Balla: Ndryshimi i sistemit zgjedhor, në një moment të dytë

POLITIKË


Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla deklaron se ndryshimi i sistemit zgjedhor i takon  një momenti të dytë, duke u bashkuar kështu me Bashën, i cili pak ditë më parë deklaroi se PD është e hapur për çdo sistem zgjedhor, ndërkohë që kundër këtij qëndrimi ka qenë opozita parlamentare, e cila ka kërkuar lista të hapura.

Deklaratën e tij, Balla e bëri nga Kuvendi, ku vuri në dukje se e vetmja tryezë ku diskutohet kjo reformë është komisioni i ngritur nga Kuvendi për hartimin e saj. Balla bëri thirrje të gjithë anëtarëve të këtij komisioni që të përshpejtojnë punën pasi sipas kodit zgjedhor, ajo duhet të jetë gati një vit para zgjedhjeve. “Vendi ku diskutohet reforma zgjedhore është parlamenti dhe komisioni për këtë reformë. “Përftoj nga rasti që të nxis të gjithë anëtarët e këtij komisioni që të ecim sa më shpejt, se parimet e zgjedhjeve na kërkojnë që një vit para zgjedhjeve te kemi gati kuadrin ligjor. Hapi më i rëndësishëm është zbatimi rekomandimeve të OSBE. Çështja e sistemi zgjedhor nuk lidhet me kodin, por me Kushtetutën dhe i takon një momenti të dytë”, deklaroi Balla. Më herët, PS e ka anashkaluar çështjen e diskutimit të sistemit zgjedhor, megjithëse Rama e ka nënkuptuar disa herë se ndryshimet që duhen bërë në Kushtetutë, ashtu siç është edhe sistemi zgjedhor, do të kryhen në një moment të dytë.

Ndërkohë, kreu i grupit parlamentar të PS ka deklaruar po ashtu se Kuvendi do të rrëzojë presidentin Ilir Meta për paketën anti-shpifje, ndërsa e quajti vendimin e tij për ta kthyer mbrapsht një urdhër të kryedemokratit Lulzim Basha. “Presidenti Ilir Meta pas urdhrit të Lulzim Bashës ktheu mbrapsht përmes një dekreti dy ligjet komponentë të betejës së parë me shpifjen. Legjislacioni shqiptar duhet përmirësuar në luftën kundër shpifjes. Shqipëria ka nderin të drejtojë OSBE, kështu që sipas procedurës parlamentare ditën e hënë ardhja e dekreteve i njoftohet parlamentit, shqyrtohen në komision dhe Meta rrëzohet në seancën e ardhshme”, tha Balla.

Numri dy i PS foli edhe për rastet e kryebashkiakëve të denoncuar nga Partia Demokratike se kanë fshehur dënimin në formularin e dekriminalizimit. “Ai tha se prokuroria duhet të çojë deri në fund verifikimin e tyre në mënyrë që opinioni publik të informohet për të shkuarën e çdo zyrtari. “PS ka një vendim politik që prej ditës kur ka mbështetur ligjin për dekriminalizimin dhe tashmë kjo është një përgjegjësi penale. I bëj thirrje prokurorisë të mos humbë kohë për verifikimin që opinioni publik të informohet për të shkuarën e çdo zyrtari. Por e theksoj kjo është detyra e prokurorisë dhe jo e partive politike”, tha Balla.



Skip to toolbar