“Befason” Sylvinho: Thërret në Kombëtare, lojtarë nga… Shqipëria

KOMBËTARE


Turne i ri, ide të tjera. Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Silvinjo kthehet me risi në prag të sfidave të parë të Ligës së Kombeve. Nga porta në sulm, shumë surpriza në listën kuqezi me 24 lojtarët e zgjedhur nga tekniku, që për herë të parë kthen sytë edhe nga Superliga.

Jashtë mbetet Etrit Berisha, ndërsa bashkë me Tomas Strakoshën, Silvinjo i ka dërguar ftesë Simon Simonit dhe Alen Sherrit. i pari ka qenë disa herë pjesë e kombëtares, ndërsa shkodrani që në merkaton e verës kaloi nga Egnatia te Kaljari në Serinë A, ishte thirrur vetëm një herë, si një zgjedhje urgjente.

Ndryshime edhe në mbrojtje. Tekniku ka lënë jashtë Ajetin dhe Alijin që i mori me vete në finalet e Euro 2024. Kthehet Andi Adroj i Partizanit, që i bashkohet emrave të tjerë të zakonshëm në repartin difensiv.

Pavarësisht se u kthye në finalet e Euro 2024, por nuk luajti asnjë minutë, Amir Abrashi merr sërish ftesë për ndeshjet e Ligës së Kombeve. Sërish jashtë Keidi Bare, ndërsa vjen një tjetër prodhim i Superligës. Bëhet fjalë për Sebastjano Spahiu, ish i Egnatias, që në merkaton e verës u transerua në Iran me ekipin Mes Rafsanjan.

Sa I përket sulmit, sërish nuk preferohet Myrto Uzuni. Jashtë edhe Ernest Muçi, ashtu si Mirlind Daku për shkak dëmtimi.

Armando Brojës, Rei Manaj dhe Taulant Seferit i bashkohet një tjetër surprizë. Ai është Agim Zeka, sulmuesi i Partizanit, që ftohet për herë të parë në Kombëtaren e parë.

Grumbullimi i përfaqësueses kuqezi do të nisë të dielën. Përgatitjet do të zhvillohen në “Shtëpinë e Futbollit” deri të premten e ardhshme.

Ndeshja e parë e Shqipërisë në grupin B1 të Ligës së Kombeve do të luhet më 7 shtator në Çeki kundër Ukrainës, ndërsa tre ditë më pas kuqezinjtë do të zbresin në “Air Albania” për sfidën kundër Gjeorgjisë.



Skip to toolbar