Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, u zotua se presidenti rus, Vladimir Putin, do të mbahet përgjegjës për vdekjen e udhëheqësit rus të opozitës, Alexei Navalny.
Ai i bëri komentet pas një takimi që zhvilloi në Bruksel me të venë e tij, Yulia Navalnaya, shkruan REL.
Vdekja e Navalnyt në një burg të Arktikut, javën e kaluar, e tronditi opozitën në mërgim të Rusisë, e cila, ashtu sikurse Perëndimi, drejtoi gishtin e fajit nga Kremlini.
“Ne i shprehëm ngushëllimet më të thella të BE-së Yulia Navalnayas. Vladimir Putin dhe regjimi i tij do të mbajnë përgjegjësi për vdekjen e Alexei Navalnyt”, shkroi Borrell në platformën X.
“Siç e tha edhe Yulia, Putini nuk është Rusi. Rusia nuk është Putin. Ne do të vazhdojmë mbështetjen tonë për shoqërinë civile të Rusisë dhe mediat e pavarura”, shtoi ai.
Navalnaya iu drejtua ministrave të jashtëm të BE-së në Bruksel, pasi u zotua se do të vazhdojë luftën e burrit të saj kundër kontrollit të vrazhdë të Putinit mbi Rusinë.