Basha në PD, Bardhi penga e fundit/ Mbledh të enjten Këshillin Kombëtar

Më të fundit


Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, ka vendosur të thërrasë mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD ditën e enjte, datë 27 Korrik 2023, ora 19:00.

Bardhi ka thirrur mbledhjen bazuar në kompetencat që i njeh Statuti, që kur partia është pa kryetar, Statuti parashikon që është Sekretari i Përgjithshëm ai që ka të drejtën të thërrasë mbledhjen e Këshillit Kombëtar.

Mbledhja e Këshillit Kombëtar parashikohet të zhvillohet online dhe për organizimin e saj Sekretari i Përgjithshëm ka ngarkuar Sekretariatin e Këshillit Kombëtar.

Së fundmi, Bardhi në postin e Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, sipas burimeve, nuk ka firmosur vendimet e Kryesisë së PD, që janë marrë njëri pas tjetrit, për rikthimin e Lulzim Bashës.

Kjo ka bërë që grupi i tij mbështetës të kërkojë zgjidhje, që letrat të mos ngelin pa vulë. Dhe zgjidhja është heqja e së drejtës Gazment Bardhit për ta përdorur vulën dhe ajo ka kaluar në duart e grupit Basha, në PD.

Në një vendim të Kryesisë, të martën e javës së shkuar, një grup anëtarësh, kanë marrë vendim që vulën, në vijim ta administrojë Indrit Sefa, Sekretar i Çështjeve Ligjore dhe Zgjedhore në PD. Në këtë vendim thuhet:

“Urdhërohet Sekretari i Çështjeve Ligjore dhe Zgjedhore, zoti Indrit Sefa për prodhimin dhe administrimin e vulës së Partisë Demokratike”.

Vendimi është firmosur nga 15 anëtarë, pavarësisht se lista është pak më e gjatë, me 16, me kontributin e deputetes Orjola Pampuri. Firma e saj rezulton 2 herë. E gjithë kjo është pritur me ironi nga Gazment Bardhi, që e quan akt qesharak dhe nën efektin e dëshpërimit.



Skip to toolbar