Policia e Lezhës ka vënë në pranga dy persona, pasi janë kapur duke transportuar mallra të prodhuara në mënyrë të kundërligjshme dhe për më tepër i kanë ofruar ryshfet punonjësve të Policisë, me qëllim shmangien e kontrollit të automjetit.
Specialistët për hetimin e krimit ekonomik-financiar në Drejtorinë e Policisë Lezhë, mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative se me një mjet po transportoheshin mallra të prodhuara në mënyrë të paligjshme, kanë organizuar punën dhe në Fushë- Milot, Kurbin, kanë bërë ndalimin e mjetit tip “Opel” me drejtues shtetasin B. A., 32 vjeç dhe pasagjer shtetasin B. S., 39 vjeç, të dy banues në Tiranë, të cilët i kanë ofruar 2 kartëmonedha të prerjes 1 000 lekë, me qëllim shmangien e kontrollit të mjetit.
Gjatë kontrollit të mjetit u gjetën dhe sekuestruan një sasi e konsiderueshme pijesh alkoolike të prodhuara në mënyrë të kundërligjshme. Në vijim të veprimeve, Policia ka bërë arrestimin e shtetasve B. A. dhe B. S. Materialet procedurale në ngarkim të tyre iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e ushqimeve dhe lëndëve të tjera të rrezikshme për shëndetin”, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Prodhimi i kundërligjshëm i artikujve dhe mallrave industriale e ushqimorë”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Manipulimi i tregut”.