“Bëhu ndryshimi që dëshiron të shohësh”, Alastair King-Smith në intervistën e fundit si ambasador në Shqipëri

Më të fundit


Pyetje: Z.Ambasador gjatë këtyre viteve që ju keni qenë në Tiranë kemi qenë në disa në intervista në momente të rëndësishme, shumë ngjarje kanë ndodhur gjatë këtyre viteve qoftë në Shqipëri, por edhe në Mbretërinë e Bashkuar, dhe në Britani. Po e nis nga një zhvillim interesant pasi është nga herët e para të themi që Mbreti Karl mban fjalimin e tij në parlamentin britanik. Çfarë do të thotë kjo për ju, çfarë pasojash do ketë për ne, pasi fjalimi i Mbretit është edhe programi i qeverisë së re Laburiste?

Alastair King-Smith: Jam realisht i lumtur me këtë periudhë kaq interesante në Shqipëri, sepse është fare e qartë që ka pasur shumë ngjarje interesante gjatë tre viteve të fundit. Kur pamë ceremoninë shtetërore në Parlament ku Mbreti lexon përparësitë e qeverisë dhe programin legjislativ që do të përcaktohet me të dy dhomat e Parlamentit të bashkuara, keni vënë re edhe të gjithë pjesën ceremoniale që organizojmë. Mendojmë se ky është pushtet i “butë”, shumë i rëndësishëm i Mbretërisë së Bashkuar, por është edhe moment i rëndësishëm, sepse pas shumë vitesh Partia Laburiste ka marrë përsëri pushtetin dhe kanë përcaktuar një program shumë ambicioz ndryshimi. Tanimë, jemi në fazën e përcaktimit përfundimtar të këtij programi. Siç mund ta keni parë, ata kanë përcaktuar zhvillimin dhe rritjen ekonomike jo vetëm në Mbretërinë e Bashkuar, por edhe në nivel ndërkombëtar, si përparësi kryesore. Do të vijë puna në fushën e sigurisë, por duke u përqendruar edhe tek siguria e kufijve me idenë e përmirësimit të fuqishëm të këtij sistemi. Pastaj, në kuadrin e rifreskimit të lidhjeve ndërkombëtare, u fol për një rinisje me Evropën dhe në këtë kuadër, këtë javë po organizohet Komuniteti Politik Evropian, ku marrin pjesë të gjithë udhëheqësit evropianë dhe Mbreti organizon pritje për ta në Londër sonte.

Pyetje: Është shumë interesant qëndrimi i ri që laburistët po hedhin mbi Europën, pasi ju e dini nga viti 2016 kur britanikët votuan, por brexit, nuk është se nuk ka patur herë pas herë ide dhe mendime që ndoshta refendumi duhet mbajtur edhe një herë, dhe pikërisht një qëndrim i tillë, rihodhi Britaninë e Madhe në zgjedhjet ku Boris Johnson fitoi shumë thellë, ndërkohë z.Starmer duket se ka një qëndrim më realist sa i përket raporteve me Europën. Por nuk bëhet fjalë apo jo për një rikthim të Britanisë së Madhe në BE ?

Alastair King-Smith: Qeveria e ka shprehur shumë qartë se vendimi i marrë ishte që të dilnim nga Bashkimi Evropian dhe ky është qëndrimi edhe i Qeverisë së Re, njësoj si qeveritë e mëparshme. Normalisht, ajo çka dëshirojmë janë marrëdhënie shumë të ngushta me Institucionet Evropiane, por edhe me të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe me Evropën e gjerë, dhe besojmë se ky është element shumë i rëndësishëm. Besojmë se Mbretëria e Bashkuar mund të luajë rol të rëndësishëm si anëtar kyç i familjes evropiane. Dhe është e vërtetë që Bashkimi Evropian përbën një grup dimensionesh, por ne jemi të interesuar për qytetarët në mbarë kontinentin, përfshirë Shqipërinë.

Pyetje: Meqë ra fjala te Shqipëria, jo thjesht konservatorët, por veçanërisht kryeministri i fundit Rishi Sunak, pati një marrëdhënie shumë të mirë me Shqipërinë, u nënshkrua një marrëveshje mes dy vendeve ku ju keni qenë shumë aktiv sa i përket emigracionit dhe një marrëveshje që besoj edhe ju si diplomat duhet të jeni krenar sepse është nga ato marrëveshje që pati rezultat konkret në më pak se dy vjet, ku emigracioni i paligjshëm shqiptar është reduktuar në kuotat minimale, dhe ajo që shoh unë është që avionët që ikin nga Tirana drejt Londrës, janë plot por rikthehen sërish plot, pra duket që ka një farë normalizimi sa i përket lëvizjes së shqiptarëve drejt Mbretërisë së Bashkuar, falë kësaj marrëveshjeje, apo jo?

Alastair King-Smith: Ke shumë të drejtë Sokol, sepse siç po thoja, kam kaluar një periudhë fantastike në Shqipëri gjatë këtyre tre viteve. Normalisht ka pasur ulje dhe ngritje, me disa momente të papritura që mbase i diskutojmë më vonë. Faktikisht mendoj se Komunikata e Përbashkët që kanë nënshkruar dy qeveritë dhe mënyra se si kemi përcaktuar kuadrin e marrëdhënieve tona, janë shumë të rëndësishme. Kemi arritur të përkthejmë një partneritet në miqësi të vërtetë, dhe mendoj që kjo miqësi tani po lulëzon. Faktikisht dje në darkë organizuam një aktivitet dhe po shqyrtonim progresin për një periudhë relativisht të shkurtër prej 18 muaj deri 2 vite, gjatë të cilës kemi intensifikuar shumë bashkëpunimin. Dhe tani shohim se ky bashkëpunim po rritet në mënyra praktike dhe po sjell rezultate reale. Një nga gjërat për të cilat jam më shumë krenar, është se gjatë tre viteve të fundit arritëm të përqendrohemi në veriun e Shqipërisë duke investuar për vendin dhe për të rinjtë, dhe jo vetëm me fjalë duke thënë se njerëzit janë të rëndësishëm, por duke ofruar aftësi praktike, mundësi punësimi, duke rritur bizneset dhe sipërmarrësit dhe duke parë se si të rinjtë kanë alternativa të ndryshme për të ardhmen. Për mua vizitat në veri dhe në mbarë vendin kanë qenë gjëja më plotësuese.

Pyetje: Kur kemi diskutuar marrëveshjen e përbashkët mes dy qeverive, ju thatë që, ulja e mundësive të emigracionit të paligjshëm do të sjellë rritje të mundësive të punësimit të ligjshëm, për shqiptarët aty ku Britanis e Madhe ka nevojë, a ka ndodhur kjo realisht?

