Për herë të dytë, arratia jashtë vendit e Sheikh Hasinas ndryshon rrjedhën e historisë nëBangladesh. Pas protestave të furishme, e ndodhur në pozitë të vështirë, 76 vjeçarja dha dorëheqjen si kryeministre dhe u largua me helikopter drejt Indisë.
Kësisoj merr fund qeverisja e kryeministres me jetëgjatësinë më të madhe në botë në detyrë: Me disa ndërprerje ajo ka qenë mbi 20 vjet në krye të qeverisë në vendin me 170 milionë banorë. Nën qeverisjen e Sheikh Hasina-s lulëzoi ekonomia e vendit, ndërsa kundërshtarët politikë vuanin gjithnjë e më shumë nën ashpërsinë e politikanes së vetëdijshme për pushtetin.
Një goditje fati dhe një rastësi fatlume
Një moment kyç për të dhe vendin e saj ka qenë 15 gushti 1975: puçistët vranë presidentin e atëhershëm Sheikh Mujibur Rahman dhe disa pjestarë të familjes së tij. Që vajza e tij Sheikh Hasina mbijetoi, kjo falë një udhëtimi të saj jashtë vendit në atë periudhë: Ajo ishte nisur atëherë për në Gjermani, ku bashkëshorti i saj Vazed Miah studionte në fushën e fizikës bërthamore dhe ajo bashkë me motrën dhe dy fëmijët ndodheshin në Karlsruhe, ndërsa në Bangladesh pushtetin e mori diktatura ushtarake.
Të dy motrat, përpara kthimit në Bangladesh fillimisht jetuan me emër të rremë në ekzil në Indi. Më 1981 pati sërish vrasje të presidentit, këtë radhë u vra gjenerali Zia-ur-Rahman gjatë një tentative të dështuar për puç ushtarak. Në të njëjtin vit Sheikh Hasina u zgjodh në krye të ligës Avami: partia e babait të saj kishte kontribuuar ndjeshëm në pavarësinë nga Pakistani më 1971.
Që të dy vendet rreth 1500 km larg njeri tjetrit dikur kanë qenë bashkë, kjo ka të bëjë me trashëgiminë koloniale britanike. Në valën e pavarësisë së Indisë, territoret me popullsi shumicë myslimane u bashkuan në një koloni të vetëadministruar.
Vitet 1980 u karakterizuan nga regjimi brutal ushtarak i gjeneralit Hussain Mohammed Ershad. Sheikh Hasina farkëtonte aleancë me parti të tjera opozitare ndër to edhe me partinë nacionale të Bangladeshit (BNP) nën udhëheqjen e Khaleda Zias, e veja e presidentit të vrarë më 1981.
Të dyja gratë, që secila pasi kishte humbur të afërm prej puçeve, ia arritën qëllimit të tyre më 1990: Ershadit iu desh të tërhiqet pas protestave në mbarë vendin. Në zgjedhjet demokratike që pasuan më 1991 Khaleda Zia u zgjodh kryeministrja e parë grua e Bangladeshit. Pas një mandati pasoi Sheikh Hasina, e më pas edhe një herë Zia, nga 2009 ka qeverisur Hasina. Qysh atëherë nuk ka pasur më ndryshim në kreun e qeverisë.
Zhvillim dhe represion
Sheikh Hasina shkëlqeu kryesisht me bilancin e politikës ekonomike të saj. Ajo nxiti ndërtimin e një sërë centraleve dhe të rrjetit të energjisë në vend, duke çuar në industrializimin e vendit. Industria e tekstilit është një ndër komponentet e pandashme të zhvillimit ekonomik në Bangladesh dhe në ekonominë globale të tekstileve – por kjo është arritur me paga të ulëta për punëtorët e këtij sektori dhe kushtet e vështira të punës.
Njëkohësisht Sheikh Hasina është përgjegjëse për shtypjen vazhdimisht e gjithnjë e më me forcë të shoqërisë civile. Herë pas here ka pasur protesta që janë shtypur me dhunë. Që nga 2018, gazetarët kritikë rrezikojnë të paditen dhe dënohen për “propagandë negative” me burgim deri në 14 vjet. Bangladeshi zinte së fundi vendin e 165 ndër 180 vendet e klasifikuara për lirinë e shtypit nga Reporterët pa Kufij.
Protesta kundër kryeministres
Në korrik kulmoi vala e protestave që Sheikh Hasina nuk mund t’i ndalte më. Demonstruesit fillimisht kërkonin heqjen e një sistemi kuotash që ekzistonte prej kohësh, në bazë të të cilit 30 përqind e posteve të preferuara në administratën publike u jepeshin luftëtarëve të pavarësisë nga 1971 ose pasardhësve të tyre.
Pasi Gjykata Supreme e mbrojti këtë kuotë, protestat u acaruan deri në konfrontime të përgjakshme me mbi 300 të vrarë gjatë trazirave. Në Dhaka u shtua prania ushtarake, kur demonstruesit tentuan të mësyjnë në pallatin qeveritar. Në kushte të tilla Sheikh Hasina u largua drejt Indisë. Kreu i ushtrisë premtoi në televizionin shtetëror krijimin e një qeverie tranzicioni. Se çfarë drejtimi do të marrë Bangladeshi pas epokës së gjatë nën Sheikh Hasina-n mbetet ende e paqartë.