Një nga përgjigjet që mund të merrni përse Sali Berisha është në listë të zezë së SHBA, familjarisht mes të tjerash si hajdut i fondeve publike në kohën që ka qenë kryeministër, është tek “Foltorja”.
Për organizmin e këtij aksioni politik, duket që po harxhohen miliona nga familja e Sali Berishës. Mund të bëni disa llogari. Sali Berisha ka tre vetura me truproja private, plus veturën e tij super të shtrenjtë, me të cilat shëtit në gjithë Shqipërinë. Fatura e një eskorte të tillë për gjithë vitin shkon tek 200 mijë euro, duke mos llogaritur këtu kostot e udhëtimit për takimet e “Foltores”.
“Foltorja” është e centralizuar si produkt mediatik. Aty nuk lejohet të hyjnë media të tjera por sinjali prodhohet nga televizioni i familjes Sali Berishës. Dhe kjo ka kosto, pa llogaritur që vetë ky kanal harxhon mbi 1 milionë euro në vit të padeklaruara. Po kështu ka një marketing digjital të padeklaruar, që shkon po ashtu në qindra mijëra euro.
Takimi virtual i Berishës në SHBA, një vend që ka rregulla për transparencë financiare, mbahet në një sallë shumë të shtrenjtë, pa llogaritur këtu udhëtimin dhe qëndrimin aty të dy moderatorëve të “Foltores”.
Ka dhe dhjetëra detaje të tjera, shpenzime të fshehta ku hyjnë njerëzit që merr nga pas me vetura në çdo takim, dhe për të përmendur pagesa nën dorë për pika të debatueshme të mbështetjes së tyre në publik brenda PD.
Sali Berisha nuk ka asnjë transparencë për këto shpenzime. E di që janë shumë të vogla në raport me fitimet e familjes Berisha në pushtet, pasi të gjitha nuk kapin as ryfshetin e koncesionit për ngjyrosjen e naftës apo pullave fiskale. Por ama është një shenjë se Berisha po reagon si njeri i pasur ndaj SHBA dhe jo si një asket i mbetur pa lek.
Pas vitit 1997, kur ai po ashtu ishte në krizë me SHBA, por jo në këtë nivel, ai nuk ja dilte dot as të merrte një sallë me qira për takime. Opozita e tij ishte e varfër, bazike, e pa financuar dhe në kontrast me luksin e qeverisë. “Foltorja” e Sali Berishës më shumë se sa demonstrimi i një viktime të SHBA, është demonstrimi i një pasaniku të majmur kundër SHBA, që është tërbuar pse duan t’i prekin pasurinë. Paret e fshehura të familjes po dalin sheshit dhe po investohen për t’i bërë karshillëk SHBA. Ndaj mos pyesni Sekretarin Blinken ku i ka gjetur faktet. Pyesni Sali Berishën ku i gjen paratë për “revolucionin e “Foltores” kundër SHBA.