Presidenti i Republikës Ilir Meta, u shfaq sot mbasdite para gazetarëve, për t’ua bërë të qartë SHBA-së dhe Bashkimit Europian, se ai nuk do të tërhiqet nga vendimi për ta lënë vendin pa zgjedhje, derisa opozita të japë konsesusin për to. Duke ironizuar me deklaratat e Komisionit Europian dhe OSBE, si dhe ato të SHBA-së, Meta tha se nëse dëshirojnë zgjedhje si ato që tentojnë të bëjnë më 30 qershor, amerikanët mund të shkojnë në Kore të Veriut, por jo në Shqipëri.
Paranoja e Ilir Metës dhe Sali Berishës ndaj Perëndimit nis me reformën në drejtësi. Ata janë të fiksuar se ndaj tyre ka një komplot ndërkombëtar, që nis me reformën në drejtësi, të cilën e perceptojnë si një instrument kundër pushtetit dhe së shkuarës së tyre. Dhe mekanizmi që ata kanë menduar për ta hedhur në erë realizimin e saj, tani që është në hapat e fundit, është destabilizimi politik i vendit, dhe përpjekja për t’i treguar vendin Perëndimit, në emër të sovranitetit.
Pas shfaqjes një ditë më parë herët në mëngjes, me sqarimet për ç’dekretimin e zgjedhjeve, të cilën e përmbylli me një gjest simbolik të formimit të shqiponjës me dy duar, sot Meta tentoi të sillet si sovranist përballë “fuqive të mëdha”, duke u treguar atyre derën dhe duke u sjellë si i zoti i shtëpisë.
Duke deklaruar me cinizëm se nuk kemi nevojë për eurojuristë dhe eurodiplomatë, Ilir Meta është brenda delirit të vet, se nëse bëhet një lider nacionalist anti-perëndimor, do të bëhet popullor në Shqipëri. Dhe këtu është në një keqkuptim të madh me shqiptarët.
Sot shqiptarët nuk janë të shqetësuar nga ndikimi i madh i SHBA në Shqipëri, por nga frika se mos SHBA lodhet me krizën tonë dhe na lë në dorë të njerëzve si Ilir Meta e Sali Berisha.
Shqiptarët nuk janë të shqetësuar se po humbasim sovranitetin duke hyrë në BE, pasi kemi kërkuar vetë t’ia dorëzojmë sovranitetin Bashkimit Europian, duke u bërë pjesë e tij, por janë të shqetësuar nga pengesat që po hasin në këtë rrugë.
Drama reale e shqiptarëve, është se po përpiqen të hyjnë në Bashkimin Europian, dhe janë të penguar nga bllokimi i kësaj rruge nga politikanë si Ilir Meta dhe Sali Berisha. Ca kusure i kanë dhe të tjerët, por këta të dy e kanë strategji.
Problemi real i Sali Berishës dhe Ilir Metës është pse Bashkimi Europian dhe SHBA kanë diktuar në Shqipëri reformën në drejtësi. Dhe për t’i zbuar nga reforma në drejtësi, tani duan t’i zbojnë nga Shqipëria, duke destablizuar zgjedhjet, me metoda të qarta talebane.
Vetëm talebanët në Afganistan dhe Ilir Meta me Sali Berishën në Tiranë, po provojnë të ndalojnë popullin të votojë. Edhe Serbia e ka lejuar Kosovën të votojë prej vitit 1990 deri më 1999, në një Republikë të vetëshpallur, duke e pasur popull armik.
Ilir Meta dh Sali Berisha ngjajnë në këtë pikë vetëm me talebanët. Dhe kjo është e vetmja gjë historike që do t’u mbesë atyre, pasi janë dy udhëheqësit politikë, që kanë prishur institucionin e zgjedhjeve në Shqipëri.
Berisha ka destabilizuar zgjedhjet më 1996 dhe Ilir Meta ka grabitur vota me policë dhe banditë më 2001. Këto i kanë bërë kundër njëri- tjetrit si banditë. Tani janë bërë të dy bashkë për të mos lënë shqiptarët të votojnë.
Por duke menduar se do t’i dalin zot shqiptarëve kundër Perëndimit, Ilir Meta dhe Sali Berisha, janë në drejtim njëqind përqind kundër interesave të shqiptarëve.
Shqiptarët nëse kanë besim tek reforma në drejtësi, e kanë pasi e dinë, se aty janë SHBA dhe Bashkimi Europian.
Shqiptarët nëse kanë pak shpresë për të ardhmen e vendit të tyre, e kanë se ata besojnë që do hyjnë në Bashkimin Europian dhe do qeverisemi nga Perëndimi.
Shqiptarët janë më së paku të interesuar që të quajnë zot të vendit të tyre Ilir Metën. Nuk ja kanë dhënë kurrë këtë shans me votat e tyre, edhe pse është emëruar president i tyre, falë pazareve të tij.
Ilir Meta dhe Sali Berisha mund të ndjehen të sigurtë në një Shqiperi të kthyer në shpellë, ku strehohen nga frika e Perëndimit, por shqiptarët nuk ndjehen të sigurtë në shpellën e tyre.
Se ditën që ata binden se janë në dorë të Ilir Metës dhe Sali Berishës, shqiponja me dy krerë, u duket si gjarpër me dy koka. Dhe mund të ketë plot shqiptarë, që mund të ikin nga sytë këmbët nga vend prej tyre, por ka dhe një shumicë që gjarprit preferon t’ia shtypë kokën.