Taulant Balla: Dy fjalë për fundin e protestave të bufit, ku sulmohen punonjësit e policisë dhe institucionet. Ndoshta për të fshehur me tym e flakë dështimin e tyre.
Gjithmonë do të ekzistojë liria për të protestuar në Shqipërinë tonë. Por sa kohë ligji e thotë qartësisht, nuk duhet të ekzistojë liria për të goditur apo keqtrajtuar ata që kanë zgjedhur për të shërbyer në mbrojtje të sigurisë së qytetarëve. Duhet t’i mbrojmë ata që na mbrojnë dhe duhet të kujdesemi për ata që shërbejnë për sigurinë e qytetarëve. Kjo është ajo që bën një shtet i drejtë dhe normal. Rëndësia e detyrës që mbart uniforma e Policisë, duhet ta bëjnë shoqërinë të reflektojë, ndërsa drejtësia t’i bëjë shembull ata që godasin punonjësit e policisë. Policia i ka shërbyer dhe i shërben me devotshmëri atdheut dhe qytetarëve, përplaset çdo ditë me kriminelë e keqbërës. Policia ka derdhur gjak, në emër të misionit dhe betimit të saj. Gjaku i policisë është gjaku i shtetit. Kush ngre dorë kundër punonjësit të policisë, ka ngritur dorë kundër shtetit.
