Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla nga foltorja e Parlamentit, teksa po diskutohej Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 8580, datë 17.02.2000, “Për partitë politike”, i ndryshuar”, tha se ka ardhur koha që të forcohet ligji për financimin e partive politike në vend.
Ai u ndal tek një rast lobimi nga jashtë, ndërsa nuk nguroi të shigjetojë PD-në edhe për procesin e përzgjedhjes së kandidatëve në zgjedhjet e ardhshme.
“I ndoqa me vëmendje disa prej diskutimeve të kolegëve të opozitës parlamentare disa prej tyre se kanë kuptuar objektin e këtij ligji. Në 5 qershor mazhoranca parlamentare, një përfaqësues i pozitës parlamentare dhe dy përfaqësues nga opozita jashtë parlamentare firmosëm një marrëveshje për çështjet e financimit të partive që zhvendosen në kodin zgjedhor, i hoqëm nga ligji i partive i transferuam në kodin zgjedhor dhe kjo u miratua që më 21 korrik. PS kurrë s’ka shkelur asnjë marrëveshje dhe në këtë funksion PS i qëndron 5 qershorit. Procesi i ndryshimeve Kushtetuese i ka hapur rrugë listave të hapura, ndaj i ftoj partitë e tjera të bëhen gati të garojnë tek gjykatësi që nuk gabon kurrë, populli shqiptar. Le të përballemi të gjithë me gjykatësin që nuk gabon.
Çështja e financimit të partive politike është një çështje që duhet forcuar legjislacioni, nuk e garantojmë dot mos financimin e tyre nga burime të paligjshme. Dështimi i drejtësisë shqiptare që nuk hetoi dot financimin e PD nga një kompani guaskë në Edinburg të Skocisë, ku persona me pasaporta ruse ua dha në zemër për të ndihmuar Lulzim Bashën është një fakt që nuk është hetuar. Biem të gjithë dakord që Rusia nuk është vend mik me Shqipërinë. Nga financime ruse financohet PD, partia më e madhe pas PS deri në 2017, se nuk e di si do ta ketë tani në 2021. Pra, ngrihen akuza dhe PD nuk u sqarua dhe këtu biem dakord që ligji i financimit të partive politike nuk është i duhuri”,- tha Balla.
Duke iu drejtuar Murrizit, Balla u shpreh ndër të tjera: “Mos na e kërkoni neve që partia e idealeve dikur ngre një komision me Nishanin, Markun, Rulin Mustafarajm dhe ngarkohen me detyrën për të pushkatuar pa gjyq çunin e Fahriut apo Salianjin. Nëse doni model, bujrum ju ftojmë një ditë të shihni si kemi ngritur procesin më të pastër të përzgjedhjes nga anëtarësia të kandidatëve në PS, por këtyre problemeve të brendshme ku Genc Ruli lan hesapet me Salianjin apo Mustafaj me Fahriun, kjo nuk është çështja jonë.
Ne kemi detyrim moral të qartësojmë disa çështje që lidhen me Shqipërinë, kemi pasur mazhorancën e vitit 2011 që ka votuar një rezolutë e propozuar nga rusi Kostandin Kosacev, procesi që çoi deri në miratimin e rezolutës së Dick Marty, çështje që lidhen me territorin e Republikës së Shqipërisë në Mat Has, e Kukës. Këtu janë zhvilluar hetime sovrane dhe doli në përfundim që as në Has, as në Kukës nuk ka pasur krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Ne si Kuvend duhet të vlerësojmë mundësinë e ngritjes së një Komisioni të Posacëm, mund të shkojmë tek një rezolutë që të dënojmë përpjekjen për të bërë pis luftën e Kosovës, rroftë Lufta Clirimitare e Kosovës”,- tha Balla.