Basha: Reformë e thellë për votën

AKTUALITET


Në një takim me të rinj dhe intelektualë Lulzim Basha ka prezantuar platformën për reformimin radikal, sipas tij, të sistemit zgjedhor. Dhe qeveria kalimtare, 100 ditë përpara zgjedhjeveështë garante për votën e lirë. “Derisa Shqipëria të bëhet anëtare e BE, 100 ditë para zgjedhjeve shqiptarët të kenë një qeveri kujdestare për të menaxhuar procesin, për të garantuar zbatimin e ligjeve dhe votën e lirë”, tha ai.

“Zgjedhjet në Shqipëri janë prishur. Vota jonë nuk ka vlerë për shkak të paracaktimit të rezultatit. Është koha të ndryshojmë rregullat. Ndryshimi i parë, kontroll të plotë kushtetues dhe ligjor mbi kandidatët, që të jenë të pastër dhe me integritet. Kontrolli të bëhet nga një organizëm i pavarur. Ndryshimi i dytë, tolerancë zero për ata që përfshihen në shitblerjen e votës. Edi Rama i ka mbrojtur dhe promovuar, ne do t’i çojmë në burg. Ndryshimi i tretë, financimi i partive, që ato të mos varen nga biznese dhe individë të pasur.  Politikanët të varen nga njerëzit dhe të kontrollohen prej tyre. Kush financon partitë, përjashtohet nga marrja e tenderave publikë pas zgjedhjeve, që të mos përfitojnë për shkak të donacioneve për partitë. Ndryshimi i katërt, identifikim, votim dhe numërim elektronik. Do t’i bëjë zgjedhjet më të ndershme dhe rezultatin më të shpejtë. Ndryshimi i pestë, sistemi. Ne duam një sistem të thjeshtë, të qartë, përfaqësues. Një sistem, që i kërkon llogari qeverisë”, theksoi Basha.

Ai deklaroi se sistemi zgjedhor duhet të garantojë kontrollin dhe balancimin e pushteteve, në mënyrë që pushteti të mos përqendrohet në një dorë. Basha propozoi ngritjen e një Senati për llogaridhënien e qeverisë duke kërkuar që 40 anëtarët e Senatit të zgjidhen bashkë më 100 anëtarët e Parlamentit. “Parlamenti me dy dhoma nuk rrit koston për qytetarët, por ndryshon mundësinë për t’u shërbyer njerëzve në mënyrë pozitive. Arroganca dhe presioni i qeverisë nuk do të funksionojnë më për një parlament të fuqizuar me dy dhoma. Qeveria duhet të kërkojë konsensus me të dy dhomat”, u shpreh Basha, duke sjell dhe  shembujt e vendeve si SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Italia të cilat kanë Parlament me dy dhoma

Basha u shpreh i vendosur për reformën zgjedhore. “Shitblerja e votës shuan zërin e qytetarëve dhe i jep kontrollin një grushti politikanësh, biznesmenësh dhe kriminelësh të fuqishëm. Reforma zgjedhore është hapi i parë për t’i dhënë fund korrupsionit, për një ekonomi më të fortë dhe anëtarësim në BE. Mënyra e zhvillimit dhe rezultati i zgjedhjeve ndikon direkt në jetën tonë. Me një rezultat të ndershëm përfitojnë të gjithë shqiptarët”, deklaroi kreu i PD.



Skip to toolbar