Kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla ka sqaruar pas mbledhjes vendimet për çështjen e komisioneve hetimore. Ai theksoi se komisioni hetimor “Becchetti” do të shtyhet, pasi Shqipëria duhet të vazhdojë të mbrojë interesat e saj dhe ky ka qenë sugjerim dhe i avokatit të shtetit.
Sipas Ballës, sapo Shqipëria të ketë ecur në procesin juridik, ligjor për këtë çështje ne mund ta ngremë këtë komision në një moment të dytë.
“Qëndrimi jonë në lidhje me ngritjen e komisioneve hetimore, dua tju bëj me dije se nga PD kanë ardhur tre kërkesa. Njëra prej kërkesave natyrshëm bie në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese që ka sqaruar qasjet, pakica ka të drejtë të ngrihet një komision hetimor dhe nuk vihet në dyshim ngritja e një komisioni hetimor, por kur kërkesa bie në kundërshtim me Kushtetutën, mendoj që bie në kundërshtim me interesat e Shqipërisë në raport me disa procese gjyqësore që po zhvillon Shqipëria. Interesi më i madh që duhet të prevalojë është interesi i Shqipërisë.
Shqipëria duhet të vazhdojë të mbrojë interesat e saj dhe ky ka qenë sugjerim dhe i avokatit të shtetit, i cili kërkon që kjo çështje të shtyhet dhe sapo Shqipëria të ketë ecur në procesin juridik, ligjor për këtë çështje ne mund ta ngremë këtë komision në një moment të dytë.
Unë do të mbaj qëndrimin e plotë të maxhorancës në seancë plenare në lidhje me këtë çështje. Insistimi i Kuvendit të Shqipërisë i cili është sa i të majtës dhe i së djathtës mund të vinte në rrezik ecurinë e procesit. Ka qenë konfidencial i kërkuar nga të dy palët”, tha Balla.
I pyetur nëse ka shpresë për ndryshim vendimi në padinë e Beçhetit, Balla tha se nuk hyn në këto argumente. “Hyj në argumentet zyrtarë që unë kam marrë nga institucioni që mbron interesat e vendit në këto procese. Jemi njoftuar që ka një proces dhe në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Gjykata ka administruar me vendim që gjithë dokumentacioni të jetë konfidencial që të mos dëmtohen interesat e palëve”, tha Balla.