BE për qëndrim pragmatik ndaj talibanëve

BOTA


Për kreun e diplomacisë europiane, Josep Borrell është një sukses. Ministrat e Jashtëm të BE të premten (03.09) në takimin në Brdo, Slloveni dolën me një qëndrim të përbashkët në lidhje me talibanët. Kemi rënë dakord për kërkesa minimale që ata duhet t’i plotësojnë për një „angazhim operues” të europianëve me pushtetarët e rinj, tha Borrell pas takimit në Brdo. „Afganistani ka rëndësi për sigurinë tonë”, theksoi Borrell, ndër të tjera bëhet fjalë që të pengohet eksportimi i terrorizmit dhe drogës.

Pragmatizmi si lajtmotiv

Gjermania dhe Franca kishin përgatitur një dokument në kuadër të takimit të ministrave të Jashtëm, por dukej se ujdia ishte e qartë që në fillim. Duhen mbajtur „kontakte pune” me talibanët, theksoi ministri i Jashtëm i Lituanisë, Gabrielius Landsbergis, duhet punuar me vendet fqinjë të Afganistanit dhe duhet penguar nje krizë e re e migracionit. Kjo ishte edhe çështja që preokuponte më shumë ministrin e Jashtëm austriak, Alexander Schallenberg, që kërkoi një qëndrim të qartë të përbashkët.

Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas u shpreh, se „ne duam të qartësojmë me talibanët, se cilat janë pritshmëritë tona dhe për këtë kemi rënë dakord”. Sipas Maas bashkëpunimi do të varet nga një sërë kushtesh. Kontaktet me talibanët do të maten me atë, se sa i plotësojnë ata këto kushte, theksoi kreu i diplomacisë europiane, Josep Borrell.

Përveç kësaj, kërkesa evropiane është që qeveria e re të jetë përfshirëse, por diplomatët pranojnë, se aty me siguri nuk do shihen shumë gra. Ndoshta BE duhet të jetë e kënaqur me përfshirjen e pakicave si Hazara apo lordët e mëparshëm të luftës. Nga ana tjetër duhen respektuar rregullat ndërkombëtare për ndihma humanitare dhe të sigurohet liria e lëvizjes dhe e daljes nga vendi, të atyre që kanë frikë nga përndjekjet.

Jo bardhë e zi

Nuk do ketë një vlerësim bardhë e zi, theksuan diplomatët në fillim të takimit. Nëse talibanët i përmbushin kriteret në masë të shumë të vogël, angazhimi do të kufizohet tejet, e do të mbetet vetëm për të penguar katastrofën humanitare, që kërcënon vendin në dimrin që po afron. BE ka këtu interesin e saj. Nëse kërcënon një katastrofë urie, kjo mund të shkaktojë një valë emigrantësh, tremben shumë përfaqësues të BE.

Gymnich-Treffen in Brdo Slowenien

Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas pret sinjalet e para nga krijimi i qeverisë në Kabul, që pritet në fundjavë. „Ne kemi dëgjuar në ditët e fundit shumë sinjale të moderuara, por këtë duhet ta masim me veprat dhe jo me fjalët e tyre”, tha Maas.

Një nga shqetësimet e europianëve është evakuimi i njerëzve që u lanë në gjendjen kaotike pas përmbylljes së misionit ushtarak të shpëtimit. Këtu kërkohet një bashkëpunim joformal mes vendeve për të ndihmuar largimin e forcave lokale apo aktivistëve të shoqërisë civilie. SHBA, Turqia dhe Katari përpiqen aktualisht për të rivendosur në funksionim aeroportin e Kabulit.

Jo më vështrim pas

„Koha e vështrimit të plagës mbaroi”, tha Maas duke iu referuar me këtë kaosit të javëve të fundit. „Ne nuk duam të shohim se si shkatërrohet një rajon i gjithë”, shtoi ministri i Jashtëm gjerman. Maas theksoi edhe njëherë, se pa amerikanët dhe aftësitë e tyre ushtarake nuk mund të qëndrohej në Kabul. Nga ana politike për këtë nuk do të gjendej konsensusi mes europianëve. Një zgjim i hidhur për BE që duhet të pranojë tani realitetin e ndryshuar në Afganistan dhe të gjejë një rrugë si të merret me të./DW



Skip to toolbar