Kreu i deputetëve socialistë në parlament, Taulant Balla e cilësoi të turpshëm reagimin e ish kryeministrit Berisha i cili falënderonte presidentin francez Macron, ndërkohë që Franca është kundër çeljes së negociatave. Balla gjithashtu ka shigjetuar qëndrimin e PD-së për negociatat duke thënë se ajo ka mbushur me thashetheme Parlamentin Europian duke folur kundër qeverisë dhe opozitës parlamentare.
“Sot ne duhet të jemi të gjithë krenarë që Gjermania është vendi që drejton një betejë sa diplomatike, sa politike për ti dhënë Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut rrugën e fillimit të bisedimeve për anëtarësim. Ajo matricë gjermane e detyrave të Shqipërisë është instrumenti më i mirë, ndaj nuk di ta gjej arsyen se përse edhe Presidenti francez nuk e gjen veten në këtë instrument.
Teksa ne jemi këtu në sallë, një njeri që 28 vite i ka bërë dëm këtij vendi, ish kryeministri Berisha del pa pikë turpi dhe thotë se falënderon presidentin Macron që i ka thënë Jo Shqipërisë për hapjen e negociatave.
Ajo çfarë i shtyn ata ti thonë JO Shqipërisë, nuk ka të bëjë farë me Shqipërinë. Nuk është fare pjesë e çfarë ka bërë apo nuk ka bërë Shqipëria. Shqipëria ka bërë pikë për pikë, madje më shumë se sa ju tha dy vite më parë, se sa ju tha një vit më parë.
Për të shkuar te krahasimi që është bërë me idenë e një “di coupling” mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, ajo që na ndryshon ne nga Maqedonia e Veriut nuk është cilësia e reformave, por është ajo që edhe kryeministri Rama tha një javë më parë, dallimi mes klasës politike në Maqedoninë e Veriut me klasën politike që ne, për fat të keq, kemi në krahun e opozitës rrugore.
Nëse i referohemi cilësisë së reformave, reforma jonë në drejtësi është dhjetë vite para asaj që duhet ta bëjë Maqedonia e Veriut në vitet pasardhëse.
Isha me Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë në Parlamentin Europian dhe një prej deputetëve të djathtë të atij Parlamenti më vuri para një vlerësim të situatës në Shqipëri që e bënte Partia Demokratike ku pasi na përgojonte të gjithëve ne, merrej edhe me përgojimin e opozitës parlamentare që gjoja keni tradhtuar partinë tuaj dhe keni hyrë në Parlament. Një parti politike që furnizon inbox-et e eurodeputetëve të Parlamentit Europian dhe Bundestagut me lloj-lloj thashethemesh si në ato lagjet e rrethinave ku mblidhen plakat me njëra-tjetrën dhe bëjnë muhabet për të gjithë dynjanë”, u shpreh Balla në fjalën e mbajtur në seancë parlamentare.
Ai tha se për Shqipërinë është arritje fakti se progresi i bërë është vlerësuar nga të gjithë në Bashkimin Europian, pavarësisht vendimit që do të merret për negociatat. KE pritet të vendosë të premten në lidhje me çeljen ose jo të negociatave./realstory.al