Alastair King-Smith: Siç thatë shifrat kanë rënë me të vërtetë. Të gjithë ishim të shtangur me shifrën prej më shumë se 12.000 shqiptarë që udhëtuan në mënyrë të paligjshme në vitin 2022, por jemi realisht të lumtur që përpjekjet e përbashkëta të qeverisë britanike dhe asaj shqiptare dhe mënyra e tyre e bashkëpunimit, kanë transformuar situatën. Kështu, vjet numri u ul në më pak se 1000 vetë dhe këtë vit është më pak se 150 vetë. Duhet të vijojmë të mbajmë të njëjtin ritëm dhe të vazhdojmë këto përpjekje. Edhe Qeveria e re e Mbretërisë se Bashkuar është e angazhuar të vijojë në të njëjtën linjë, sepse edhe Task Forca e Përbashkët për Migracionin është model realisht pozitiv. Kryeministri juaj dhe Kryeministrja e Italisë mbledhin disa prej udhëheqësve evropianë në Komunitetin Politik Evropian që organizohet nga Kryeministri ynë, dhe në këtë mbledhje diskutohen shembujt që faktikisht kanë pasur rezultat në trajtimin e emigracionit. Nuk ka shumë shembuj të mirë në këtë fushë, por çka MB-ja dhe Shqipëria kanë arritur të bëjnë është realisht me shumë rëndësi. Vizita e Kryeministrit Rama në mars të vitit 2023 ishte pike reale ndryshimi dhe Komunikata e Përbashkët nuk përcakton vetëm punën që bëjmë për emigracionin, përmes Task Forcës për Emigracionin dhe përmes përpjekjeve tona me agjencitë ligjzbatuese. Por ka të bëjë edhe me investimet në veri. Ka të bëjë me arsimin, me kulturën, edhe me partneritetin në fushën e mbrojtjes, partneritetin në fushën e drejtësisë. Se nëse krijojnë edhe më shumë lidhje ato do të jenë shumë të rëndësishme. Tani ka potencial edhe në fushën e biznesit, apo edhe në turizëm. Gjasat janë që këtë vit të vijnë gati gjysmë milioni turistë britanikë, që është më shumë se dyfish krahasuar me vjet. Kjo do të jetë pjesë e rëndësishme e partneritetit tonë, së bashku me shqiptarët që shkojnë në Mbretërinë e Bashkuar për të dhënë kontributin e tyre të rëndësishëm atje.

Pyetje: Meqë ra fjala te Shqipëria, jo thjesht konservatorët, por veçanërisht kryeministri i fundit Rishi Sunak, pati një marrëdhënie shumë të mirë me Shqipërinë, u nënshkrua një marrëveshje mes dy vendeve ku ju keni qenë shumë aktiv sa i përket emigracionit dhe një marrëveshje që besoj edhe ju si diplomat duhet të jeni krenar sepse është nga ato marrëveshje që pati rezultat konkret në më pak se dy vjet, ku emigracioni i paligjshëm shqiptar është reduktuar në kuotat minimale, dhe ajo që shoh unë është që avionët që ikin nga Tirana drejt Londrës, janë plot por rikthehen sërish plot, pra duket që ka një farë normalizimi sa i përket lëvizjes së shqiptarëve drejt Mbretërisë së Bashkuar, falë kësaj marrëveshjeje, apo jo?

Alastair King-Smith: Ke shumë të drejtë Sokol, sepse siç po thoja, kam kaluar një periudhë fantastike në Shqipëri gjatë këtyre tre viteve. Normalisht ka pasur ulje dhe ngritje, me disa momente të papritura që mbase i diskutojmë më vonë. Faktikisht mendoj se Komunikata e Përbashkët që kanë nënshkruar dy qeveritë dhe mënyra se si kemi përcaktuar kuadrin e marrëdhënieve tona, janë shumë të rëndësishme. Kemi arritur të përkthejmë një partneritet në miqësi të vërtetë, dhe mendoj që kjo miqësi tani po lulëzon. Faktikisht dje në darkë organizuam një aktivitet dhe po shqyrtonim progresin për një periudhë relativisht të shkurtër prej 18 muaj deri 2 vite, gjatë të cilës kemi intensifikuar shumë bashkëpunimin. Dhe tani shohim se ky bashkëpunim po rritet në mënyra praktike dhe po sjell rezultate reale. Një nga gjërat për të cilat jam më shumë krenar, është se gjatë tre viteve të fundit arritëm të përqendrohemi në veriun e Shqipërisë duke investuar për vendin dhe për të rinjtë, dhe jo vetëm me fjalë duke thënë se njerëzit janë të rëndësishëm, por duke ofruar aftësi praktike, mundësi punësimi, duke rritur bizneset dhe sipërmarrësit dhe duke parë se si të rinjtë kanë alternativa të ndryshme për të ardhmen. Për mua vizitat në veri dhe në mbarë vendin kanë qenë gjëja më plotësuese.

Pyetje: Kur kemi diskutuar marrëveshjen e përbashkët mes dy qeverive, ju thatë që, ulja e mundësive të emigracionit të paligjshëm do të sjellë rritje të mundësive të punësimit të ligjshëm, për shqiptarët aty ku Britanis e Madhe ka nevojë, a ka ndodhur kjo realisht?

Alastair King-Smith: Siç thatë shifrat kanë rënë me të vërtetë. Të gjithë ishim të shtangur me shifrën prej më shumë se 12.000 shqiptarë që udhëtuan në mënyrë të paligjshme në vitin 2022, por jemi realisht të lumtur që përpjekjet e përbashkëta të qeverisë britanike dhe asaj shqiptare dhe mënyra e tyre e bashkëpunimit, kanë transformuar situatën. Kështu, vjet numri u ul në më pak se 1000 vetë dhe këtë vit është më pak se 150 vetë. Duhet të vijojmë të mbajmë të njëjtin ritëm dhe të vazhdojmë këto përpjekje. Edhe Qeveria e re e Mbretërisë se Bashkuar është e angazhuar të vijojë në të njëjtën linjë, sepse edhe Task Forca e Përbashkët për Migracionin është model realisht pozitiv. Kryeministri juaj dhe Kryeministrja e Italisë mbledhin disa prej udhëheqësve evropianë në Komunitetin Politik Evropian që organizohet nga Kryeministri ynë, dhe në këtë mbledhje diskutohen shembujt që faktikisht kanë pasur rezultat në trajtimin e emigracionit. Nuk ka shumë shembuj të mirë në këtë fushë, por çka MB-ja dhe Shqipëria kanë arritur të bëjnë është realisht me shumë rëndësi. Vizita e Kryeministrit Rama në mars të vitit 2023 ishte pike reale ndryshimi dhe Komunikata e Përbashkët nuk përcakton vetëm punën që bëjmë për emigracionin, përmes Task Forcës për Emigracionin dhe përmes përpjekjeve tona me agjencitë ligjzbatuese. Por ka të bëjë edhe me investimet në veri. Ka të bëjë me arsimin, me kulturën, edhe me partneritetin në fushën e mbrojtjes, partneritetin në fushën e drejtësisë. Se nëse krijojnë edhe më shumë lidhje ato do të jenë shumë të rëndësishme. Tani ka potencial edhe në fushën e biznesit, apo edhe në turizëm. Gjasat janë që këtë vit të vijnë gati gjysmë milioni turistë britanikë, që është më shumë se dyfish krahasuar me vjet. Kjo do të jetë pjesë e rëndësishme e partneritetit tonë, së bashku me shqiptarët që shkojnë në Mbretërinë e Bashkuar për të dhënë kontributin e tyre të rëndësishëm atje.

