BE – përgatitje për ndalimin e mediave sociale për fëmijët

BOTA


Disa ditë pasi ligjvënësit francezë votuan për ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën moshën 15 vjeç, kryeministri spanjoll Pedro Sanchez premtoi të mbrojë fëmijët e Spanjës “nga Perëndimi i Egër digjital”.

Orët e shfletimit (scroll) të përmbajtjes së dëmshme po riformatojnë trurin e të rinjve dhe shkaktojnë ankth e rreziqe të tjera për shëndetin, thonë ekspertët, duke detyruar qeveritë evropiane të veprojnë.

“Fokusi i veçantë mbi të miturit vjen për shkak të rrezikut të shtuar të dëmeve afatgjata, pasi ata ende po zhvillohen kognitivisht,” i tha DW Paul O. Richter, bashkëpunëtor i lidhur me think tank-un Bruegel me bazë në Bruksel. “Ekziston shumë hulumtim që tregon korrelacione të forta midis përdorimit të mediave sociale dhe problemeve të shëndetit mendor.”

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjithashtu ka shprehur mbështetje për një kufi moshe në të gjithë BE-në, në përputhje me një ligj të ri australian që vendosi kufirin e moshës 16 vjeç për përdorimin e rrjeteve sociale.

Por si mund të zbatohet një ndalim i tillë ― dhe a do të funksiononte vallë?

Cilat vende evropiane po mendojnë të ndalojnë rrjetet sociale për fëmijët?

Në Francë, projektligji që kërkon ndalimin për të miturit nën moshën 15 vjeç do të dërgohet tani në senatin e parlamentit francez për votim.

Në Spanjë, pritet që Këshilli i Ministrave të miratojë ndalimin për të miturit nën moshën 16 vjeç dhe të shtojë klauzolën në një projektligj që është në diskutim në parlamentin spanjoll.

“Sot, fëmijët tanë janë të ekspozuar ndaj një hapësire që kurrë nuk ishte menduar ta lundronin vetëm, një hapësirë varësie, abuzimi, pornografisë, manipulimit dhe dhunës,” tha Sanchez ndërsa njoftoi ndalimin e propozuar. Edhe vende të tjera evropiane po konsiderojnë një ndalim të rrjeteve sociale për fëmijët nën moshën 16 ose 15 vjeç.

Në fund të vitit 2025, Danimarka vendosi të mbrojë fëmijët dhe të rinjtë nga keqtrajtimi online dhe “të krijojë një kuadër më të mirë ligjor për jetën e tyre digjitale.”

Në një marrëveshje shumëpartiake, grupet politike në Danimarkë thanë se qasja në disa platforma të mediave sociale duhet të ndalohet. Një ligj ende nuk ka hyrë në fuqi.

Italia ka prezantuar gjithashtu një projektligj në parlamentin italian për të vendosur kufizime në mediat sociale, përfshirë edhe për influencuesit fëmijë nën moshën 15 vjeç.

Sipas një zyrtari të lartë që foli për agjencinë e lajmeve Reuters, Greqia është “shumë pranë” vendosjes së një ndalimi të ngjashëm.

Javën e kaluar, Portugalia paraqiti një projektligj që kërkon pëlqimin e prindërve për fëmijët nën moshën 16 vjeç për të aksesuar përmbajtjen e rrjeteve sociale.

Austria gjithashtu po shqyrton një ndalim të rrjeteve sociale, ndërsa Mbretëria e Bashkuar ka nisur një proces konsultimi mbi këtë çështje.

Ndërkohë, parlamentarët evropianë nëntorin e kaluar (2025) rekomanduan një ndalim të mediave sociale në të gjithë Evropën për fëmijët nën moshën 16 vjeç, ndërsa sugjeruan gjithashtu që adoleshentët 13 deri në 16 vjeç të mund të kenë qasje me pëlqimin e prindërve.



Skip to toolbar