“Babale”, Alizoti “fundos” Salianjin

AKTUALITET


Fredi Alizoti , një nga të pandehurit për kallëzim të rremë për çështjen “Babalja”,  ka pranuar para gjykatës se ka imituar zërin e Agron Xhafës, vëllait të ish ministrit Fatmir Xhafa, ku e implikonin në një bisedë për trafikun e drogës. Para prokurorisë dhe trupit gjykues, Alizoti pranoi akuzat për kallëzim të rremë dhe tha se ky ishte një plan i thurur së bashku me Albert Veliun që në vitin 2017, pasi ish-deputeti Ervin Salianji do t’i jepte atyre 200 mijë euro.

“Plani ka qenë që në shtator të 2017, por nuk është realizuar pasi Veliu nuk kishte gjetur njerëz të besuar në Vlorë. Më pas më kërkoi mua dhe pranova pasi bëhej fjalë për 200 mijë euro, të cilat ishin premtuar nga Ervin Salianji” tha Alizoti.

Alizotit deklaroi se ish deputeti Salianji i kishte siguruar stilolapsat për përgjim, por nuk i kishte dhënë 200 mijë eurot e premtuara.

Për avokatin Indrit Sefa deklarata e Alizotit ishte e dyshimtë  dhe jo e besueshme pasi ai kishte implikuar në këtë histori njerëz që nuk i njeh dhe as i ka parë ndonjëherë në jetë.

Albert Veliu, Fredi Alizoti dhe ish deputeti Salianji akuzohen për kallëzimi të rremë, ku me anë të një audio përgjimi përfshin vëllanë e ish-ministrit Xhafa, Agron Xhafa në një bisedë për trafik droge. Pas dëshmisë së Alizotit, Gjykata e Tiranës pritet të marrë vendimin për të pandehurit.



Skip to toolbar