Balla: S’do ketë kurrë legalizim kanabisi për përdorim, të mbyllim Reformën Zgjedhore brenda qershorit

AKTUALITET


Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, tha nga foltorja e Kuvendit se nuk ka dhe nuk do të ketë kurrë legalizim të kanabisit për përdorim të gjerë në Shqipëri, sa të jetë PS në pushtet.

“Nuk ka legalizim kanabisi në Shqipëri. Sa të jemi ne nuk ka për të pasur kurrë legalizim kanabisi si përdorim i kanabisit, por prej një viti duam të hulumtojmë dhe kemi hulumtuar gjitha praktikat më të mira, se si kjo kulturë bujqësore të ketë një rendiment të lartë për përdorim në mjekësi. Në këtë kontekst le ta quajmë të mbyllur këtë dhe të gjithë ata që u shqetësuan për këtë çështje, në fund të fundit shteti i Maqedonisë së Veriut përfiton të paktën 100 milionë euro në vit, ndërsa përfitimi total shkon deri në 500 milionë euro”, tha Balla.

“Së dyti, çdo qytetar duhet të ruajë vigjilencën, sepse në cdo moment kjo flamë mund të godasë edhe më fortë. E fundit, nuk e di shqetësimin e kolegëve të opozitës lidhur me atë që kemi rënë dakord. Në janar kemi rënë dakord opozita parlamentare, ajo jashtëparlamentare dhe mazhoranca për të krijuar një mundësi të re komunikimi për Reformën Zgjedhore. Por s’duhet të harrojmë që vendimmarrja i përket Kuvendit.

Zgjedhjet e vitit 2021 duhet të zhvillohen domosdoshmërisht me komisionerë jopartiakë. Nuk mund të ketë më histori të tilla në këtë vend, që partitë politike numërojnë votat. Votat do t’i numërojnë njerëz që nuk kanë lidhje me partitë dhe që do mbajnë përgjegjësi për çdo votë të numëruar gabim. Thirrja ime për ju është ‘vazhdoni punën në komisionin e posaçëm për Reformën Zgjedhore dhe duhet t’i përmbaheni afatit’. Ne duhet të përmbyllim këtë reformë deri në qershor, pasi e kemi kusht nga BE”, theksoi Taulant Balla.



Skip to toolbar