Prej shumë vitesh, largimi i futbollistëve “veteranë” nga radhët e përfaqësueses shqiptare, ka hapur shumë diskutime dhe janë të pakta rastet ku futbollistët kanë vendosur të tërhiqen vetë nga pjesëmarrja në ndeshjet me fanellën kuqezi. Migjen Basha, sot ka bërë në përjashtim të rrallë,pasi mesfushori 32-vjeçar, i cili bënte përsëri pjesë në planet e trajnerit Edi Reja, ka vendosur ta mbyllë këtu kapitullin e tij kuqezi.
Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, mesfushori ka bërë të ditur se po tërhiqej për t’i kushtuar më shumë hapësira familjes së tij, por edhe elementëve të rinj të përfaqësueses që kishin nevojë të tregonin vlerat e tyre me fanellën e saj.
“Mendoj qe ka ardhur momenti i duhur për mua që t’i dedikoj me tepër kohë familjes time. Por në të njëjtën kohë, t’i japim mundësinë dhe lojtarëve më të rinj të kenë më tepër hapësira në ekipin kombëtar.
Dua të falënderoj nga zemra të gjithë lojtarët e ekipit kombëtar, shokët e miqtë e mi gjatë këtyre viteve.
Falënderoj stafin teknik të ekipit kombëtar dhe Federatën Shqiptare te Futbollit për mundësinë”, shkruante futbollisti në rrjetet sociale.
Basha largohet nga Shqipëria pas 29 ndeshjesh të luajtura, gjatë të cilave ka gjetur 3 herë rrugën e rrjetës. Ai ishte pjesë e rëndësishme e skuadrës e cila siguroi dhe mori pjesë me sukses në Euro 2016, duke luajtur edhe gjatë këtij aktiviteti. Shpeshherë, ai është cilësuar si një shembull në radhët e përfaqësueses për elementët e rinj, e këtë radhë duket se po shërben si shembull edhe për lojtarët e brezit të që kanë veshur fanellën kuqezi.