BE “ngrin” asetet ruse/ Bllokohen miliarda euro derisa Ukraina te kompensohet per demet

BOTA


Bashkimi Europian ka vendosur të mbajë të ngrira asetet e Bankës Qendrore Ruse për një të ardhme të pacaktuar. Ky hap bazohet në një dispozitë për emeregjenca ekonomike të unionit që parandalon përpjekjet për të kthyer 210 miliardë euro para se Ukraina të kompensohet.

Kjo lëvizje, e rënë dakord nga ambasadorët e vendeve të Bashkimit Europian, do të thotë që blloku nuk do e ketë të nevojshme të rinovojë çdo gjashtë muaj ngrirjen e aseteve ruse.

Normalisht, vendimet për sanksione kërkojnë miratim unanim nga të 27 shtetet anëtare, por sipas Nenit 122, që u aktivizua në këtë rast, Bashkimi Europian mund të veprojë me shumicë të kualifikuar, kështu që një shtet i vetëm, si Hungaria ose Sllovakia, nuk mund ta bllokojë këtë veprim

Duke vepruar kështu, unioni 27-anëtarësh bllokon asetet nën juridiksionin e tij për të ardhmen e mes frikës se Shtetet e Bashkuara mund të kërkojnë kontrollin e fondeve ruse dhe t’i përdorin ato në një marrëveshje të ardhshme me Moskën për t’i dhënë fund luftës.

Ky hap ndalon transferimin e 210 miliardë eurove në asete përsëri në Bankën Qendrore Ruse. Pjesa më e madhe e aseteve, 185 miliardë euro, mbahet në Euroclear, një depozitë qendrore e letrave me vlerë në Bruksel. 25 miliardë eurot e mbetura mbahen në banka private.

210 miliardë euro do të lirohen kur veprimet e Rusisë objektivisht të mos paraqesin rreziqe të konsiderueshme për ekonominë europiane dhe Moska t’i ketë paguar dëmshpërblime Ukrainës pa pasoja ekonomike dhe financiare për bllokun.

Bashkimi Europian ka tentuar vazhdimisht të përdorë asetet ruse për të financuar Ukrainën, por është përballur me pengesa të ndryshme ligjore.

Banka Qendrore e Rusisë tha se planet e unionit për të përdorur asetet e saj janë të jashtëligjshme dhe ka ngritur padi ndaj Euroclear në një gjykatë në Moskë, për shkak të atyre që i cilësoi si veprime dëmtuese.



Skip to toolbar