Basha refuzoi prokurorinë, PD: Po u bëhet presion prokurorëve për ta arrestuar

Më të fundit


Pasi Basha ka refuzuar të paraqitet në prokurori për t’u marrë në pyetje si i pandehur për lobimin rus në SHBA, PD ka akuzar drejtuesen e Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj, se me urdhër te Edi Ramës po ushtron presion ndaj prokurorëve të çështjes për shoqërimin me forcë të kryetarit të opozitës Lulzim Basha që ta marrë në pyetje dhe më pas ta arrestojnë atë.

Në fakt, një veprim i tillë për shoqërimin me forcë, ishte paralajmëruar nga Prokuroria e Tiranës që në dërgimin e njoftimit, ku Basha vihej në dijeni se ishte marrë nën akuzë dhe urdhërohej paraqitja e tij për t’u marrë në pyetje. Në këtë shkresë, Prokuroria deklaronte se nëse nuk paraqitej, atëherë do të urdhërohej shoqërimi i tij nga oficerët e policisë gjyqësore.

Të hënën në mëngjes, Basha refuzoi të paraqitet në prokurori, por menjëherë pas refuzimit, PD ka deklaruar se po u ushtrohet presion prokurorëve që ta shoqërojnë me forcë dhe ta arrestojnë. “Me urdhër direkt të Edi Ramës, drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës Elisabeta Imeraj në dhunim flagrant të ligjit po ushtron presion të paligjshëm ndaj prokurorëve të çështjes për shoqërimin me forcë dhe arrestimin e kryetarit të opozitës, ndonëse kryetari i opozitës ka konfirmuar vullnetin për tu paraqitur në prokurori sapo kjo e fundit të zbatojë ligjin për thirrjen e tij”, thuhet në deklaratën e PD-së për mediat.

Ndërsa e konsideron kriminal presionin që sipas PD po ushtrohet nga drejtuesja e prokurorisë së Tiranës, selia blu thotë se gjithçka bëhet me urdhër direkt të Edi Ramës me qëllim për të larguar vëmendjen nga përgjimet e reja që ka paralajmëruar se do të publikojë sot gazeta gjermane BILD.

Deklarata e Plotë e PD:

Me urdhër direkt të Edi Ramës, drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës Elisabeta Imeraj në dhunim flagrant të ligjit po ushtron presion të paligjshëm ndaj prokurorëve të çështjes për shoqërimin me forcë dhe arrestimin e kryetarit të opozitës, ndonëse kryetari i opozitës ka konfirmuar vullnetin për tu paraqitur në prokurori sapo kjo e fundit të zbatojë ligjin për thirrjen e tij.

Ky presion kriminal përmes urdhrave të paligjshëm të prokurores së kapur Elisabeta Imeraj po ushtrohet me urdhër direkt të Edi Ramës me qëllim për të larguar vëmendjen nga përgjimet e reja që ka paralajmëruar se do të publikojë sot gazeta gjermane BILD.

Partia Demokratike paralajmëron prokuroren Imeraj dhe shefin e saj Edi Rama se ky skenar kriminal do të dështojë dhe ata do të jenë përgjegjës direkt për këtë veprim kriminal të paprecedentë të shkeljes së ligjit dhe provokimit ndaj opozitës.

Kamikazaja Imeraj nuk do ta shpëtojë dot Edi ramën. Asgjë nuk e shpëton dot Edi Ramën. As drejtësia e kapur prej tij.



Skip to toolbar