Bashkia: 4 pallate të pabanueshme në Tiranë, qytetarët të mos bëjnë rezistencë

AKTUALITET


4 pallate në Tiranë janë shpallur të pabanueshme për shkak të dëmeve që kanë marrë nga tërmeti. Pas verifikimit nga ekspertët e Institutit të Ndërtimit, banorëve të këtyre pallateve të ndodhura në zonën  e Kamzës, Alliasit, Kombinat dhe rrugën “Myslym Keta”, u është kërkuar të largohen dhe të strehohen në qendrat sociale apo hotele të zonës, por kanë hasur në rezistencën e tyre duke mos pranuar të lënë banesat.

Pas tërmetit të fuqishëm të 26 nëntorit, Bashkia e Tiranës u angazhua menjëherë në terren me të gjithë punonjësit e saj, për të përballuar pasojat dhe ndihmuar qytetarët e prekur. Paralelisht me ndihmën që po u jepet banorëve në nevojë, grupet e punës së Bashkisë së Tiranës po verifikojnë në terren të gjitha banesat private dhe pallatet, për të evidentuar ndërtesat me probleme, të cilat mund të jenë të pabanueshme për shkak të goditjeve sizmike.

Deri më tani, grupet e punës me përbërje inxhinierë konstruktor, kanë konstatuar se disa godina janë të pabanueshme në Tiranë dhe kanë udhëzuar evakuimin e banorëve. Por, në 4 pallate, punonjësit e Bashkisë së Tiranës në terren kanë hasur në rezistencën e banorëve, të cilët nuk pranojnë të lënë banesat e tyre dhe të evakuohen në qendrat sociale ose hotele të zonës, sipas udhëzimit të inxhinierëve, për të shmangur çdo rrezik të mundshëm. Për këtë arsye, Bashkia e Tiranës kërkon bashkëpunimin e qytetarëve për të liruar menjëherë ndërtesat që janë të klasifikuar si të pabanueshme nga Instituti i Ndërtimit. Pallatet ndodhen në njësitë e mëposhtme:

  • Njësia Administrative 11, rruga “Fatmir Gjata”, Kodër Kamëz;
  • Njësia Administrative 4, pallati i ish-Konvikteve të Komunales së Tiranës, zona e Alliasit, Godina 1 dhe 2;
  • Njësia Administrative 4, pallati nr. 4, rruga “Myslym Keta”;
  • Njësia Administrative 6, pallati nr. 160 në rrugën “Llambi Bonata”, zona e ish-Kombinatit.

Bashkia e Tiranës i ka njoftuar dhe ua ka vënë në dispozicion banorëve të pallateve të mësipërme aktet e konstatimeve të Institutit të Ndërtimit, duke bërë rrethimin e zonës dhe vendosjen e perimetrit të sigurisë.



Skip to toolbar