Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog deklaroi sot se qëndrimi i tyre i konfirmuar nga 27 shtetet anëtare më 3 qershor, është i njëjtë.
Kështu u shpreh ai, teksa u pyet për zgjedhjet në veri dhe heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës.
Pas takimit me anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme, ai tha se diskutuan për çështjen e situatës në veri dhe hapat e ardhshëm në procesin e dialogut.
Sa i përket qëndrimit të kryeministrit dhe zëvendëskryeministrit për zgjedhjet në veri, ai tha se pozicioni i tyre vazhdon të jetë i njëjtë si në deklaratën e 3 qershorit të 27 vendeve anëtare.
Njëjtë u shpreh edhe kur u pyet për masat ndëshkuese ndaj Kosovës, për çka tha se janë të udhëhequr nga deklarata e muajit qershor.
Përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell më 3 qershor ka lëshuar një deklaratë, në të cilën, ndër të tjera, është theksuar se zgjedhjet e parakohshme duhet të shpallen sa më shpejt në të katër komunat dhe të organizohen në mënyrë plotësisht gjithëpërfshirëse./KosovaPress