Kreu i PD, Lulzim Basha ka reaguar të dielën, duke deklaruar se zgjedhjet e 30 qershorit janë anuluar, por ndryshe nga herët e tjera që në mbyllje të protestës, njoftonte protestën e radhës, këtë herë duket se është tërhequr nga protestat. Duket se dekreti i Presidentit para protestës së djeshme e ka qetësuar opozitën, pasi edhe nga kampi i LSI, ende nuk ka asnjë deklaratë për protesta.
Në një mesazh në Facebook, Basha, duke hedhur një album me foto nga protesta e shtunës, ka deklaruar se beteja e PD do të vazhdojë, por pa dhënë një datë për protestën e radhës.
“Boll më me Shqipërinë që duan ata, tani është koha të luftojmë për Shqipërinë e të gjithë shqiptarëve! Ora e Shqipërisë si e gjithë Europa po troket dhe nuk ka forcë ta ndalë! Falë vendosmërisë tuaj të pathyeshme, falë bashkimit të zemrave dhe mendjeve të shqiptarëve të lirë, zgjedhjet farsë të 30 Qershorit u anuluan! Beteja jonë do të vazhdojë deri në triumfin e standardeve dhe vlerave europiane. Pengesa e vetme për në Europë është sundimi i shtetit të bërë njësh me krimin, është qeveria e ardhur me votën e krimit, është kryeministri i Avdylajve. Largimi i Ramës është i panegociueshëm”, ka deklaruar Basha.