Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, foli publikisht për vendimin për përjashtimin e Sali Berishës nga grupi i PD, duke thënë se kjo vendimmarrje erdhi pas vendimmarrjes së SHBA.
I pyetur nga gazetarët se pse nuk del të përballet me anëtarët e PD, siç po bën ish-kryeministri Berisha, Basha deklaroi se ai ka dalë më shumë se çdo kryetar tjetër i PD në këto 30 vite dhe nuk e ka aspak problem të dalë sërish.
“Kam dalë më shumë se çdo kryetar i PD në këtë 30 vite e do dal përsëri. Unë nuk jam nga ata që shfrytëzoj momente të tilla për të bërë garë se kush e ka autokolonën më të gjatë e kush i mbush sallat më shumë, se e di që ajo është një garë e lehtë për mua. Nuk dua ta vendos z. Berisha në një pozitë inferioriteti. Situata dihet fare mirë. Vendimmarrja ka ardhur pas një vendimmarrje të SHBA. Interesit më të mirë të demokratëve dhe të nesërmes së shqiptarëve, të cilës nuk mund t’i shërbehet pa një PD të fortë, nuk i shërben përçarja e partisë për interesa personale të Bashës, edhe as të Berishës. Kjo është arsyeja pse jam vetëpërmbajtur e do vazhdoj të vetëpërmbahem, me besimin se siç jam i qartë unë e demokratët, janë të qartë edhe shqiptarët. Inatçorëve iu them se rruga pa krye ku janë futur dhe abuzimit që i bëjnë do iu vijë me faturën që s’ua kam dhënë këto tetë vite, politik sigurisht”, u shpreh Basha.