“Ariu më sulmoi kur po flisja në Facebook, më shpëtuan qentë”

AKTUALITET


Ekrem Onuzi i shpëtoi për një fije vdekjes, pasi u sulmua nga një ari në malin e Gjallicës, ndërkohë që kishte dalë për të kullotur bagëtitë. Kafsha e sulmoi papritur duke i shkaktuar dëmtime të mëdha në kokë, kofshë dhe duar, me të cilat është mbrojtur. Pas mbërritjes në spital, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën, bariu ka rrëfyer tmerrin e përjetuar për mediat vizive.

“Unë kam 35 vite që kullos bagëtitë dhe has arinj, por kësaj radhe nuk e mora vesh se përse erdhi dhe ma vuri putrën në gjoks. Një moment dola pak sipër stanit tim dhe ndenja atje për një orë. Dëgjova qentë që po lehnin, por nuk i vura re pasi po flisja me një shokun tim në Angli në Facebook. I thashë që një moment se po më sulmon ariun qentë, por ai s’po më besonte”, tha Onuzi duke theksuar se ishte ndërhyrja e qenve ajo që e shpëtoi nga kthetrat e kafshës.

Më pas, ai shpjegon se pikërisht në ato momente është sulmuar nga ariu. “Një moment e pashë që më është sulur dhe më ka hedhur tre katër metra poshtë. Pastaj erdhën qentë dhe e larguan” tregon ai ndërsa shpreh shqetësimin se helikopteri u vonua për të shkuar deri tek ai. Bariu u mor me helikopter nga bjeshkët e Gjallicës duke u sjellë me urgjencë në Spitalin e Traumës ku edhe po trajtohet.



Skip to toolbar