke plagosur civilë. Një dron i tretë u rrëzua nga forcat e sigurisë. Incidenti ndodhi në një kohë kur përplasjet në Lindjen e Mesme duket se po përhapen edhe përtej kufirit verior të Iranit.
Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, e dënoi ngjarjen duke e cilësuar si një “akt terrori” dhe kërkoi shpjegime dhe kërkim-falje nga Teherani.
Të premten, ai njoftoi se stafi i ambasadës së Azerbajxhanit në Teheran dhe i konsullatës në Tabriz do të tërhiqet “për arsye sigurie”. Mediat shtetërore raportuan gjithashtu se ushtria është vendosur në gatishmëri maksimale luftarake.
Një ditë më parë, Aliyev përmendi edhe popullsinë etnike azerbajxhanase që jeton në Iran, një çështje shumë e ndjeshme për autoritetet iraniane.
Irani ka mohuar çdo përfshirje në sulmet e së enjtes dhe ka sugjeruar se ato mund të kenë qenë një operacion i rremë i organizuar nga Izraeli.
Azerbajxhani, një vend i vogël por me rëndësi strategjike në rajonin e Detit Kaspik dhe që kufizohet me Rusinë, Iranin, Armeninë dhe Gjeorgjinë, rrezikon të përfshihet gjithnjë e më shumë në një përballje shumë më të gjerë rajonale.
Nakhçivani është një territor i izoluar i Azerbajxhanit që kufizohet me Iranin, Turqinë dhe Armeninë, çka e bën veçanërisht të ekspozuar gjatë periudhave të tensioneve apo konflikteve.
Incidenti me dronë nxiti reagimin më të ashpër publik të Aliyevit ndaj Teheranit që nga marrja e detyrës.
Ai i përshkroi forcat iraniane që qëndrojnë pas sulmit si “të shëmtuara, frikacake dhe të neveritshme”, një gjuhë jashtëzakonisht e drejtpërdrejtë për një kryetar shteti.
Megjithatë, reagimi i tij shkoi përtej fjalëve, kur deklaroi se “Azerbajxhani i pavarur është një vend shprese për azerbajxhanasit që jetojnë në Iran”.
Baku ka shmangur prej kohësh përdorimin e këtij argumenti, për shkak të ndjeshmërisë së lartë që kjo çështje ka për autoritetet në Teheran.