Pyetje: Z.ambasador, një nga vendimet e para që mori qeveria e re laburiste grisja e marrëveshjes për Ruandën, ndërkohë që ju thoni se marrëveshja me Shqipërinë funksionoi, dhe shifrat flasin për këtë. Nga ana tjetër kemi një tjetër marrëveshje po për emigrantët mes dy vendeve, mes Shqipërisë dhe Italisë që edhe ajo po trumbetohet si një fitore nga kryeministrja e Italisë. Nga këto dy lëvizje, le të themi politike, por edhe diplomatike që qeveria e Tiranës po bën me një vend anëtar të BE dhe një vend shumë të rëndësishëm në shkallë botërore, siç është Britania e Madhe, çfarë po fiton Shqipëria? Sepse kryeministri thotë ne nuk përfitojmë asnjë lek nga Italia, nuk kemi përfituar asnjë lek nga Britania e Madhe, në fakt ka përfituar se unë e di që Drejtoria e Burgjeve ka përfituar nga ajo marrëveshje, por realisht për imazhin e Shqipërisë, këto dy lloj marrëveshjes të suksesshme në rang kombëtar, çfarë i sjellin Shqipërisë dhe shqiptarë?

AlastairKing-Smith: Ke të drejtë që ka një sërë marrëveshjesh që trajtojnë migracionin, çështjen e burgjeve dhe elementë të tjerë. Por këto kanë krijuar edhe një këndvështrim tjetër për Shqipërinë. Shqipëria ka rëndësi për Mbretërinë e Bashkuar dhe për sigurinë e popullit të MB-së, duke shpresuar që gjithashtu edhe MB-ja ka rëndësi për Shqipërinë. Sinjali është që të shkojmë përtej këtyre çështjeve. Prandaj mendoj se Komunikata e Përbashkët është e rëndësishme, duke qenë se përcaktoi një sërë fushash më të gjera për trajtim. Ka të bëjë edhe me këndvështrimin e njerëzve. Tani ata e shohin Shqipërinë si vend fantastik me turizëm shumë të mirë, që doemos përqendrohet në bregdet, i cili është i mahnitshëm dhe ku jam kënaqur shumë në të gjithë vendet e Shqipërisë që kam vizituar buzë detit. Por edhe zonat malore, dhe në veri besoj se kanë shumë potencial të pashfrytëzuar. Besoj se të gjithë turistët që do të vijnë jo vetëm që do të fuqizojnë imazhin e Shqipërisë si vend shumë pozitiv, por ata do të përjetojnë mikpritjen e mrekullueshme të shqiptarëve dhe miqësinë e tyre që e fiton shumë shpejt, siç i kam përjetuar edhe unë. Unë kam fituar aq shumë miq këtu, sa vetëm këto miqësi do të më bëjnë mik të Shqipërisë për të gjithë jetën. Besoj se ata që vijnë këtu si për verë, apo edhe në momente të tjera, do ta përjetojnë diçka të tillë, duke i lejuar të krijojnë lidhje qofshin këto profesionale, biznesi, kulturore apo të tjera.

Pyetje: Mikpritja është në AND-në e shqiptarëve, sidomos për miqtë që vijnë nga jashtë. Por ajo që mua më intereson është që në të njëjtën mënyrë shqiptarët të fillojnë të trajtohen edhe përtej. Ashtu siç ne ju mirëpresim ju, apo si qeveria shqiptare i përgjigjet qeverisë britanike, për ato nevoja që ajo ka, unë do të doja që të ndryshonte diçka edhe në imazhin në Britaninë e Madhe. Pra gjithë këto marrëveshje, që kanë ndihmuar vende të rëndësishme, në një farë mënyrë t’i përkthehen jo thjesht politikisht, qeverisë së Tiranës, kushdo qoftë ajo, por qytetarëve. Pra, nëse ne ndihmojmë Britaninë e Madhe, për të reduktuar në kuota pothuajse minimale historike emigracionin e paligjshëm, unë do të doja që qytetarët shqiptarë të përfitonin në mënyrë të ligjshme lehtësira sa i përket udhëtimeve të tyre në Europë, SHBA, por edhe në Britaninë e Madhe. Mendoni se do ketë një impakt te qytetarët shqiptarë kjo klimë, shumë e mirë, mes dy vendeve?

Alastair King-Smith: Ke shumë të drejtë. Duhet të përqendrohemi te përvoja e njerëzve dhe si të krijojmë lidhje mes tyre, sepse kjo është mënyra më e qëndrueshme për arritjen e ndikimit të vërtetë dhe për realizimin e plotë të ndryshimeve që kanë ndodhur mes vendeve tona. Kjo është normalisht më e lehtë kur dy qeveritë kanë marrëdhënie pozitive dhe Shqipëria dhe MB-ja e shohin njëra-tjetrën si partnerë shumë të mirë, dhe si miq të vërtetë. Isha realisht i lumtur që gjatë samitit të NATO-s, javën e shkuar dy Kryeministrat tanë u takuan, ashtu siç bënë dhe bashkëshortet e tyre, se edhe kjo ka rëndësi. Pra është e rëndësishme të kemi këto lidhje në rang kryeministrash, apo në rang të Madhërisë së Tij, e deri tek qytetarët e thjeshtë që krijojnë lidhje mes tyre. Pjesë e kësaj është edhe fakti që kur jam në Mbretërinë e Bashkuar, dhe jetoj në Londër shpesh ndeshem me shqiptarë që po bëjnë gjëra fantastike në Londër dhe japin kontribut për ekonominë tonë. Edhe këtë element duhet ta lehtësojmë në mënyrën e duhur. Kështu, jam realisht i lumtur që kemi miratim të më shumë se 95% të vizave të punësimit, dhe diku 85% apo 89% të vizave të studimit. Duhet të zgjidhim më mirë çështjen e vizave turistike, dhe jam i vetëdijshëm që nuk jemi në pikën e duhur me këtë. Duam që këto shkëmbime të ndodhin dhe besoj se qeveria e re do të shqyrtojë qasjet e duhura për këtë. Këtu Shqipëria luan përsëri rol, sepse disa përvoja të mira dhe shembuj që mund t’i shërbejnë pjesës tjetër të Evropës. Besoj se MB-ja është mbështetëse e fortë e Shqipërisë për të ardhmen dhe për lidhjet mes njerëzve që sapo diskutuam. Ky është një lajm i shkëlqyer pasi besoj që më në fund besoj që ne e meritojmë këtë trajtim.

Pyetje: Z.Ambasador, një pyetje që lidhet me qeverinë e re. z.Rama nuk është një politikan klasik, ka ditur të mbajë marrëdhënie të shkëlqyera me politikanë, apo kryeministra që nuk janë domosdoshmërisht krahu i tij politik. Ai arriti të kishte marrëdhënie të shkëlqyera edhe kryeministrin Sunak dhe arriti një marrëveshje shumë të rëndësishme. Z.Starmer nga ana tjetër nuk është një i majtë klasik. Programi i tij ju e thatë është një program i cili, krijon vazhdimësi me vendimmarrjen e qeverisë së mëparshme, por mendoni që afria qoftë ideologjike politike, do të ndihmojë dhe një herë në rikthimin e një klime përtej shumë të mirë por edhe personale, miqësore që z.Rama kishte me qeveritë laburiste.

