Avokati Idajet Beqiri e cilësoi të drejtë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të rikthyer në detyrë zv.kryeministren, njëherësh ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Në një intervistë për “Ora e Fundit” në ABC News, Beqiri u shpreh se dy nga tre gjyqtarët që votuan kundër, Marsida Xhaferllari dhe Asim Vokshi, janë në krahun e kreut të PD, Sali Berisha.“Një vendim i mirëpritur. Vendimi i GJKKO për ta pezulluar nga detyra, ishte antikushtetues. Për rrjedhojë, kjo ishte pritshmëria. Kjo ngjarje juridike e fuqishme, ashtu sikurse edhe ajo me Erion Veliajn, tregoi se për turp të juristëve, avokatëve të këtij vendi, që e dinë se si është nga pikëpamja e kushtetueshmërisë, që dihej pritshmëria, flasin sipas bindjeve politike. Për mua, befasues ishte Ilir Toska. Është gjyqtar që ka integritet moral dhe profesional, nuk e di. E njoh edhe profesionalisht. Sot nuk duhet ta ulte veten në këtë derexhe. Neni 103 i kushtetutës nuk lë vend për interpretime. Këta nuk kishte pse të dilnin kundër. Për Asimin dhe Xhaferllarin, kam thënë, kundër do të jetë Xhaferllari, jo pse është bashkëshortja e Alibeajt, por dihet që është pozicionuar në krahun e Saliut. Asim Vokshi, është “heroi” i Albana Vokshit. Po qe në linjën e Albana Vokshit, aty e ke atë.”, theksoi ai.
