Balerini i njohur shqiptar, Eno Birko ka tentuar vetëvrasjen duke u hedhur nga kati i katërt i pallatit në kryeqytet.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:00 të mëngjesit të sotëm, në rrugën “Margarita Tutulani”, ku balerini i njohur Eno Birko, i cili për shumë vite ka qenë pjesë e skenës së Teatrit të Operas dhe Baletit, dyshohet se është vetëhedhur nga pallati.
Si pasojë, balerini 50-vjeçari ka marrë dëmtime dhe ndodhet në spital në kujdesin e mjekëve.
“Më datë 03.12.2024, rreth orës 01:00, në rrugën “Margarita Tutulani”, dyshohet se është vetëhedhur nga kati i katërt i pallatit, shtetasi E. B., 50 vjeç. Si pasojë ky shtetas është dëmtuar dhe ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve”, raporton policia.
Balerini ka folur disa herë publikisht lidhur me varësinë e tij ndaj alkoolit dhe luftën me depresionin, arsye të cilat e bën që për një periudhë të gjatë të shkëputej edhe nga skena e Teatrit të Operas dhe Baletit.
Megjithatë, ai rrëfeu në një intervistë në vitin 2016 se falë mbështetjes së familjes dhe miqve mundi t’i jepte fund “kësaj ëndrre të keqe”.