Alastair King-Smith: Në thelb, është e rëndësishme që është shkuar përtej dallimeve politike. Po këtu keni Partinë Socialiste, ndërsa në MB ishte Partia Konservatore dhe tani ajo Laburiste, por është shumë e qartë që pavarësisht dallimeve partiake ne duam të forcojmë marrëdhënien dhe të sigurohemi që është e fuqishme. Shqipëria ka një sërë miqsh të fuqishëm në pozicione të larta në qeveri. Më kanë kontaktuar tashmë duke më thënë se shumëkush dëshiron të vijë në Shqipëri, apo për të pyetur se kur homologët e tyre shqiptarë mund të shkojnë në Londër, marrëdhënia e ngushtë do të vijojë. Gjithashtu, ka edhe disa marrëdhënie afatgjata nga e shkuara, me persona si Tony Blair që ka luajtur rol të rëndësishëm në rajon dhe në Kosovë në veçanti, apo Alastair Campbell. Pra lidhjet që do të sigurojnë qëndrueshmërinë e lidhjeve politike janë të pranishme, por ato janë të rëndësishme për aq kohë sa mundësojnë çka duhet të ndodhë për qytetarët. Në këtë kuadër mendoj se sfida e vërtetë është të gjejmë qasjen e duhura që do të përforcojnë bashkëpunimin që sjell ndryshime pozitive.

Pyetje: Z.Ambasador një tjetër raport shumë i mirë dhe i vjetër mes Londrës dhe Tiranës, është raporti mbi 32 – 33 vjeçar që konservatorët britanikë kanë pasur me PD. Mendoj që është raporti i vetëm që është dëmtuar gjatë këtyre dekadave dhe për këtë nuk mund të fajësoj Britaninë e Madhe. Pse nuk ka një raport kaq të mirë mes Britanisë dhe PD, që është prej më shumë se një dekade në opozitë.

Alastair King-Smith: Nuk ndaj të njëjtin mendim me ju, megjithëse është e vërtetë që kemi një çështje specifike. Faktikisht, Mbretëria e Bashkuar, unë, Ambasada Britanike kanë mbajtur gjithnjë lidhje me të gjithë spektrin politik, me të gjitha pjesët e Partisë Demokratike dhe partive të tjera në opozitë, si dhe me Partinë Socialiste, dhe gjithmonë kemi qenë të mendimit se MB-ja duhet të angazhohet dhe të ketë këndvështrim të paanshëm dhe të ekuilibruar të politikës duke u munduar të mbështesim demokracinë në vend. Do të ketë gjithnjë dallime të këndvështrimeve mbi mbështetjen e demokratizimit. Si Mbretëri e Bashkuar jemi të qartë që duam të shohim demokracinë të lulëzojë, të zhvillohet si demokraci pluraliste, dhe duam të kemi Parlament të efektshëm dhe funksional me opozitë të efektshme që është e aftë t’i kërkojë llogari qeverisë. Kjo do të vijojë të jetë qasja jonë jo vetëm në Shqipëri, por mbarë botën. Por në këtë kuadër, duhet me doemos të ketë edhe llogaridhënie.

Pyetje: Kur i referoheni mbajtjes së përgjegjësive, sigurisht besoj që në mendjen tuaj, në mendjen time dhe të atyre që na shikojnë është ajo çështja specifike që ju iu referuat pak minuta më parë, e z.Berisha, që dy vjet më parë na bëri të njohur që Britania e Madhe kishte marrë një vendim të ngjashëm madje më konkret për dizenjimin e tij si non grata në Mbretërinë e Bashkuar. Z.Berisha më pas e apeloi dhe Këshilli i Apelit la në fuqi vendimin e marrë nga qeveria juaj. Është një pikë e fortë, që besoj nuk do e harroni gjatë misionit tuaj në Tiranë.

Alastair King-Smith: Po, kjo është çështje specifike. Ne kemi shprehur qartë që llogaridhënia është shumë e rëndësishme, qoftë lidhur me kriminalitetit apo korrupsionin, dhe kjo është politika që ke kemi dhe zbatojmë. Jemi me të vërtetë të kënaqur që Komisioni i Posaçëm e Apelit për Imigracionin mori vendim në mbështetje të pozicionit të Qeverisë sonë për këtë çështje. Besoj e kuptoni që përparësia e qeverisë sonë është siguri dhe sigurimi i Mbretërisë së Bashkuar dhe qytetarëve në Mbretërinë e Bashkuar, dhe ne do të mbrojmë me forcë çdo vendim të marrë në këtë kuadër. Nga ana tjetër, ne vijojmë të jemi partner afatgjatë i Shqipërisë për mbështetjen e llogaridhënies dhe për veprimet kundër kriminalitetit dhe korrupsionit dhe do të vazhdojmë të veprojmë në të njëjtën mënyrë. Gjithashtu, do të përforcojmë Prokurorin e Posaçëm, Policinë e Shtetit dhe Agjencitë e tjera ligj zbatuese me qëllim që llogaridhënia dhe drejtësia të bëhen realitet për qytetarët.

Pyetje: Ju e sollët vëmendjen tani te gjëja më e madhe, jo vetëm e dekadës së fundit, por një nga ngjarjet më të rëndësishme pas 1997, që është reforma në drejtësi. Dhe ramë dakord që janë shenjat e para që ky sistem i pavarur po funksionon, po shihet qartësisht në Gjykatën Kushtetuese, por reflektohet edhe në gjykatën e Lartë, dhe padyshim në mënyrën si SPAK po e godet korrupsionin por edhe me fillimin e hetimeve për 21 janarin po godet edhe aty ku ne mendonim se ishin të paprekshmit. Ju erdhët në një moment deciziv, si e shikoni reformën në drejtësi. A po evropianizohet drejtësia shqiptare?

Alastair King-Smith: Në thelb, sundimi i ligjit është element thelbësor i strukturës demokratike të çdo vendi dhe është me të vërtetë pozitive të shohim hapat që janë bërë dhe progresin e arritur në kuadër të institucioneve të drejtësisë. Jemi krenarë që jemi partnerë të Prokurorit të Posaçëm dhe të Prokurorisë së Posaçme, por edhe të të gjithë sistemit të drejtësisë. Në maj paraqitëm një Partneritet të ri Gjyqësor me gjyqtarët tanë më me përvojë të cilët do të angazhohen me gjyqtarët këtu në Shqipëri. Këto shkëmbime do të intensifikohen, do të ketë trajnime me Shkollën e Magjistraturës nga ekspertë dhe gjyqtarë britanikë. Këtë do ta bëjmë me të gjitha institucionet e drejtësisë dhe deri tani është vënë re progres i rëndësishëm, dhe gjatë tre viteve të mia këtu kam vënë re transformim në këtë kuadër. Tani shohim që ka më shumë drejtësi, dhe është shumë më mirë kur në vend zbatohet Drejtësi Kombëtare. Ndonjëherë mund të ketë nevojë edhe për veprime ndërkombëtare, por Drejtësia Kombëtare është element jashtëzakonisht i rëndësishëm, dhe ne do të vijojmë të mbështesim fuqimisht llogaridhënien, fuqizimin e sundimit të ligjit dhe arritjen e ekuilibrit të duhur që realisht siguron marrjen e drejtësisë në gjykatë. Këtë kemi nisur ta shohim tek numri i çështjeve por e kemi përjetuar edhe përmes shqiptarëve me të cilët kam diskutuar për përvojat e tyre me sistemin e drejtësisë, por duhet të bëhet Drejtësi për të Gjithë.

