Bardhi: Nuk ka ardhur asnjë kërkesë e vetme për mbledhjen e Kuvendit

Më të fundit


Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka thënë në një prononcim për mediat nga selia blu, se deri më tani në zyrën protokollare të partisë nuk është dorëzuar asnjë firmë e vetme për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar.

Ai tha se PD është institucion legal dhe se çdo kërkesë, aq më tepër e shumicës së demokratëve duhet depozituar në zyrën e protokollit. Ai e cilësoi mbledhjen e 4.200 firmave nga ish-kryeministri Sali Berisha si një tallje e blof ndaj demokratëve, pasi pretendon se firmat nuk janë mbledhur.

“Për fat të keq dhe dua të shpreh keqardhjen time se tallja me anëtarët e PD vijon edhe sot. Dua të konfirmoj edhe njëherë se PD është institucion, respekti ndaj saj është primare në çdo demokraci. Ne nuk kemi halle apo probleme sa i përket zbatimit të ligjit. Në funksionimin tonë të brendshëm kemi detyrimin për të zbatuar rregullat e brendshme të PD. Dua të konfirmoj për çdo demokrat se në PD nuk ka ardhur deri në këtë momente asnjë kërkesë, për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar. Ajo që shqiptarët, por veçanërisht mbështetësit e PD kanë parë gjatë këtyre muajve ka qenë një blof i madh, një tallje me sakrificat dhe mundin e demokrateve për hallet dhe problemet personale. Sepse nuk u arrit që pas dy muajsh kontakti me demokratët të siguroheshin firmat e ¼ të anëtarëve të partisë për nisjen e Kuvendit Kombëtar. Ka prej 2 muajsh që thuhet se duhet të mbledhur Kuvendi i PD, se ka një çështje të tij zoti Berisha që duhet ta shtrojë për diskutim. Por në momentin që skadon afati, bëhet një show për demokratët, duke thënë se kemi firmat, por edhe shumicën, por s’i tregojnë. Nëse i kanë firmat t’i depozitojnë në protokollin e PD, çdo institucion i partisë ka përgjegjësinë për të respektuar vullnetin e demokratëve. Besoj se jeni dhe ju dëshmitar që deri në këtë moment në PD, në zyrën e protokollit ka punonjës administrata e PD. Nuk jemi institucion në ilegalitet. I vetmi hall i demokratëve është largimi një orë e më parë i regjimit të Edi Ramës. Prandaj rikonfimoj për çdo anëtarë të Kuvendit të PD, që jo vetëm nuk janë depozituar ¼ e firmave që na jepte mundësinë për të ndjekur procedurën e Kuvendit Kombëtar, por deri tani që flasim nuk ka asnjë firmë të depozituar. Nuk e di ku qëndron problemi i mos depozitimit të firmave, ose më saktë bëj sikur s’kuptoj.

Ka një shef zyre protokolli në zyrën e PD. Nuk vijnë firmat në zyrën e Sekretarit të Përgjithshëm, regjistrohet dhe verifikohet çdo kërkesë e cilësdo, aq më tepër kur bëhet fjalë për 25% të Kuvendit të Partisë. Protokollohet çdo kërkesë, me datë dhe orë. Nëse këto firma do të ishin firma të delegatëve do të ishin depozituar dje, e unë mora masat që punonjësit e administratës të qëndronin në punë përtej orarit zyrtar. Punonjësit e zyrës së propokollit kanë qenë në pritje të kësaj procedure. Nuk sillen firmat nga dera prapa, qoftë edhe në shoqërinë e kamerave, me kuti të mbyllura në një zyrë që nuk është e kryetarit të Këshillit Kombëtar, zyra e tij është e ish nënkryetarit të PD. Nuk ka zyrë kryetari i këshillit. Sepse ai drejton dhe moderon mbledhjet e Këshillit Kombëtar. Sot na u tha se vetëverifikohen, pra X do të vetëverifikojë firmën e X. Secili prej atyre që ka firmosur vetëverifikon firmën e vet.

Me kë tallen këta? Me kë tallen? Apo do të verifikojnë firmat e njëri-tjetrit. Kjo parti është institucion dhe duhet të respektohen. Aq më tepër kur bëhet fjalë për ish-drejtues të lartë të kësaj partie. Por blofin me demokratët, këta të fundit nuk ia kanë borxh askujt”, tha Bardhi.



Skip to toolbar