Basha, politikë me tragjedinë: Qeveria diskriminon Manzën

AKTUALITET


Kreu i PD-së, Lulzim Basha vijon të shfrytëzojë tragjedinë e shkaktuar nga tërmeti duke drejtuar akuza ndaj qeverisë, se po diskriminon banorët duke bërë dallime në dhënien e ndihmës. Kreu i PD-së ka vizituar banorët e prekur nga tërmeti në zonën e Manzës dhe tha se këta banorë janë diskriminuar nga qeveria pasi nuk u është siguruar strehim si disa familje të tjera.

“Me dhjetëra familje, fëmijë të mitur, të sëmurë e të moshuar jetojnë në kushte mizerabël në një kamp çadrash të mbytura në baltë në Manzë. Banesat e tyre u dëmtuan rëndë nga tërmeti duke i lënë në qiell të hapur.  Shumë prej tyre u zhvendosën në çadra që nuk pengojnë dot shiun dhe të ftohtin.

Përveçse në kushte të rënda, ata ndihen të fyer dhe të diskriminuar. Sipas tyre disa familje janë strehuar në kontenierë, ndërsa të tjerë me fëmijë disa muajsh dhe të sëmurë janë lënë në çadra, ku shiu dhe balta ka përmbytur dhe ato pak gjëra që kanë.

Përveç braktisjes, këta banorë po përballen çdo ditë edhe me trajtim të diferencuar. Është kriminale të bësh dallime të tilla mes njerëzve të goditur njësoj e pa dallim nga tragjedia. Duhet urgjentisht që banorët që janë në kampin e llucës të strehohen në konteinerë ose në shtëpi me qera”, është shprehur Basha, i cili ka përsëritur edhe njëherë propozimin e tij që të anulohen koncensionet e oligarkëve dhe 150 milionë dollarët e tyre të përdoren për përballimin e situatës pas tërmetit.

“Zgjidhja është vlerësimi i shpejtë dhe real i dëmit të shkaktuar dhe lëvrimi i parave tek qytetarët për rikonstruksion apo rindërtimin e shtëpive. Është kriminale që qytetarët të kalojnë ditët dhe netët në shi, baltë, të ftohtë, pa ushqime, pa ngrohje, ndërsa 10 oligarkë të marrin 150 milion dollarë nga paratë e tyre.

Dështimi për të vepruar nga ana e shtetit po shton dhimbjet dhe vuajtet. Duhet menjëherë të përcaktohen fondet dhe të nisë financimi i nevojave të mijëra familjeve të mbërthyera në këtë emergjencë që sa më shumë zgjatet aq më shumë thellohet”, tha Basha.



Skip to toolbar