BE jep 94 milionë euro, si ndahen: Drejtësia dhe shteti ligjor marrin 60 milionë

AKTUALITET


Bashkimi Evropian ka vendosur të mbështesë me 94 milionë Euro procesin e anëtarësimit të Shqipërisë, duke konfirmuar pozicionin e vet si donatori i parë për Shqipërinë. Një ditë më herët, Ambasadori i BE-së Luigi Soreca dhe Zëvendësministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Sokol Dedja, nënshkruan Marrëveshjen e Financimit IPA 2018, por si do të ndahen 94 milionë eurot e BE, ku pjesën dërmuese, prej 45% e merr reforma në drejtësi. Programi IPA 2018 përmban dy veprime në sektorin e shtetit ligjor dhe të drejtave themelore. Objektivat e tyre janë të krijojnë një sistem efektiv dhe efikas të zbatimit të ligjit, i cili është në gjendje të prodhojë një historik të besueshëm në luftën kundër krimit të organizuar dhe të mbështesë krijimin e një sistemi gjyqësor të përgjegjshëm, të pavarur dhe efikas, të harmonizuar me legjislacionin e BE-së dhe me praktikat më të mira.

Reforma në Drejtësi

Be ka vendosur që 42 milionë euro t’i japë për reformën në drejtësi, siç u deklarua edhe një ditë më herët. Ky fond synon të kontribuojë në forcimin e pavarësisë, transparencës, efikasitetit, përgjegjshmërisë dhe besimit të publikut në sistemin e drejtësisë shqiptare, në përputhje me standardet evropiane, si dhe do të forcojë mbrojtjen e të drejtave të njeriut në sistemin e burgjeve. Kjo shumë përfshin një zarf prej 34 milionë Eurosh, i cili vihet në dispozicion posaçërisht për të kontribuar në buxhetin e Shqipërisë pas arritjes së rezultateve të zbatimit të strategjisë së drejtësisë. Kjo përfshin përmirësime në kornizën institucionale dhe efikasitetin operativ të sistemit gjyqësor, për të konsoliduar arsimin juridik dhe për të përmirësuar specializimin e magjistratëve dhe personelit gjyqësor, rritjen e efikasitetit të sistemit të drejtësisë penale dhe të masave antikorrupsion; përmirësimin e funksionimit të sistemit të drejtësisë duke përdorur procedurat e modernizuara, sistemet IT dhe pajisjet elektronike.

Krimi i organizuar dhe droga

Rreth 19 milion euro nga BE do të shkojnë për Shtetin Ligjor – Luftën kundër krimit të organizuar dhe drogave dhe do të kontribuojnë për një sistem efektiv dhe efikas të zbatimit të ligjit për të luftuar krimin e organizuar dhe trafikun e drogave, si dhe do të mbështesë zhvillimin socio-ekonomik në komunitetet e prekura. Ai synon të përmirësojë kapacitetin e Policisë së Shtetit Shqiptar dhe Prokurorisë së Përgjithshme, si dhe të agjencive përkatëse që merren me krimin e organizuar, përfshirë trafikimin e drogës dhe kultivimin e kanabisit, të mbështesë hetimet financiare dhe konfiskimet; administrimin efektiv të kufijve të gjelbër dhe kufijve blu; forcimin e Akademisë së Sigurisë, përmirësimin e kapacitetit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Institutit të Shëndetësisë për të analizuar përdorimin e drogës. Ai do të mbështesë komunat e zgjedhura për të ofruar shërbime dhe kushte jetese alternative për komunitetet e prekshme nga kultivimi dhe trafikimi i kanabisit.

Mjedisi dhe ujërat e zeza

BE do të japë gjithashtu 24.1 milionë euro për një mjedis më të pastër, që do të sigurojë mbështetje për trajtimin e ujërave të zeza. Ky zë synon të përmirësojë cilësinë e ujit dhe kështu do të kontribuojë në zhvillimin ekonomik, shoqëror, mjedisor dhe territorial, si dhe do të rrisë atraktivitetin e turizmit. Kjo do të forcojë infrastrukturën e ujërave të zeza të bashkive dhe do të përmirësojë funksionimin e ndërmarrjeve ujore – për shërbime më të mira për qytetarët dhe më pak ndotje të natyrës. Aksioni do të mbështesë përafrimin progresiv me acquis të Bashkimit Evropian dhe gjithashtu kontribuon në arritjen e objektivave të Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit dhe Integrimit në lidhje me ujin për njerëzit.

Zhvillimi ekonomik

Veprimi prej 6 milion Eurosh i BE-së për Zhvillimin Ekonomik – Zhvillimi ekonomik vendor i udhëhequr nga turizmi me fokus në trashëgiminë kulturore synon të rrisë kontributin e turizmit të qëndrueshëm dhe të përgjegjshëm në rritjen ekonomike të Shqipërisë, duke rigjeneruar kështu strukturën vendore ekonomike dhe mjedisin urban me rehabilitimin e Bylisit si një sit unik i trashëgimisë kulturore shqiptare dhe evropiane.

Ndihmë institucioneve

E fundit, por jo më pak e rëndësishme, 3 milion Euro do të lehtësojnë dhe mundësojnë pjesëmarrjen e institucioneve shqiptare në programet dhe agjencitë e Bashkimit Evropian, si Doganat 2020, Fiscalis 2020 – Programi për Punësim dhe Risi Sociale, Erasmus +, COSME, Evropa Krijuese, Nën-Programi Kultura dhe Media, Evropa për qytetarët, Horizont 2020, Drejtësia, Agjencia e BE-së për të Drejtat Themelore.



Skip to toolbar