Zbrazet Kasaforta e Gjelbër, vjedhja më e madhe në historinë e pas luftës

BOTA


Të paktën 1 miliard euro është vlera e bizhuterive të grabitura nga Kasaforta e Gjelbër në Dresden. Policia gjermane konfirmoi se kjo është grabitja më e madhe e historisë së pas luftës. Ndërsa mediat gjermane e kanë pagëzuar bandën si “Banda e Limuzinës” pasi grabitësit u larguan nga vendi me një limuzinë. Prestigjiozja gjermane Bild raporton se autorët janë në kërkim ndërsa zona është e rrethuar nga agjentët e policisë. Ndërkohë nga koleksioni shtetëror i arteve në Gjermani konfirmohet se janë grabitur bizhuteri antike me një vlerë prej 1 miliard eurosh.

Sipas Bild, kasaforta e ndodhur nën Urën e Augustit është hapur nga grabitësit në orën pesë të mëngjesit, dhe njëkohësisht është bllokuar dhe sistemi i alarmit. Më pas grabitësit kanë hyrë dhe dalë nëpërmjet një dritareje të vogël pikërisht në dhomën ku ishte vendosur pjesa më e madhe e thesarit.

Grabitësit fillimisht i kanë vënë zjarrin kutisë shpërndarëse të energjisë elektrike duke paralizuar çdo sistem në kasafortën e gjelbër. Banda e grabitësve kanë marrë bizhuteri historike, diamante dhe gurë të çmuar, ndërsa përllogaritjet e para flasin për një dëm prej miliarda dollarësh. Ndërsa objekte të tjera si vazo dhe piktura nuk janë prekur me dorë.

Kryebashkiaku i qytetit ka qenë ndër të parët që ka mbërritur në vendngjarje duke u shprehur se kjo nuk ishte thjesht një grabitje e objekteve të çmuara, por në këtë rast ishte grabitur historia e vendit. Ai theksoi se vetëm pak kohë më parë së bashku me 600 artizanë ishte inauguruar dhe restaurimi i kasafortës së gjelbër, dhe pa këtë të fundit askush nuk do të mund ta kuptojë historinë e vendit.

Kamerat e sigurisë kanë mundur të filmojnë shumë pak nga banda e grabitësve, por Bild raporton se ata janë larguar me një limuzinë. Kasaforta e gjelbër është e famshme në të gjithë botën për thesarin artistik që mbart. Aty ka ar dhe gurë të çmuar, porcelan, vepra arti, objekte fildishi dhe shumë objekte të tjera të cilat cilësohen si të paçmueshme.



Skip to toolbar