Një nga prioritetet e bashkisë së Tiranës për vitin e ardhshëm do të jetë ndërtimi i 17 shkollave të reja, ndërkohë që investimi i radhës do të jetë edhe Kampusi i ri Universitar. Kështu është shprehur nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Anisa Ruseti gjatë një takimi me banorët e njësive 4 dhe 8 në Tiranë.
“Sigurisht një nga projektet më të rëndësishme do të kemi është ajo e 17 shkollave. 17 shkolla do të ndërtohen në Tiranë për të mbyllur përfundimisht mësimin me dy turne për të gjithë fëmijët e Tiranës. Bashkia Tiranë ishte ajo që u përgjigj e para nevojës së studentëve disa ambiente të rikonstruktuara dhe ambiente falas nëpërmjet kartës së studentit, por ne do të donim ta çonim përtej rikonstruktimit të ambienteve aktuale duke ndërtuar një kampus të ri, i cili do të sjelli shërbime multi-sektoriale dhe mundësi punësimi, edukimi dhe aktivitete sportive kulturore dhe sociale”, tha Ruseti. Ajo shtoi se falë edhe bashkëpunimit të suksesshëm me AADF, Bashkia e Tiranës do të transformojë edhe piramidën duke e kthyer në qendrën më të madhe të teknologjisë së inovacionit në rajon e që do të hapë një perspektivë të re për të rinjtë për punësim. “Bashkia Tiranë ka nënshkruar një marrëveshje me AADF për transformimin e Piramidës në qendrën më të madhe multifunksionale për të rinjtë, e fokusuar në arsimin dixhital”, tha ajo.
Fuqizimi ekonomik dhe rritja e vendeve të punës janë një tjetër prioritet i Bashkisë së Tiranës për vitin e ardhshëm. Ndaj, Bashkia e Tiranës ka ndërmarrë iniciativën për krijimin e zonës ekonomike të Tiranës (TEDA). “TEDA është një angazhim i Bashkisë Tiranë për të rritur numrin e vendeve të punës, me fokus tek vendet e punës cilësore të mirëpaguara siç janë ato, të industrisë automotive, teknologjike e inovacionit etj”, theksoi Ruseti duke shtuar se kryeqyteti do të ketë edhe një treg të ri agro-ushqimor, i cili do të ofrojë një hapësirë moderne ku fermerët mund të shesin produktet e tyre duke paguar çmime modeste krahasuar me tregun aktual.
Sa i përket infrastrukturës, krahas ndërhyrjeve nëpër lagje, nënkryetarja Ruseti përmendi edhe realizimit të sheshit fundor në fund të Bulevardit të Ri që do të jetë edhe një hapësirë çlodhëse për qytetarët si dhe shndërrimin e Bulevardit Zogu I në një zonë shopingu dhe turizmi. “Bulevardi i Ri ka përfunduar segmenti i tretë i Bulevardit të Ri duke i hapur rrugë realizimit të projektit për sheshin fundor si një hapësirë e gjerë që do të shndërrohet në një atraksion për të gjithë, përveç disa institucioneve parashikohet që aty të ndërtohen edhe disa nga godinat që do të përdoren nga shumica e bizneseve për ta kthyer atë në një zonë FINTEK. Bulevardi Zogu I do të jetë një bulevard i ri i cili do të ofrojë shërbime shoping & turizëm. Projekti i ri parashikon fasada të rehabilituara, lulishte të vogla duke e kthyer në një zonë komerciale me shërbime dhe dyqane për shoping dhe atraksion për turistët”, deklaroi Ruseti.