Pyetje: Z.Ambasador, në një nga intervistat tona më patët thënë që, do të ketë dizenjime të tjera, do të ketë një listë tjetër, që nuk është vetëm ish kryeministri dhe ish presidenti Berisha, por do të ketë të tjerë dhe madje, përdorët shprehjen që do të ketë nga të dyja krahët e politikës. A ka ndodhur, a po ndodh?

Alastair King-Smith: Detyrimisht qasja jonë për këto çështje është e ekuilibruar, ashtu si edhe në fusha të tjera, dhe kemi përcaktuar një pozicion afatgjatë që do të marrim të gjitha masat e nevojshme për të ndihmuar me luftën kundër korrupsionit dhe kriminalitetit si në Mbretërinë e Bashkuar, për çështje që ndikojnë Mbretërinë e Bashkuar, por edhe në mbarë botën, dhe do të vijojmë të veprojmë në të njëjtën mënyrë. Këto vendime merren në nivelet më të larta të qeverisë dhe tani i takon Ministrit të ri të Jashtëm dhe Ministres së re të Brendshme të marrin vendime të tilla, dhe ne do të vijojmë të përqendrohemi tek llogaridhënia. Gjithashtu, duam të vijojmë të jemi partner i fuqishëm në mbështetje të Sistemit të Drejtësisë Kombëtare, në mënyrë që sistemi i sundimit të ligjit të jetë realisht i efektshëm.

Pyetje: z.Ambasador, këtu duket një realitet se pushteti politik është solid në duart e njërës palë, aq sa njerëzit mendojnë që në zgjedhjet e 2025 nuk do ketë surpriza sepse pala tjetër, është e dobësuar e përçarë edhe për shkak të goditjeve që ka marrë nga ndërkombëtarët, SHBA dhe Britani e Madhe kryesisht. Dhe kjo na lë në një pikëpyetje, që shkon përtej preferencave që ne mund të kemi për të parë dikë të përballet me drejtësinë. Në këtë rast z.Berisha. Çdo demokraci sigurisht funksionon në një sistem demokratik të balancuar, por nga ana tjetër funksionon me një sistem ku politika nuk ka të gjithë pushtetin. Ndërkohë deri dje, para se reforma në drejtësi filloi të funksiononte, kush zgjidhej kryeministër ishte ‘mbret’. Kishte ndikim në sistemin e drejtësisë, deri në sistemin e taksave, por edhe të komunikimit publik, në media në gjithçka. A është sistemi I ri I drejtësisë, aq i fuqishëm sa të arrijë të balancojë një situatë që është totalisht e pabalancuar nga pikëpamja politike?

Alastair King-Smith: Sokol, është pyetje shumë e rëndësishme, sepse mendoj se në çdo shoqëri është shumë e rëndësishme të arrihet ekuilibër mes pushteteve të ndryshme të shtetit. Besoj se deri në vitin 2016 në Shqipëri kur u miratua paketa e reformës në drejtësi, nuk kishim gjyqësor të efektshëm dhe vendi ka nevojë për të tre pushtetet, ekzekutivin, ligjvënësin – Parlamentin – dhe gjyqësorin për të qenë i efektshëm dhe funksional. Normalisht tre vitet e fundit kemi parë sistemin e drejtësisë, gjyqësorin, gjykatat, dhe prokurorët që kanë nisur të funksionojnë. Kjo sjell dinamikë të re dhe ekuilibër të ri, dhe është e rëndësishme që këtu të arrihet në ekuilibrin e duhur për të ardhmen. Në MB jemi me fat që kemi pushtete në stabilitet relativ mes tyre, edhe pse me raste ka ankesa lidhur me veprimet e tyre. Normalisht, ka edhe lëvizje politike në ekzekutiv dhe legjislativ. Patjetër që ka shkëmbim pushteti mes partive të ndryshme. Por mendoj se parimi i pluralizmit politik është me rëndësi dhe shpresoj që Shqipëria të vazhdojë me këtë parim. Historikisht, dy parti kanë qenë më të fuqishmet, por po filloni të keni shenja dhe forma të tjera që mund të marrin rëndësi në të ardhmen. Shpresoj të lulëzojë një politikë më pluraliste që do të përfaqësojë të gjithë shoqërinë e Shqipërisë. Në zgjedhjet e MB-së që sapo u mbajtën, ashtu si dhe shumë zgjedhje të tjera në mbarë botën, para pak javëve, patëm fitore me shumicë të madhe të laburistëve ndaj konservatorëve. Por gjithashtu, patëm ndryshime dhe në Partinë Liberal Demokrate që arritën të marrin më shumë vende në Parlament se ndonjëherë më parë. Edhe parti të tjera politike pësuan ndryshime. Partia Kombëtare e Skocisë pa ndryshim të numrit të vendeve në Parlamentin në Uestminster duke humbur shumë vende, por ata dolën mirë në Skoci. Ndërkohë Partia e Reformës mori më shumë vota se ndonjëherë më parë. Kjo është mëse e drejtë në demokraci dhe duhet të ketë ndryshime që pasqyrojnë mendimin e qytetarëve. Kështu, dëshira ime për Shqipërinë është të arrini ekuilibrim mes pushteteve, por edhe mes partive politike, dhe në Parlament. Unë kam pasur kënaqësinë si Ambasador, së bashku me Ambasadën, të mbështesim demokratizimin dhe funksionimin e parlamentit dhe të ndihmojmë dhe inkurajojmë politikanët të mblidhen dhe të rikthejnë Parlamentin te funksionoje, sepse pa të nuk arrihet progres. Dhe siç kam thënë shpesh, çajin anglez e kemi gjithmonë gati.

Pyetje: Ju folët në fund të pjesës së parë, për atë që e quani presioni pozitiv që ka ushtruar Britania e Madhe, miqtë tanë ndërkombëtarë për t’i mbledhur së bashku politikanët dhe për të rikthyer normalitetin e jetës politike në vend. Besoj, këtu i referoheni parlamentit, që është edhe arena kryesore politike e saj, për këtë dakordësinë e famshme të këtij viti, shumë vetë kanë dilema. Ishte një dakordësi që mori bekimin e SHBA dhe Britanisë, por nuk e përjashtonte Sali Berishën dhe grupin e tij. Pra, ju nga njëra anë shpallni non grata një person, për ato motive që janë bërë publike, por nga ana tjetër për motive thuajse të ngjashme, pranoni që ai të vijojë të japë kontribut në jetën e vendit. Keni një shpjegim për këtë dualizëm? Për këtë kontradiktë logjike në vetvete. Pra, një person që ju e shpallni non grata, më pas e ftoni në mënyrë indirekte atë dhe grupin e tij të rikthejë normalitetin në Kuvend.

