Lulzim Basha u tha sot demokratëve në Lezhë se Partia që ai drejton dhe kandidon për të rinovuar mandatin, ka një luftë të re përpara me kundërshtarin politik, Edi Rama.
Ai tha se “pavarësisht masakrës së 25 prillit ne jemi në këmbë, të vendosur, të vetëdijshëm, për të luftuar me më shumë forcë” dhe shtoi: “Të mos harrojmë që beteja jonë e vetme është ajo me Edi Ramën, është misioni që na kanë ngarkuar shqiptarët dhe me forcën e shpirtit të demokratëve do ta fitojmë”.
Basha u shpreh se më 25 prill u ndal shpresa e shqiptarëve për ndryshim. “25 prilli nuk i dha përgjigje asnjë prej pyetjeve dhe shqetësimeve të lezhjanëve dhe shqiptarëve. Përkundrazi i thelloi ato akoma më shumë. Dhe mbi të gjitha vuri një pikëpyetje finale, ekzistenciale, jetike, jo pra, jo thjeshtë për të nesërmen europiane të vendit, por për atë çfarë Shqipëria është dhe do të jetë një demokraci apo një autokraci?”.
Kreu demokrat vuri në dukje se “prej vitesh jetojmë në një regjim i cili ka tjetërsuar hap pas hapi institucionet. Prej vitesh jetojmë në një vend ku dhunuesi numër një i ligjit është vetë shteti dhe i pari i ekzekutivit”.