“Balluku” në Kushtetuese: Kryeministria kundërshton pezullimin e një ministri nga GJKKO

AKTUALITET


Përfaqësuesja e Kryeministrisë ka mbrojtur në Gjykatën Kushtetuese argumentet e ankimimit kundër vendimit për pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut, për të cilën SPKA ka kërkuar arrestimin. Sipas Kryeministrisë, me vendimin e GJKKO për pezullimin e Ballukut si zv.kryeministre dhe ministre u cënua një nga pushtetet.

“GJKKO pretendon se kjo kërkesë nuk mund të ngrihet, duke argumentuar se nuk ka marrëdhënie juridike kushtetuese. Ne sqarojmë se kjo nuk është një ankimim kushtetues individual dhe nuk ka të bëjë me nevojën e mbrojtjes së të pandehurit. Kërkesat lidhen me marrëdhënien midis tre pushteteve. A ka të drejtë gjykata penale të pezullojë nga detyra një ministër? Ne vlerësojmë se jo!

Për legjitimin sqarojmë se Këshilli i Ministrave vjen në këtë gjykim si organ i prekur, pasi pezullimi i ministres pengon funksionimin e strukturave dhe projekteve të tij. Ministri i pezulluar nuk mund të propozojë më asnjë akt pranë Këshillit të Ministrave, ndërsa kryeministri mund të propozojë vetëm për fusha që nuk mbulohen nga asnjë ministër. Në këtë mënyrë, kryeministri vendoset në pozicionin ku duhet të zëvendësojë një ministër, gjë që e shtyn Këshillin të kërkojë shkarkimin e tij.

Nëse pasojat e këtij vendimi janë të lejueshme nga Kushtetuta, ky është thelbi i çështjes. Sa i përket pretendimit se duhet të tejkalohen të gjitha shkallët e gjyqësorit, kjo vlen vetëm për ankimimet e bëra nga individë, jo nga Këshilli i Ministrave”, tha përfaqësuesja e Kryeministrisë.



Skip to toolbar