Alastair King-Smith: Këto gjëra nuk i shoh si kontradiktore. Ne po zbatojmë parime paralele. Parimi i përgjithshëm është ai i demokracisë dhe lidhet me mënyrën si ne punojmë si partner i Shqipërisë për të inkurajuar dhe mbështetur aspiratat e shqiptarëve për demokraci, për përparim ekonomik, për siguri. Britania dëshiron të jetë partner shumë i fuqishëm për të gjitha këto, si dhe për drejtësinë dhe fusha të tjera. Por, sa i përket demokracisë dhe politikës ka edhe aspekte të tjera. Kemi dëshirë të shohim debat dhe diskutim të efektshëm të politikave qeveritare, të legjislacionit, çka është e drejtë për qytetarët, dhe të gjitha këto kanë nevojë për procese demokratike, për zgjedhje, për Parlament dhe për debat të përshtatshëm në parlament. Ky pra është parimi udhëheqës. Paralelisht me të kemi dhe parimet e llogaridhënies dhe është mëse e drejtë që janë marrë masa për t’i kërkuar llogari individëve që mund të jenë përfshirë në kriminalitet ose korrupsion. Shqipëria do të mbajë së shpejti zgjedhje shumë të rëndësishme, kështu që doemos dëshirojmë të shohim vazhdimësi progresi, me qëllim që sa më pak individë me lidhje me kriminalitetin dhe korrupsionin të fitojnë influencë brenda vendit, apo të shkaktojnë dëme gjetkë në Mbretërinë e Bashkuar apo Evropë. Duhet të ç’bëjmë këtë lidhje ndërmjet politikës dhe korrupsionit dhe kriminalitetit. Mbretëria e Bashkuar do të jetë mik i fuqishëm i qytetarëve shqiptarë për ta arritur këtë.

Pyetje:Z.Ambasador, ju folët pak më herët dhe thatë që zgjedhjet e ardhshme të sjellin një frymë më demokratike në vend. Praktikisht këtu sistemi politik është i mbyllur për shkak të një vendimmarrje të përbashkët maxhorancë opozitë në vitin 2008. Pavarësisht se Gjykata Kushtetuese ka sugjeruar hapjen e listave, sondazhet vijojnë të mos favorizojnë ato elementë të ri që janë shfaqur, mund t’i numërojmë me kokrra dy apo tre goditje të vogla, as ndonjë segment tjetër të ri apo të moderuar brenda dy grupimeve të mëdha politike në vend. Pavarësisht se këta individë kanë marrë mbështetje nga SHBA dhe Britania, pra, rikthehet ndoshta çështja te dy partitë e mëdha, brenda PD ju mendoni që ka ende hapsira për frymëmarrje për elementë të ri jashtë hijes së rëndë të liderit suprem të tyre.

Alastair King-Smith: Atëherë, unë mendoj se Shqipëria është ende në tranzicion. Nuk ka kaluar shumë kohë që prej vitit 1991 … 33 vjet. Ajo që dua të them është se nuk ka kaluar shumë kohë që prej viteve ’97 dhe ’99 me rënien e skemave piramidale dhe kolapsin e sistemit, që solli nevojën për rindërtim, ndjekur edhe nga lufta në Kosovë. Të gjitha këto ngjarje kanë qenë vështirësi të mëdha, dhe ju keni pasur relativisht pak kohë për të mbrojtur sistemin demokratik. Ne në Britani kemi shekuj me traditë demokratike, por sot e kësaj dite unë ende i inkurajoj të rinjtë dhe u them se nëse nuk janë të kënaqur me demokracinë, me politikanët, atëherë të përfshihen, të bëhen pjesë e politikës, të krijojnë grupe, qofshin këto parti politike apo jo. Të përfshihen në partitë aktuale politike, ose edhe të formojë grupe lobimi apo interesi që angazhohen me politikanët dhe të këmbëngulin që këta të fundit të pasqyrojnë çështjet me rëndësi për shoqërinë. Mendoj se na duhet një shoqëri civile më e fuqishme, na duhen lëvizje dhe parti politike të ndryshme, dhe siç thatë, na duhen rifreskime në vetë partitë politike. Nëse i hedhim sytë 10, 20, 30 vjet në të ardhmen, shpresoj që Shqipëria të ketë përparuar në këtë rrugëtim përmes momenteve të vështira dhe atyre pozitive, sepse në Shqipëri kam pare se shqiptarët janë mendjemprehtë, janë inteligjentë, janë krijues, dhe besoj se do të ishte shumë pozitive të injektoheshin më shumë prej këtyre cilësive në sferën politike dhe demokratike të vendit.

Pyetje: Ju keni të drejtë, sepse po shikoja që edhe në zgjedhjet e fundit në Britaninë e Madhe, fitoi një djalë 22 vjeç si përfaqësues i zonës së vet elektorale, për shkak se sistemi është i tillë, është maxhoritar, njeriu ka mundësinë të takohet të flasë, të ndajë idetë, por prapë streha e partive të mëdha është strehë e partive të mëdha dhe kjo duhet thënë. Ju përmendët faktin që skena politike duhet të pastrohet, nga elementët kriminalë. Do ju bëj një pyetje që nuk lidhet posacërisht me qëndrimin e Britanisë së Madhe, që tashmë është jashtë BE, por me një qëndrim të përbashkët që Britania ka me BE dhe me SHBA largimi i elementëve kriminalë nga jeta publike në përgjithësi dhe veçanërisht nga skena politike. Një prej kandidatëve në zgjedhjet lokale vjet u kap i përfshirë në krim elektoral pra në blerje votash. U gjet fajtor nga shteti shqiptar, për shkak të etnisë së tij në vendin ku u zgjodh, bëhet fjalë për z. Beleri pati një debat shumë të madh mes Shqipërisë dhe Greqisë. Rrokullima e ngjarjeve solli që z.Beleri më pas të zgjidhej përfaqësues i Demokracisë së Re në PE, pasi u fut në listë nga kryeministri Mitostakis si rrjedhojë ne patëm një të dënuar nga sistemi i drejtësisë shqiptare të zgjedhur nga sistemi politik europian. Dhe shumë vetë sot thonë po mirë, nëse Europa ia mundëson një personi të dënuar të zgjidhet politikisht përse Shqipërisë vazhdojnë t’i imponojnë ligjin e dekriminalizimit. Dikush pyet mos ka ardhur momenti ta heqim këtë ligj?

Alastair King-Smith: Pyetjet që po bëni janë shumë të rëndësishme, dhe fakti është që do të ketë gjithmonë debat për mënyrën e zbatimit të parimeve të demokracisë dhe shmangies së kriminalitetit dhe korrupsionit. Mendoj se një prej elementeve pozitive është se institucionet shqiptare po zbatojnë standardet evropiane dhe në disa raste më mirë se vetë institucionet evropiane. Është shumë e rëndësishme që kjo të vijojë, sepse do të sjellë zgjedhje të duhura dhe lulëzimin e jetës politike në interes të qytetarëve shqiptarë. Ky është qëllimi fundor, apo jo. Nëse individët e gabuar marrin pushtet ata fitojnë para për vete, devijojnë fondet në projekte që nuk janë me përparësi për qytetarët. Pra qeveria duhet të mbështesë qytetarët, dhe ne shpresojmë që ndërkohë që jeni në këtë rrugëtim këto parime të zbatohen në Shqipëri, duke besuar se Shqipëria do të jetë pjesë shumë e rëndësishme e familjes evropiane, por me shpresë siç edhe ju thatë, edhe pjesë e Bashkimit Evropian. Dhe për këtë e di fare mirë që qeveria jonë do ta mbështesë fort Shqipërinë.

Pyetje: Dhe meqë ra fjala e shikoni këtë perspektivë të zgjasë shumë? Pasi duket se qeveria këtu po krijon idenë se 2030 mund të jetë një afat i pranueshëm për integrimin e Shqipërisë në BE. Është përmendur edhe nga vende të tjera të BE që shikojnë domosdoshmërinë e zgjerimit, përpara shtimit të influencës ruse në rajon.

