BE i kërkon Kosovës të shpallë zgjedhjet në veri “sa më shpejt”

KOSOVA


Bashkimi Evropian i ka vlerësuar takimet e fundit në Bruksel mes të dërguarit të lartë për dialog Miroslav Lajçak me kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq si “të vështira” dhe se ato “nuk kanë prodhuar rezultate të menjëhershme”.

Këtë e bëri të ditur një zëdhënës në BE, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, duke iu referuar deklaratës së fundit të zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, i cili të hënën, gjatë një takimi me gazetarë në Prishtinë ka thënë se Kosova nuk duhet të shpallë zgjedhje në veri të vendit, pa u hequr masat ndëshkuese të vendosura nga Bashkimi Evropian.

Zëdhënësi i BE-së, edhe pse nuk i komentoi deklaratat e Bislimit, përsëriti thirrjen e BE-së për shpalljen e zgjedhjeve nga ana e Kosovës, si dhe bëri thirrje që serbët që jetojnë në katër komunat veriore të marrin pjesë në këto zgjedhje.

“Ne nuk i komentojmë komentet. Megjithatë ne shfrytëzojmë rastin për të përsëritur se BE-ja pret nga palët që të implementojnë kërkesat që janë shprehur në deklaratën e 27 vendeve të BE-së me 3 qershor të vitit 2023. Kjo qartë përfshin se zgjedhjet e jashtëzakonshme duhet të shpallen sa më shpejtë që të jetë e mundur, të organizohen në mënyrë gjithëpërfshirëse në të gjitha katër komunat Serbe në veri. Nga serbët e Kosovës pritet që të marrin pjesë në këto zgjedhje”, thuhet në përgjigjen e Bashkimit Evropian.

Qeveria e Kosovës është pajtuar më 10 korrik që të bëjë një deklaratë publike, për të mbështetur mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në 4 komunat veriore, pas verës.

Sipas marrëveshjes të arritur me BE-në, Kosova përkushtohet të sigurojë bazën e nevojshme ligjore për të mundësuar organizimin e zgjedhjeve.



Skip to toolbar