Demokratët janë të vendosur ta çojnë deri në fund skenarin për të bllokuar bashkitë, për të mos lejuar marrjen e zyrave nga kryebashkiakët e rinj, madje në nxitjen e tensioneve dhe përplasjen e militantëve me policinë, ashtu siç shkruhet në dokumentin e publikuar nga Realstory të shtunën.
Pas marrjes së zyrës së bashkisë së Devollit nga kryebashkiaku socialist menjëherë janë shtuar përforcimet e PD-së në këtë qytet. Basha ka dërguar në Devoll ish-deputetin Endri Hasa si dhe Ervin Salianjin të cilët ndodhen në ambientet e jashtme të bashkisë.
Ndërsa vetë kryetari i PD-së, Basha përmes një reagimi në rrjetet sociale paralajmëron përplasje me popullin.
“Pushteti i paligjshëm i 6% po uzurpon me dhunë qeverisjen lokale, kundër vullnetit të popullit. Ky regjim kriminal dhe plaçkitës po hyn në rrugën e verbër të përplasjes me popullin e tij. Sot hajdutët në pushtet ndjehen të mbrojtur se kanë polici speciale, gaz lotsjellës dhe mercenarë, por nesër do të kenë fatin që meritojnë hajdutët dhe banditët!”, shkruan Basha.
Ish-deputeti demokrat Ervin Salianji deklaroi se opozita nuk do të tërhiqet nga bashkia e Devollit. “Sikur e keni parë nuk po lejojnë instalimin e një junte debilash të cilët flenë në institucionet publike duke i trajtuar si fjetore ku prodhojnë para, e parë se si një barkderr i shëmtuar pothuaj sa Rama shkallmoi dyert e institucioneve për të treguar se nuk ka ligj dhe se bëri vetëgjyqësi do të mbajë përgjegjësi pas kallëzimit dhe personi i vetëshpallur si kryebashkiak do të kallëzohet për përvetësim të titullit. Qytetarët nuk do të tërhiqen. Do të jemi në mbështetje për shkak të kërcënimeve që bëhen ndaj administratës. Këtu ka qenë një njeri (i referohet Eduard Duros) që ka fjetur nga dita e premte dhe deri sot”, tha Salianji.
Ky skenar është i parashkruar nga PD fill pas zgjedhjeve të 30 qershorit. Realstory publikoi të shtunën dokumentin e shpërndarë nga sekretari i përgjithshëm i PD-së në të cilin shkruhet se PD nuk mban përgjegjësi se si vendos populli të mbrojë bashkitë e djathta.
Në tezat e PD-së shkruhet se PD e konsideron të paligjshëm zaptimin e zyrave nga të zgjedhurit e rinj vendorë dhe se si reagon populli këtë nuk e parashikon dot askush.
“Emrat që do të dalin nga votimet e paligjshme të 30 qershorit janë rezultat i zgjedhjeve të paligjshme, dhe në kundërshtim me vullnetin e thuajse të gjithë votuesve të Shkodrës, Kavajës, Lezhës, Kamzës, Tropojës dhe bashkive të tjera.
Në këto kushte çdo përpjekje për zaptimin e bashkive është e paligjshme dhe do të trajtohet si e tillë.
Çfarë do të thotë kjo??? Çfarë do bëni???
Ne i konsiderojmë të paligjshme dhe do e trajtojmë si të paligjshëm çdo përpjekje për pushtimin e bashkive.
Se si vendos ti përgjigjet populli, banorët e këtyre bashkive, këtë nuk mund ta parashikojmë sot dhe nuk ka njeri që e parashikon dot!”, shkruhet në dokument.
Dhe duket se pikërisht ky skenar po zbatohet në bashkinë e Devollit./Realstory.al