Alastair King-Smith: Më vjen mirë që e përmende këtë Sokol, sepse duhet theksuar roli shumë i rëndësishëm që Shqipëria luan për t’i bërë ballë Rusisë dhe vendeve të tjera armiqësore dhe për të mbështetur përpjekjet që së bashku po ndërmarrin në Ukrainë. Kjo vjen në kuadër të rolit shumë të rëndësishëm që Shqipëria po luan në NATO, por edhe në rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Evropian, siç thatë edhe ju. Dhe sot, gjatë diskutimeve të Komunitetit Politik Evropian, Ukraina dhe veprimet që ndërmarrim për t’i bërë ballë Rusisë jane tema kyçe diskutimi. Roli i Shqipërisë në këtë kuadër ka qenë i pashembullt dhe ne duam të vijojmë partneritetin jo vetëm në këtë fushë, por edhe të tjera. Kjo sepse vetëm duke përforcuar sigurinë në mbarë Evropën dhe vetëm duke rezistuar së bashku, vendet tona mund të vijojnë të rriten, në të kundërt do të përballemi me rreziqe që do të na ndikojnë shumë negativisht. Kemi parë fare mirë si lufta në Ukrainë ka ndikuar çmimet e energjisë, disponueshmërinë e grurit, kostot e jetesës dhe të gjitha këto kanë ndikim mbi ne, mbi familjet tona, mbi të moshuarit tanë. Për këtë arsye, është e rëndësishme që Shqipëria, Mbreteria e Bashkuar dhe vende të tjera të vijojnë të veprojnë në këtë mënyrë me qëllim që qytetarët tanë të kenë prosperitetin dhe sigurinë për të cilën kanë nevojë. Besoj se kjo është pjesë shumë e rëndësishme e partneritetit tonë në të ardhmen.

Pyetje: Gjatë këtyre tre viteve që ishit përfaqësuesi më i lartë i Madhërisë së tij në Tiranë, patëm disa zhvillime shumë të rëndësishme në raportet mes dy vendeve. Ajo që unë nuk shikoj në Shqipëri, është që nuk shoh investime të rëndësishme në Shqipëri. Pse në Shqipëri nuk ka një investim të Land Rover, të Mercedes. Pra, pse Shqipëria nuk ka investime të mëdha, të dukshme, meqë ju këtu të Britanisë së Madhe?

Alastair King-Smith: Sokol, besoj se kjo është pjesë shumë e rëndësishme dhe e përcaktuar mirë, e partneritetit tonë për të ardhmen. Kur erdha në Shqipëri, isha i qartë që zhvillimi ekonomik dhe biznesi duhet të ishin pjesë thelbësore të programit tonë. Dhe jam shumë i lumtur që brenda tre viteve e kemi arritur këtë. Folëm për investimet në veri, por një pjesë e këtij suksesi është e hapja e Dhomës Britanike të Tregtisë që po mbledh së bashku bizneset më të mëdha të pranishme këtu, ato që kanë lidhje me Mbretërinë e Bashkuar, ndërkohë që po ndërmerr një qasje tjetër për të ndihmuar bizneset dhe jo vetëm për të përftuar tregti dhe investime. Jam realisht krenar që çdo vit tregtia dhe investimet tona janë rritur shumë, gjatë tre viteve të fundit. E nisëm nga një nivel i ulët, siç the me të drejtë, por tani jemi në drejtimin e duhur. Megjithatë, do të kemi mundësi të bëjmë më shumë. Normalisht ka biznese që kanë kohë në Shqipëri si Vodafone apo Shell. Jam i lumtur të shoh marka të reja britanike si Hamley’s, Lush dhe Ted Baker që janë hapur në vend, dhe besoj se të tjera do të ndjekin këtë shembull. Gjithashtu, kur ish ministri jonë i Jashtëm erdhi këtu para dy muajsh, shpallëm se do të përdorim 4 miliard paund nga fondet e Financimit të Eksportit të MB-së në mbështetje të zhvillimit hekurudhor dhe infrastrukturës së ardhshme, për energji të rinovueshme në të ardhmen dhe fusha të tjera ku mund të sjellim ndryshim. Disa prej këtyre investimeve do të jenë me shumë rëndësi jo vetëm për Shqipërinë dhe shqiptarët, por edhe për rajonin. Një pikë, ku jemi angazhuar të bëjmë gjithçka mundemi si Mbretëri e Bashkuar është të ndihmojmë Shqipërinë dhe Kosovën me realizimin e hekurudhës Durrës-Prishtinë, që është e rëndësishme për shqiptarët dhe kosovarët, por edhe për të gjithë rajonin, duke qenë se do të transformojë lidhjet rajonale. Dhe besoj se këto veprime do të vijojnë në këndvështrimin ekonomik, të mbrojtjes, dhe në fusha të tjera.

Pyetje: Pra, do kemi stacionin Paddington në Tiranë dhe Liverpul street në Prishtinë?

Alastair King-Smith: Sugjerim shumë interesant. Prandaj thashë që shqiptarët janë krijues, sepse nuk e kisha parë në këtë këndvështrim, po pse jo.

Pyetje: Flasim pak edhe për përjetime personale, po e nis nga ato të vështirat. Sigurisht që akti historik i dizenjimit të një lideri po historik të Shqipërisë si non grata në Britani do të sillte një efekt domino, një tërmet të vogël, në Tiranë aq më tepër që bëhet fjalë për z. Berisha që duhet thënë pavarësisht gjithçkaje, historia do ta përcaktojë çfarë vendi ai do të zërë, por ai e ka vendin e tij në histori. Ju ndërkohë për shkak të kësaj, ju vetë u përballët me një valë të pazakontë të sulmeve ndaj një ambasadori të Britanisë në Tiranë. Pra, këtu nuk e di për çfarë arsye PD dhe Sali Berisha gjithmonë kanë përfunduar raportet në mënyrë negative me çdo ambasador amerikan këto 30 vitet e fundit, por pas reformës në drejtësi këtë fat e kanë pasur të gjithë ambasadorët e BE, por ju jeni i pari ambasador britanik, po ua jap unë këtë ‘dekoratë’, jeni ambasadori britanik më i sulmuar ndonjëherë në historinë e raporteve  mes dy vendeve pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike. Si e keni përjetuar këtë.

Alastair King-Smith: Normalisht kjo është çështje që vjen si rezultat i veprimeve të ndërmarra nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar dhe nuk është diçka që e bëj unë personalisht. Unë përfaqësoj Mbretërinë e Bashkuar, ndërkohë që siç thashë vendimet merren në nivelet më të larta qeveritare. Por, normalisht që krijohet një lidhje në këtë kuadër. Megjithatë, unë do të doja të shkonim përtej përqendrimit tek individi dhe të përqendrohemi tek interesi i shqiptarëve. Unë jam përpjekur të veproj kështu dhe nuk kam lejuar që këto çështje të na devijojnë nga kursi ynë. Jam përqendruar në punën për mundësimin e investimeve në vend, po sjellim edhe partneritetet tona universitare më të mira në Shqipëri, dhe një prej tyre do të paraqitet këtë javë. Jam me të vërtetë i lumtur që po shtojmë lidhjet. Përmenda shkëmbimet turistike, por po shohim edhe shumë sipërmarrës shqiptaro-britanikë që po japin kontribut në shoqërinë britanike. Marrëdhëniet qeveritare janë të shkëlqyera dhe do të vijojnë të zhvillohen dhe rriten. Pra, ne do të vijojmë partneritetin tonë me qeverinë, me institucionet e tjera si gjyqësorin, me strukturat e mbrojtjes, ndërmjet popujve, universiteteve dhe në fusha të tjera. Ky është synimi im si ambasador britanik, dhe e di që edhe Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar do të vijojë të veprojë po kështu.

