Në Bashkinë Selenicë, tashmë e udhëhequr nga PS, janë larguar 66 punonjës të administratës për shkak të përfundimit të kontratës së punës. Për largimin e tyre ka reaguar vetë kryebashkiaku i ri i Selenicës, Pëllumb Binaj, i cili tha se në këto largime nuk ka asnjë prapavijë politike, por atyre u ka mbaruar kontrata që në qershor të 2019. Binaj tha se ka qenë vetë Kontrolli i Lartë i Shtetit i ka kërkuar kryebashkiakut të mëparshëm, Përparim Shameti i ardhur nga listat e PD, që t’i rinovonte kontratat sipas ligjeve të Kodit të Punës ose t’i largonte ato.
“KLSH ushtroi kontroll dhe pa se 66 persona punonin thuajse në të zezë pa një kontratë të mirëfilltë pune thjesht me një kontrate fiktive që këta persona kishin nënshkruar për të punuar në Bashkinë Selenicë deri në qershor të 2019. Tashmë që qershori kaloi këta persona kanë mbetur pa pune sepse i ka selektuar vetë kontrata, i ka pushuar nga puna vete kontrata dhe jo unë si kryetar i bashkisë Selenicë. Unë nuk kam pranuar që kur mora detyrën që të nënshkruaj një kontrate të njëjtë fiktive dhe pa rregulla me këta persona. Në Bashkinë Selenicë që prej fillimit të punës sime do të punësohen persona me rregulla brenda legjislacionit të punës”, tha Binaj, i cili mohoi në mënyrë kategorike sa në këto shkarkime të jenë politike.
Punonjësit e larguar, të cilët merrnin një pagë 10 mijë lekë të reja në muaj, punonin në sektorin e shërbimeve publike, kryesisht në pastrim dhe gjelbërim.
Shkarkimet për qëllime politike janë ndaluar rreptësishtë nga kryeministri Rama, i cili ka dhënë urdhër të prerë për të gjitha bashkitë e vendit se nuk do të ketë shkarkime apo punësime në administratë për çështje politike, por vetëm lidhur me aftësitë e tyre.