E vetmja gjë e re pas protestës së 7 korrikut, është se shumë personazhe që morën pjesë aty si opozitarë, po nxitojnë të thonë se njerëzit nuk u mblodhën për Berishën, por nga pakënaqësia ndaj qeverisë.
E thonë këtë aleatë të Berishës, deputetë të PD që nuk janë me Berishën, por dhe deputetë që i janë bashkuar qysh në fillim Berishës.
Ajo që është interesante, është se e thonë si njerëz të kapur në faj, që duan të shpjegohen pse Berisha ua vodhi protestën.
Në të vërtetë, Berisha e bëri protestën pikërisht për këtë, për të marrë zemërimin kundër qeverisë dhe për t’ia përplas në fytyrë kundërshtarëve të tij në PD, që i vunë në dyshim legjitimitetin në krye të PD.
Të gjithë jemi të qartë që ka pakënaqësi për gjendjen ekonomike dhe akoma më shumë mund të ketë në të ardhmen, nëse bota hyn në spiralen e krizës së fortë ekonomike dhe recesionit.
Ashtu siç përdori dikur zemërimin ndaj Lulzim Bashës duke e kthyer në një zemërim kundër SHBA, tani mori zemërimin kundër qeverisë, duke e kthyer në një test legjitimiteti kundër Lulzim Bashës dhe SHBA së bashku.
Pra nuk është se Berisha bëri diçka që nuk kuptohej ç’po bënte.
Ajo që nuk kuptohet çfarë po bënte pjesa kundër Sali Berishës në opozitë, e cila në shumicë, është e kompleksuar nga Sali Berisha, dhe ai i vë në rresht edhe kur i përdor kundër vetes së tyre.
Dhe ky është suksesi real i protestës së tij më 7 korrik. Është pikërisht pushtimi me dhunë i opozitës. Tani shpjegimet se njerëzit dolën kundër Edi Ramës, kundër çmimeve, kundër korrupsionit etj, janë shpjegime që vijnë nga kompleksi i fajit që ekziston brenda opozitës, në raport me pamundësinë për të ndalur Sali Berishën.
Por kjo nuk e shqetëson Sali Berishën. Ai e di që nuk e duan shumica e lidershipit opzitar. Madje për këtë arsye, ai i la ata të gjithë në shesh dhe ngjiti në tribunë vetëm njerëz me devijime të forta psikike, delirantë, mitomanë, konspiracionistë dhe njerëz që ngjanin sikur ishin arratisur nga klinika nr.5.
E bëri pikërisht për t’u treguar këtyre që kompleksohen prej tij, se ata mund t’i zëvendësojë me kë të dojë. Dhe kur e mendon këtë, është më mirë të thuash se ata njerëz dolën për Berishën, se sa të thuash se dolën për ata të çmendurit para tij në tribunë.
Ai thjesht gjeti një mënyrë që të dukej më normali mes atyre të çmendurve. Dhe jo më i çmenduri mes këtyre “normalëve”, që i shkojnë edhe në protestë dhe pastaj distancohen prej tij.