Pyetje: Ambasador e përmendëm gjatë këtyre minutave që ka patur shumë ngjarje në Shqipëri, por edhe në Britani. Zgjedhje në Shqipëri, në Britani, vdekja e Mbretëreshë Elizabet dhe kurorëzimi i Mbretit Karl, marrëveshja për emigracionin, dizenjimi i z.Berisha cila nga këto ngjarje ju ka përfshirë më shumë, do mbetet në mendjen tuaj dhe do thoni kjo ishte ngjarja që shënjoi tre vitet e mia si diplomat.

Alastair King-Smith: Ke të drejtë, që gjatë periudhës time këtu kam përjetuar një sërë momentesh emocionale. Kur Madhëria e Saj, Mbretëresha, ndërroi jetë, u preka realisht nga numri i madh i shqiptarëve që erdhën të bënin homazhe në Ambasadën Britanike. Nuk e prisja këtë. Shqipëria nuk është vend i Komonuelthit; dhe nuk kishte pasur atë marrëdhënie të fortë prej shekujsh ….

Pyetje: Ndoshta duhet të na pyesni. Ndoshta duam të jemi

Alastair King-Smith: Saktë, dhe shumë prej jush kanë lidhje fantastike me Mbreterinë e Bashkuar. Këtë e pashë gjatë këtyre momenteve dhe ishte prekëse të shihja respektin e bërë. Gjithashtu u emocionova me mbështetjen për Kurorëzimin e Madhërisë së Tij. Siç thashë, mu bë shumë qejfi kur ai përshëndeti udhëheqësit evropianë në Londër në kuadër të Komunitetit Politik Evropian. Pra gjatë kësaj periudhe ka pasur momente të veçanta. Por personalisht, dhe kjo lidhet me ato që diskutuam në fillim të intervistës, është realisht mbresëlënëse të shoh ndryshimet për të rinjtë në këtë vend. Jam shumë krenar që pata mundësi të ngre projekte dhe programe që tani po ndikojnë në jetën e qindra dhe mbase mijëra individëve, veçanërisht në veri të vendit, dhe jo vetëm. Megjithëse mendoj se nuk kemi mbaruar ende dhe ka shumë punë përpara nesh,  jam shumë i lumtur që këto janë realizuar. Gjithashtu, jam i lumtur që të gjitha këto do të vazhdojnë, sepse këto elemente janë të përcaktuara në kuadër të marrëdhënies tone për të ardhmen.

Pyetje: Meqë ra fjala te vazhdimësia, cili do t’ju zëvendësojë në Tiranë?

Alastair King-Smith: Mund të keni parë njoftimin zyrtar më herët këtë muaj. Faktikisht ambasadori i ri, Nicholas Abbott, ka shumë përvojë në rajon si ish ambasador britanik në Kosovë. Nicholas dhe unë kemi punuar bashkë për shumë vite dhe jam shumë i lumtur që ai do të marrë postin nga unë, sepse jam i sigurt që ju do të keni një Ambasador Britanik shumë të mirë që do të vijojë punën me këto nisma, dhe që me siguri do të krijojë të tjera, të cilat do të përforcojnë partneritetin dhe atë që unë e shoh si miqësinë e vërtetë mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Pyetje: Cila është faza tjetër e karrierës tuaj, pas Tiranës?

Alastair King-Smith: Pasi të përfundoj punën këtu, do të marr detyrë tjetër diplomatike, fillimisht në Mbretërinë e Bashkuar. Një prej problemeve të të qenit në Shqipëri, megjithëse jam kënaqur shumë, është se familja ime është në Londër dhe në vende të tjera të Britanisë, kështu që mezi po pres të qëndroj për pak kohë me ta. Dhe më pas, duke qenë se më pëlqeu puna si ambasador dhe ishte përvojë e vyer, mbase do të kem mundësi t’i përdor këto përvoja në detyra të tjera edhe jashtë vendit.

Pyetje: Por ju do të ktheheni në Shqipëri, besoj

Alastair King-Smith: Siç thashë, dhe besoj nuk është e habitshme, që kam bërë shumë miqësi këtu në Shqipëri për shkak të mikpritjes dhe miqësisë shumë të mirë të shpalosur nga shqiptarët ndaj të tjerëve. Më ka pëlqyer shumë vendi dhe kam shumë miq, kështu që do të kthehem patjetër për pushime. Pastaj detyrat zyrtare janë diçka që i mbeten të ardhmes.

Pyetje: Dhe meqë ra fjala te e ardhmja, mendoni që kur të vini ju në Shqipëri, do të jetë akoma Edi Rama kryeministër?

Alastair King-Smith:Jam i sigurt që po, sepse udhëtimi im i radhës do të jetë përpara fundit të vitit, megjithëse jashtë detyrës. Por shpresoj që në vizitat e ardhshme, së bashku me turistët dhe vizitorët britanikë në të ardhmen, të shohim progresin pozitiv të Shqipërisë. Dhe unë realisht besoj se do të keni gjithmonë e më shumë britanikë që vijnë këtu, dhe mbase unë vetë do të gjej mënyra jo zyrtare për të mbështetur më tej miqësinë mes Shqipërisë dhe Britanisë.

Alastair King-Smith ishte kënaqësi t’ju kisha sonte në program, kënaqësi t’ju njihja gjatë këtyre tre viteve, këtu në Tiranë, ishte kënaqësi dhe nder t’ju kishim dhe ambasador të Mbretërisë së Bashkuar, por gjithashtu edhe një mbrojtës shumë të fortë të interesave të Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Alastair King-Smith: Sokol, faleminderit shumë, dhe faleminderit që më keni ndihmuar të orientohem në disa prej këtyre çështjeve interesante. Por dua ta mbyll me një mesazh për qytetarët shqiptarë, sepse një nga gjërat që kam vënë re gjatë tre viteve të fundit është se këtu ka shumë talente, krijimtari dhe imagjinatë dhe dua t’i inkurajoj të gjithë t’i përdorin ato dhe të veprojnë sipas asaj shprehjes që thotë: Bëhu ndryshimi që dëshiron të shohësh. Kështu, që dua t’i inkurajoj të gjithë të bëhen pjesë dhe të arrijnë këtë ndryshim, sepse nëse përdorin talentet e tyre, shqiptarët do ta bëjnë këtë vend një vend fantastik jo vetëm për ata që duan të jetojnë dhe të punojnë këtu, por edhe si vend që jep kontribut në botë. Këto që them i kam parë vetë gjatë tre viteve të fundit. Ishte kënaqësi të isha pjesë e këtij progresi dhe shpresoj që ky ritëm rritjeje të vazhdojë për shumë vite në të ardhmen.



Skip to toolbar