“Lekët e oligarkëve t’u jepen të prekurve nga tërmeti”

AKTUALITET


Që pas tërmetit të 26 nëntorit kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka ndërmarrë një tur takimesh me banorë të prekur nga tërmeti dhe kudo vijon të këmbëngulë në propozimin e tij që qeveria t’u marrë paratë oligarkëve dhe këto para t’i përdorë për banorët e prekur nga tërmeti. Të njëjtin propozim ka bërë edhe gjatë takimeve që ka zhvilluar me banorë në Hamallaj, Manzë dhe Radë.

Basha thekson se këta banorë vazhdojnë të flenë jashtë, në çadra ose në makina. Sipas tij, pavarësisht propagandës, shteti është inekzistent, ndërsa familjarëve tashmë u duhet të përballen edhe me përkeqësim të gjendjes shëndetësore kryesisht të fëmijëve dhe të moshuarve për shkak të ftohtit, shirave dhe mungesës së ngrohjes.

“26 Nëntori nxori në pah dështimin dhe paaftësinë e kësaj qeverie. Nxorri në pah sjelljen e pashpirt dhe kriminale ndaj pasojave të tërmetit të 21 shtatorit që solli humbje jetësh njerëzore.

E ndërsa ankthi, pasiguria e qytetarëve, mbyllja e bizneseve, shkurtimi i vendeve të punës vazhdon, qeveria po përgatit vjedhjen e rradhës mbi rrënojat e tërmetit. Kjo qeveri është gati të sakrifikojë qytetarët, fëmijë e të moshuar vetëm të mos prekë 150 milionë dollarët që marrin oligarkët.

Nëse ky kryeministër dhe qeveria e tij do të punonte me të njëjtin pasion dhe përkushtim për qytetarët, siç punon për oligarkët, nuk do të kishte qytetarë qe nuk e dinë fatin e banesave të tyre apo jetojnë nëpër çadra, të uritur, të shokuar, dhe në dëshpërim. Tërmeti i 26 nëntorit i ka lënë vendin tërmetit të dështimit dhe shembjes së shtetit prej  kartoni nga babëzia, korrupsioni dhe paaftësia”, shprehet Basha.

Nga ana tjetër kryeministri Rama ka dhënë garanci se shteti do të ndërtojë të gjitha banesat e shembura nga tërmeti i 26 nëntorit dhe familjet që kanë mbetur pa shtëpi janë asistuar nga shteti duke i paguar qiranë e shtëpisë për 1 vit derisa të ndërtohen shtëpitë e reja.



Skip to toolbar