Baze: Fajtorët kanë emër, shantazhuesit kanë dhe  “pseudonim” 

Më të fundit


Sot paradite kryetari i SPAK Arben Kraja u bë objekt i një telendisje publike nga Ilir Meta, duke e sulmuar me një fjalor poshtërues, për shkak të mbërritjes së një njoftimi, se ndaj Ilir Metës ka nisur një hetim penal. 

Shumë vetë kanë dyshimet e tyre për punën e SPAK dhe posaçërisht kryetarit të saj. Sulmi i egër i Ilir Metës, shikohej dhe si lojë mes tij dhe kryetarit të SPAK, për të zbutur lodhjen që ka në opinion publik nga mosveprimi i SPAK ndaj fakteve publike që ekzistojnë për Sali Berishën dhe Ilir Metën, dhe marrjen fjala vjen, deri me pllaka banjash për një shkollë në Tiranë.

Po ashtu, mbyllja e gojës së Arben Krajës kur gazetarja e Zërit të Amerikës e pyeti pse nuk hetoni Sali Berishën, e ka dëmtuar dhe më autoritetin e tij. Bëhet fjalë për Sali Berishën, një politikan i cili në Shqipëri ka tanimë për 30 vjet dhe varrezën e tij private të të vrarëve të tij, më të madhe se varreza e fshatit të vet në Viçidol, por që SPAK thotë ende nuk kemi fakte.

Nën këtë klimë dyshimesh ndaj një loje lufte mes SPAK dhe Ilir Metës, reagimi i ashpër i ambasadores së SHBA në Tiranë, pas kërcënimeve të Ilir Metës, e bëri më të qartë situatën. Ilir Meta dhe më pas gjithë partia e tij, filluan postimet e tyre qesharake, se Arben Krajën e kishte sulmuar Edi Rama e jo Ilir Meta. Të njëjtët, dy orë më parë kishin të gjithë postime poshtëruese ndaj tij.

Shantazhi i tyre ishte me emër dhe mbiemër. Zbythja po ashtu. Kjo tregon se reagimi i Ambasadës së SHBA funksionoi dhe shantazhistët u tërhoqën nga deklaratat e tyre, por jo nga presioni i tyre mbi SPAK. Ata vazhdojnë ta trajtojnë SPAK, si një instrument për të bërë betejë politike me Edi Ramën dhe duke krijuar në imagjinatë skena lufte me të, me ndihëm e SPAK.

Vetë SPAK nuk ka folur. Arben Kraja nuk ka reaguar ndaj shantazheve, edhe pse ato shantazhe janë të mjaftueshme që Ilir Metën ta arrestosh qoftë dhe si shantazhues të drejtësisë, ashtu siç është një nga tre akuzat e SHBA, për Sali Berishën. 

Por mënyra se si u reagua, duket sikur këtu punon vetëm Ambasada e SHBA dhe jo drejtësia. Beteja për drejtësi në Shqipëri nuk është betejë vetëm e SHBA. SHBA ka bërë maksimumin që mund të bëjë një aleat strategjik i Shqipërisë, për ta çliruar drejtësinë shqiptare nga politika dhe mafia. E bëri përsëri sot. 

Por SHBA nuk mund të jetë tutore e drejtësisë së re shqiptare. Ky do të ishte një proces që do dëmtonte më shumë SHBA, por dhe drejtësinë tonë. SHBA nuk ka luftuar për reformën në drejtësi që ta komandojë, por që ta ngrejë atë në këmbë dhe të vet-funksionojë. Ajo duhet të funksionojë si drejtësi e përgjegjshme, e aftë për të dhënë drejtësi, dhe jo si një drejtësi që përpiqet të justifikohet me SHBA.

Fakti që shanatazhuesit u trembën nga reagimi i SHBA në mbrojte të SPAK, tregon se në komunikimin e tyre me SPAK, ata i referohen si institucion frike vetëm SHBA, dhe jo ligjit apo procedurave korrekte që duhet të ndjekin.

Madje dhe ndryshimet e pritshme ligjore që nxjerrin nga politika personat “non grata” apo ish- bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit, marrin ngarkesë negative, pasi lidhen me dy emra të përveçëm, Sali Berishën dhe Ilir Metën, të cilët po të kishte vepruar drejtësia, nuk kishte nevojë të penalizoheshin nga këto dy ligje speciale që duhen për të tjerë. Dhe kjo është një përgjegjësi e SPAK, që i faturohet SHBA-së.

Zbythja e shantazhuesve të Ilir Metës sot është provë e qartët për këtë. Por SPAK nuk duhet t’ia lërë këtë barrë SHBA, por duhet ta mbajë mbi shpatullat e veta. Ashtu siç ka marrë mbi shpatullat e veta dënimin e ministrave të Partisë Socialiste, ish- deputetë apo zyrtarë të lartë të saj, po ashtu duhet të marrë përsipër çuarjen para ligjit të Sali Berishës dhe Ilir Metës, së paku dy udhëheqësve të lartë të këtij vendi, që kanë lënë më shumë gjurmë të krimeve të tyre rrugëve të këtij vendi, se sa gjurmë të ecjes së tyre në rrugët e Tiranës, pasi kanë 30 vjet në makinat e shtetit. 

Dhe ashtu sikur shantazhuesit kanë emër, dhe drejtësia ka nevojë të flasë me emra. SPAK duhet të bëjë vetë publik objektin e hetimit për Ilir Metën, pasi interesi publik për të predominon mbi procedurat administrative të tyre.

Që njerëzit të binden se nuk është duke bërë “lojë luftash” me një personazh që ka 30 vjet që sundon Shqipërinë, duke e marrë peng atë në emër të atij që ka marr peng Ilir Metën me dosjen e vet, SPAK duhet të jetë transparent në objektin e hetimit të tij dhe të mos bëjë publike copëza procedurash si kjo e formularit, e cila nuk u thotë asgjë shqiptarëve, përveç dyshimit se duan ta nxjerrin pa lagur Ilir Metën.

Unë shpresoj që hetimi i tij do të jetë i thellë dhe për çdo akuzë që i është bërë publikisht apo çdo fakt që është dorëzuar në Prokurori. Nuk dua ta paragjykoj punën e tyre dhe as integritetin e tyre profesional, por shumë fakte deri tani kanë ngelur jetimë dhe fajtorët kanë mbetur pa emër. 

Krimi në Shqipëri ka emër. Siç e thashë, Sali Berisha ka aq shumë krime familjarisht, sa kanë dhe varrezë private në Shqipëri, afër vendit ku pastrojnë para me boronica. Edhe Ilir Meta vërtet ka dy emra dhe një pseudonim, por faktet për vepra penale i ka sheshit. Ndaj SPAK nuk duhet t’i trembet as shantazheve dhe as emrave të përveçëm. Pseudonimeve jo e jo. 



Skip to toolbar