BE thirrje Malit të Zi: Të intensifikojë përpjekjet për të mbyllur kapitujt e negociatave deri në vitin 2026

BOTA


Komisioneria Evropiane për Zgjerim, Marta Kos tha të enjten në Podgoricë, gjatë takimit me kryeministrin e Malit të Zi Milojko Spajiç, se “inkurajon Malin e Zi që të punojë edhe më shumë nëse dëshiron të mbyllë kapitujt e negociatave me BE-në deri në vitin 2026”.

Ajo theksoi se “Mali i Zi ka mundësi t’i përfundojë negociatat gjatë mandatit të saj dhe se presidenti malazez Jakov Milatoviç dhe kryeministri Milojko Spajiç kanë konfirmuar se qytetarët e duan një gjë të tillë”.

Zonja Kos tha se të gjithë aktorët politikë duhet të punojnë në përputhje me dëshirat e qytetarëve për hyrjen në BE. “Zgjerimi duhet të përfshijë të gjitha shtresat e shoqërisë, institucionet,” tha ajo.

“Mali i Zi ka një mundësi historike dhe nuk ka kohë për të humbur. Unë kam besim tek ju që të më bëni krenar,” tha Komisionerja për Zgjerimin.

Zonja Kos tha se mënyra më e mirë për të ecur përpara është përfshirja e opozitës dhe mbështetja e reformave dhe shtoi se duhet kuptuar gjithashtu se parlamenti është një vend për të diskutuar dallimet.

“Pres që shumica në parlament të mbështesë reformat”, tha zonja Kos.

Marta Kos shprehu ngushëllimet e saj për familjet e të vrarëve në tragjedinë në Cetinë me 1 janar dhe u uroi shërim të shpejtë të plagosurve.

Kryeministri malazez Milojko Spajiç tha se vizita e Komisioneres Evropiane për Zgjerim, Marta Kos është një detyrim i madh për Malin e Zi të punojë edhe më shumë.

“Është një nder i madh dhe një detyrim i madh për ne që t’i mbyllim kapitujt deri në vitin 2026. Ne duhet të fokusohemi në reformat që kërkojnë dhe kërkojnë një kompromis midis qeverisë dhe opozitës,” tha zoti Spajiç.



Skip to toolbar