Kryetari i PD-së, Lulzim Basha thotë se është gati që nesër që PD të futet në zgjedhje të parakohshme por e ka një kusht, të tillë që pengon zhvillimin e zgjedhjeve. Kushti i Bashës është që Rama të pranojë platformën e propozuar nga opozita që reforma zgjedhore të realizohet jashtë parlamentit nga një strukturë e posaçme me përbërjen e përfaqësuesve ndërkombëtarë. Edhe më herët Basha është shprehur në mënyrë këmbëngulëse që Rama ose të pranojë planin e opozitës ose të hapë krahun. Deklaratë kjo, që është ironizuar nga kreu i qeverisë, i cili nuk e ka pranuar kushtin e Bashës, por e ka ftuar PD dhe opozitën jashtë parlamentare që të jenë të pranishëm në Komisionin parlamentar të Reformës Zgjedhore. Pra që në nisje deklarata e Bashës për zgjedhje të parakohshme që nesër, bie në kundërshtim me kushtin që ai vë.
“Ne jemi gati të shkojmë në zgjedhje të parakohshme që nesër. Kushti i vetëm i opozitës, për të cilën kemi bërë një betejë, është që shqiptarëve t’u garantohet liria e votës. Duke garantuar standardet minimale zgjedhore, për të cilat Partia Demokratike dhe aleatët kanë propozuar një sërë masash”, është shprehur Basha në një intervistë për Vizion plus.
I pyetur nëse do të pranonte të hynte në zgjedhje me Ramën kryeministër, përgjigja e Bashës vijon të jetë Jo.
“Secili duhet t’i bëjë pyetjen vetes: Një njeriu, i cili është kapur duke vjedhur edhe veten e tij, siç ndodhi me 30 Qershor, mund t’i besohet se do të organizojë një palë zgjedhje të lira dhe të ndershme? Po të lexojmë në raportet e OSBE/ODHIR-it përgjigja është e thjeshtë: Jo! Po të lexojmë kushtet e Bundestagut, përgjigja është e qartë: Jo!”, është shprehur Basha por thotë se kurrë nuk ka refuzuar të ulet në një tryezë dialogu me Ramën si kryetar i PS-së.
“Nuk kemi përjashtuar asnjëherë dialogun. Por dy gjëra të ndryshme është propaganda, pra, ulja për t’u ulur, siç ndodhi në 2017-ën, ku u shfrytëzua vullneti i mirë i opozitës për të vënë interesin e Shqipërisë mbi interesa tona politike. U nënshkrua një marrëveshje, e cila nuk u zbatua”, tha Basha.
Ai thotë se kushti i PD-së për të zgjidhur krizën, është reforma zgjedhore. “Ne e kemi bërë fare të qartë rrugën për të ecur përpara. Kemi marrë një përgjegjësi që në fakt nuk na takon ne, por i takon maxhorancës. Por siç e keni parë z.Rama e ka trajtuar këtë si një luks personal dhe mendon se duke u tallur apo duke krijuar procese fallco dhe artificiale, do të arrijë të blejë pak më shumë kohë. Nuk arrin dot ta shesë sapunin për djathë. Kushtet e Bundestagut janë të qarta, reforma zgjedhore duhet të jetë me pjesëmarrje të të gjithë forcave politike dhe kjo reformë zgjedhore nuk duhet të kalojë vetëm në letër por të zbatohet. Që do të thotë për ne, zgjedhje të parakohshme parlamentare në një ditë me zgjedhje kushtetuese lokale”, tha Basha.
Kreu i PD-së njofton se do të zhvillojë një vizitë në SHBA dhe hedh poshtë zërat se ai do të shkojë në Amerikë për hetimet për përdorimin e parave ruse për të lobuar. “I gjithë kontakti im me faktorin ndërkombëtar, me partnerët tanë strategjikë, SHBA, Gjermaninë, Britaninë e Madhe, Italinë, Francën, vendet e tjera të BE, Hollandën, kanë një dhe vetëm një qëllim -dhënien fund të kësaj krize të tmerrshme politike, që është kthyer në një krizë ekonomike dhe sociale për shqiptarët dhe hapjen e horizontit për Shqipërinë europiane”, është shprehur Basha.