Kreu i PD, Lulzim Basha është i ftuar këtë të hënë në emisionin “Real Story”, në “News 24”, ku po flet mbi zhvillimet e fundit në parti.
Ai ka thënë se ajo që ndodhi në Kuvendin e 18 dhjetorit dhe në mbledhjet e Këshillit Kombëtar, është vendosja e një standardi për të nesërmen.
“Ka mënyra të ndryshme për ta distiluar Kuvendin, por mendoj që akti më i madh që ka bërë Kuvendi Kombëtar është që ka vendosur të zgjedhë të ardhmen. Të zgjedhësh të ardhmen do të thotë të shkëputesh nga ajo pjesë e të shkuarës që të mban në vend numëro apo të tërheq pas në çdo kuptim , në mentalitet, në sjellje, në qasjen ndaj qytetarëve, në qasjen ndaj proceseve politike, në qasjen ndaj dinamikës politike qoftë brenda vetes, qoftë në raport me kundërshtarit politik, në qasjen ndaj medias, në qasjen ndaj të vërtetës. Të zgjedhësh të ardhmen do të thotë të projektosh në emër të shqiptarëve dhe për shqiptarët jo emëruesin më të ulët të përbashkët, por ëndrrat e tyre më të mira për këtë vend dhe t’i kthesh ato në një projekt politik dhe pastaj me besimin e shqiptarëve ta zbatosh atë projekt politik. Padiskutim që pjesa sensacionale është vendimi që çdo person non grata nuk mund të jetë pjesë e organeve drejtuese, e institucioneve drejtuese të Partisë Demokratike”, tha Basha.